Politike

Ceremonia e 100-vjetorit të Luftës së Vlorës, Meta e Rama ulen në ‘Sheshin e Flamurit’, bashkë me ta dhe Ruçi, Basha i shmang (Momentet pikante)

  • Meta: Zot i këtij vendi dhe sovraniteti në këtë tokë i përket vetëm popullit
  • Një foshnjë që qan….kush është vizitori i vogël që ndërhyri në fjalimin e kryeministrit Rama
  • Rama ngre peshë patriotët: Në ADN-në e gjakut kanë analogjinë e të pamundurës
  • Rama i kërkon ndjesë kryetarit të Kuvendit pasi ‘mburri’ vlonjatët
  • Meta tund këmbën i lumtur me këngën ‘Vlora-Vlora’ e më pas shfryn, kryeministri i hutuar…ngre sytë nga qielli
  • Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili është kapur nga kamerat duke ecur krah kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli. I pranishëm ishte edhe prefekti i Vlorës Flamur Mamaj, i cili hapi edhe fjalën përshëndetëse në këtë ceremoni.
    Featured image of article: Ceremonia e 100-vjetorit të Luftës së Vlorës, Meta e Rama ulen në ‘Sheshin e Flamurit’, bashkë me ta dhe Ruçi, Basha i shmang (Momentet pikante) Pamje nga cermonia

    VLORË– Ceremonia solemne në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës është zhvilluar mbrëmjen e sotme në Vlorë, në “Sheshin e Flamurit”. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili është kapur nga kamerat duke ecur krah kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli. I pranishëm ishte edhe prefekti i Vlorës Flamur Mamaj, i cili hapi edhe fjalën përshëndetëse në këtë ceremoni.

    Fjala e Mamajt u ndalua për një moment për shkak të thirrjes së Ezanit nga xhamia dhe më pas rinisi. Pas Mamajt, fjalën e mori kryeministri Edi Rama i cili e ka cilësuar Luftën e Vlorës, si një nga më të veçantat në historinë e përbotshme të luftërave për nga përfundimi i saj. I pranishëm në ‘Sheshin e Flamurit’, ku u organizua edhe cereminia solemne e 100-vjetorit të Luftës Kombëtare të Vlorës, Rama tha se e veçanta e kësja lufte ka qenë edhe pjesë marrja e grave në këtë luftë. Rama shtoi se Lufta e Vlorës gjendet në një nga ato momentet formuese të shtetit të ri shqiptar.

    “Besoj se në AND-në e gjakut të vlonjatëve është analogjia e të pamundurës. Një popull i çuditshëm me një aftësi të hatashme për të tejkaluar kufijtë e asaj që është e mundur dhe për të realizuar në momente të caktuara diçka të pamundur. Është një nga luftërat më të veçanta në historinë e përbotshme të luftërave për nga përfundimi i saj. Lufta e Vlorës është një luftë e fituar nga njëra palë që objektivisht ishte e humbur,”- u shpreh Rama ndër të tjera.

    Pas kryeministrit Rama në krye të sheshit, doli kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi. Përpara të gjithë të pranishmëve, Ruçi u shpreh se ai shesh, i quajtur edhe ‘Sheshi i Flamurit’, mban peshën e rëndë të historisë kombëtare, para të cilit duhet të përulet çdo shqiptar. Ruçi shtoi se Lufta Kombëtare e Vlorës vulosi fitoren e parlamentarizmit që u themelua në Lushnje.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Më pas, fjalën e mori Presidenti Ilir Meta, i cili u shpreh nga Vlora se Zot i këtij vendi dhe sovraniteti në këtë tokë i përket vetëm popullit shqiptar. Meta shtoi se sipas tij, Lufta e Vlorës mbetet edhe sot krenari historike dhe një ngjarje vendimtare për pavarësinë e Shqipërisë. “Zot i këtij vendi dhe sovraniteti në këtë tokë i përket vetëm popullit shqiptar! Këtë e dëshmoi 100 vite më parë edhe Lufta Kombëtare e Vlorës, simboli i qëndresës së popullit tonë ndaj çdo projekti sundues, model i reagimit të vetëdijes atdhetare të shqiptarëve që marrin në dorë fatet e veta në momentet më kritike të kombit dhe Shqipërisë! Për këtë arsye Lufta e lavdishme e Vlorës mbetet edhe sot një krenari historike dhe një ngjarje vendimtare për pavarësinë e Shqipërisë,”- tha Meta ndër të tjera. 

    Kjo ceremoni, solli edhe momente pikante.  Rama dhe Meta janë kapur në një foto teksa shihet që janë ulur pranë njëri-tjetrit në shesh.

    Ilir Meta dhe Edi Rama

    Në një tjetër video, Rama dhe Meta u kapën në siklet pranë njëri-tjetrit, teksa Presidenti tundte këmbën, ndërsa kryeministri hidhte sytë lart në qiell. Ajo që ra në sy ishte edhe mungesa e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Për arsye që nuk dihen, edhe pse ishte i ftuar, Basha nuk shkoi në ceremoni. 

    (f.m/dosja.al)

    • 22:31

      Ruçi nga Vlora: Lufta Kombëtare e vulosi fitoren e parlamentarizmit që u themelua në Lushnje

      Kryetari u Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, mbajti një fjalë përshëndetësië në 100-vjetorin e Liftës Kombëtare të Vlorës, ceremoni e cila u zhvillua pasditen e sotme. Përpara të gjithë të pranishmëve, Ruçi u shpreh se ai shesh, i quajtur edhe ‘Sheshi i Flamurit’, mban peshën e rëndë të historisë kombëtare, para të cilit duhet të përulet çdo shqiptar. Ruçi shtoi se Lufta Kombëtare e Vlorës vulosi fitoren e parlamentarizmit që u themelua në Lushnje.

      Fjala e plotë e Gramoz Ruçit

      100 vjetori i Luftës Kombëtare të Vlorës, ky jubile madhështor i historisë sonë, na ka thirrur sonte në këtë shesh historik. Në sheshin që mban peshën e rëndë të historisë kombëtare. Çdo shqiptar do të dëshironte të ishte sot me ne, në sheshin më simbolik në Shqipëri, Sheshin e Flamurit. Në zemër të Vlorës, e cila ka rrahur, rreh dhe do të rrahë sa të jetë jeta, për Shqipërinë, për pavarësinë dhe për lirinë. Të ulet në gjunjë përpara monumentit të këtyre burrave, kryemagjistratëve të pavarësisë, të cilët nisën nga Vlora ndërtimin e kolonave të shtetit shqiptar. Për Luftën e Vlorës, mësimet që burojnë prej saj dhe ndriçimin e rrezatimin në historinë e Shqipërisë. Për trimërinë dhe urtësinë që buron nga Vlora e Labëria, kjo magje dhe apothegmë (simbol) i lirisë, protagoniste e martire fisnike e kalendarit të progresit të Shqipërisë. Nëntë muaj më parë, në Lushnje, Tiranë e në të gjithe Shqipërinë përkujtuam 100 vjetorin e Kongresit të Lushnjes e të parlamentarizmit shqiptar. Shpallja e pavarësisë, Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës janë tri harqe triumfi, për tri ngjarje madhore të historisë së Shqipërisë, të cilat plotësuan dhe garantuan njera-tjetrën. 108 vite me parë, më 28 nëntor 1912, heroi kombëtar, Ismail Qemali, i mbështetur nga dhjetra patriotë nga e gjithë Shqipëria, ngriti flamurin e lirisë dhe, pas pesë shekujsh robërie dhe errësire osmane, e shpalli atdheun të lirë e të pavarur. Pas tetë vjetësh, në janar të vitit 1920, Kongresi i Lushnjes vendosi që Shqipëria e pavarur të ishte Shqipëri parlamentare, hodhi themelet e saj, përmbylli periudhën e shtetformimit dhe nisi të ndërtojë arkitekturën institucionale të shtetit të pavarur shqiptar. Vetëm pak muaj pas Kongresit tregoi e garantoi se nuk mund të kishte as Shqipëri sovrane, as Shqipëri parlamentare, me Vlorën e pushtuar, duke u bërë një nga ngjarjet me rrezatuese të historisë sonë. Lufta Kombëtare e Vlorës vulosi fitoren e parlamentarizmit që u themelua në Lushnje.

      Të dyja këto ngjarje ishin prova të fuqishme të zhvillimit politik të shoqërisë shqiptare, të rritjes së ndërgjegjes kombëtare dhe të bashkimit në emër të sovranitetit e integritetit të Shqipërisë. Nuk është koinçidencë, por një imperativ historik që fillimi i parlamentarizmit, si shtyllë e Republikës, dhe lufta e Vlorës të rrinë kaq pranë njera-tjetrës. Vetëm pak muaj më vonë, më 29 maj 1920, Kuvendi i Barçallait, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të gjithë krahinës, vendosi fillimin e Luftës së Vlorës. Pak më tej ballit të këtij sheshi të shenjtë e historik, tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, më 3 shtator 1920, një grup atdhetarësh, mes të cilëve edhe dëshmitarë e pjesëmarrës në aktin e pavarësisë, u rimblodhën për ta bërë edhe njëherë Shqipërinë të lirë e të mosvarme, për ta përsosur e forcuar shtetin e ri. Luftëtarë të vjetër e të rinj, vlonjatë, tepelenas, kurveleshas e bregdetas, me bashkëluftëtarë nga Mallakastra, Berati, Korça, Dibra, Gjirokastra, Shkodra dhe Elbasani, u betuan në këtë shesh-altar të pavarësisë. Vendimi i burrave të shquar dhe komandantëve trima të Luftës së Vlorës, që ceremonia festive e fitores të mbahej në këtë shesh, ishte i pjekur dhe vizionar. Ata dhane mesazhin se lufta e tyre ishte pjesë e gjerdanit të ndritur, luftarak e popullor, të mbrujtur e të stolisur me gjakun e dëshmorëve të kombit. Ata i rikthyen Shqipërisë lirinë e nëpërkëmbur gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, ndaluan me armët e gjakun e tyre coptimin e vendit ose kontrollin e pjesshëm të tij nga një Fuqi e Madhe. Ata rikthyen flamurin e shenjtë të pavarësisë së kërcënuar nga asgjësimi. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Uillson, u kishte ndalur dorën fuqive europiane dhe kishte parandaluar copëtimin e Shqipërisë. Lufta e Vlorës dhe zhvillime të tjera të kohës i detyruan Fuqitë e Mëdha të llogarisnin shqiptarët si një faktor për ekuilibrat gjeostrategjikë e gjeopolitikë në rajon e më gjerë dhe të hiqnin dorë nga planet për copëtimin e Shqipërisë. Kontributi i saj në shtetformim i detyroi kancelaritë e fuqishme që, edhe përkundrejt interesave të tyre, ta pranonin Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve më 17 dhjetor 1920. Lufta Kombëtare e Vlorës nuk i takon vetëm historisë, por qëndron në themelet e të tashmes dhe të ardhmes së Shqipërisë. Ne, shqiptarët, kemi qenë midis kombeve që më shumë kanë kontribuar se përfituar nga historia dhe qytetërimi. Bota ka qenë ndarë në shumë mënyra, por një ndër dallimet më të mëdha është përbërja e saj nga shtete paqedashës dhe luftëdashës, pushtues dhe mbrojtës. Në kohën e Luftës së Vlorës, kjo ndarje ishte e dukshme, shpërthyese dhe kërcënuese për kombet e vegjël. Njerëzimi nuk po arrinte që mbarimin e Luftës së Parë Botërore ta kurorëzonte me një paqe të drejtë, jo vetem për shtetet e mëdhenj, por edhe të vegjëlit. Kjo paqe e pandrueshme, pas më më pak se dy dekadash, e çoi botën drejt një konflikti të ri. Edhe pse një shtet i ri që vuajti pasojat e marrëveshjeve të padrejta, shqiptarët mbetën në anën e popujve paqedashës. Midis kombeve që udhëhiqen nga forca e arsyes dhe jo nga arsyeja e forcës. Kurrë shqiptarët nuk e kanë tejkaluar të drejtën e tyre për t’u mbrojtur. Luftrat që na janë imponuar nuk kanë qene thjesht beteja ushtarake, por ndeshje midis të mirës dhe të keqes, dritës dhe errësirës, dashurisë dhe urrejtjes. Në çdo kohë, ne, shqiptarët, kemi qenë në krahun e të parave, në anën e duhur të historisë. Lufta e Vlorës rikonfirmoi këtë të vërtetë, që na bën edhe sot krenarë. Historianët ndër vite kanë shkruar për këtë ngjarje të madhe kombëtare e për rëndësinë e saj të jashtëzakonshme, për heroizmin e luftëtarëve e për dëshmorët e kësaj Lufte. Ne sot nuk do të zëvëndësojmë historianët në punën e tyre. Por një tezë të historiografisë shqiptare dëshiroj ta ritheksoj sonte, në këtë ceremoni: Lufta e Vlorës ishte një luftë kombëtare. Ishte e tillë për nga rëndësia, rrezatimi dhe ndikimi i saj në të ardhmen e Shqipërisë. Për faktin se kapedanët e Luftës së Vlorës nga luftrat vinin dhe drejt luftrave shkonin. Një pjesë e tyre vinin nga luftrat përpjekjet për pavarësi, një pjesë tjetër kishin qenë pjesëmarrës në shpalljen e pavarësisë. Shumica e tyre pas fitores së Vlorës rendën drejt betejave të tjera, ku i thërriti Shqipëria dhe mbrojtja e territoreve të saj. Luftën Kombëtare të Vlores e bënë heronjtë dhe luftëtarët e saj, çetat vullnetare, e bëri gjithë populli i Vlorës dhe i Labërisë. Kur flasim për Luftën e Vlorës, nuk mund të mos kujtojmë e nderojmë simbolin e kësaj Lufte, Selam Musa Salarinë. Monumenti i këtij heroi legjendar na kundron sot vetëm disa maja malesh larg, nga shtepia muze që ndërtuam këto ditë, në vendlindjen e tij, në Salari. Nderojmë sot kapedanët e luftëtarët Sali Vranishti, Kanan Maze, Zigur Lelo, Sado Koshena, Isuf Rustemi, Toto Hosi, Selman Hyseni, Mato Robi, Bajram Mehmeti, Memo Brati, Mehmet Mallkeqi, Halim Rakipi, Nase Beni, Hodo Zeqiri, Rrapo Çelo, Sheme Sadiku, Beqir Velo, Abdurrahman Çiraku e Zenel Ramohito me shokë. Në krye të tyre ishin udhëheqës politikë të spikatur, tribunë të mendimit e të aksionit atdhetar, si Osman Haxhiu, Qazim Koculi, Ahmet Lepenica, Spiro Jorgo Koleka, Myqerem Hamzaraj, Halim Xhelo, Murat Tërbaçi, Qazim Kokoshi, Azbi Canua, Jani Minga, Shtjefen Gjeçovi e të tjerë. Shumë të tjerë janë nderuar ndër vite, siç po vlerësohen edhe në këtë ceremoni jubilare. Panteoni i historisë është i hapur për të gjithë luftëtarët e lirisë e të pavarësisë. Nuk mund të harrojmë edhe përkushtimin e institucioneve të larta të krijuara nga Kongresi i Lushnjes, si Këshilli i Lartë dhe Këshilli Kombëtar. Këto institucione morën vendime jetike e të kujdesshme, krijuan një prapavijë e mbështetje të fuqishme për forcat kombëtariste në Luftën e Vlorës si dhe udhëhoqën, në emër të tyre, negociatat me përfaqësuesit e qeverisë italiane, deri në nënshkrimin e protokollit të 2 gushtit 1920. Ndaj është në nderin tonë ndriçimi i të vërtetës historike dhe vlerësimet e merituara për Kryeministrin e asaj kohe, Sulejman Delvina, për ministrat Hoxhë Kadri Prishtina e Ndoc Çoba e mjaft anëtarë të Këshillit Kombëtar, të cilët u bashkuan dhe mbrojtën kauzën e Luftës se Vlorës. Nderim e lavdi kapedanëve, luftëtareve dhe çlirimtarëve të Luftës Kombëtare të Vlorës! Vepra e tyre kombëtare është e përjetshme!

    • 22:50

      Ceremonia në Vlorë, Meta: Zot i këtij vendi dhe sovraniteti në këtë tokë i përket vetëm popullit shqiptar

      Presidenti i Republikës, Ilir Meta u shpreh nga Vlora se Zot i këtij vendi dhe sovraniteti në këtë tokë i përket vetëm popullit shqiptar. Në ceremoninë e 100 vjetorit të Luftës së Vlorës, ku ishte edhe prezent, Meta shtoi se sipas tij, Lufta e Vlorës mbetet edhe sot krenari historike dhe një ngjarje vendimtare për pavarësinë e Shqipërisë. “Zot i këtij vendi dhe sovraniteti në këtë tokë i përket vetëm popullit shqiptar! Këtë e dëshmoi 100 vite më parë edhe Lufta Kombëtare e Vlorës, simboli i qëndresës së popullit tonë ndaj çdo projekti sundues, model i reagimit të vetëdijes atdhetare të shqiptarëve që marrin në dorë fatet e veta në momentet më kritike të kombit dhe Shqipërisë! Për këtë arsye Lufta e lavdishme e Vlorës mbetet edhe sot një krenari historike dhe një ngjarje vendimtare për pavarësinë e Shqipërisë. Nga “Sheshi i Flamurit”, zemra e Vlorës që rreh vetëm Kuq e Zi, pata privilegjin të nderoja sot me mirënjohje të thellë disa nga patriotët, trimat dhe kapedanët që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, të cilët na kanë lënë si trashëgimi mesazhin e përjetshëm, që vleu një shekull më parë, vlen ende sot e në të ardhmen, se në vendin e shqiponjave lindin gjithmonë shqiponja që do e mbrojnë kurdoherë Shqipërinë, Atdheun tone,”– u shpreh Meta.

    • 20:06

      100-vjetori i Luftës së Vlorës, Rama ngre peshë patriotët: Në AND-në e gjakut kanë analogjinë e të pamundurës, dyfish borxhlinj… popull i çuditshëm me një aftësi të hatashme për të tejkaluar kufijtë e të mundurës

      Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar Luftën e Vlorës, si një nga më të veçantat në historinë e përbotshme të luftërave për nga përfundimi i saj. I pranishëm në ‘Sheshin e Flamurit’, ku u organizua edhe cereminia solemne e 100-vjetorit të Luftës Kombëtare të Vlorës, Rama tha se e veçanta e kësja lufte ka qenë edhe pjesë marrja e grave në këtë luftë. Rama shtoi se Lufta e Vlorës gjendet në një nga ato momentet formuese të shtetit të ri shqiptar. “Besoj se në AND-në e gjakut të vlonjatëve është analogjia e të pamundurës. Një popull i çuditshëm me një aftësi të hatashme për të tejkaluar kufijtë e asaj që është e mundur dhe për të realizuar në momente të caktuara diçka të pamundur. Është një nga luftërat më të veçanta në historinë e përbotshme të luftërave për nga përfundimi i saj. Lufta e Vlorës është një luftë e fituar nga njëra palë që objektivisht ishte e humbur. Pavarësia e 8 viteve përpara Luftës së Vlorës i tregoi botës se shqiptarët ekzistojnë. Ndërkohë Lufta e Vlorës që tregon për herë të parë se dhe shteti shqiptar ekziston…..Lufta e Vlorës gjendet një nga ato momentet formuese të shtetit të ri shqiptar. Kjo na bën të gjithëve që vlonjatëve t’u jemi borxhlinj dy herë, jo vetëm për Pavarësinë, por edhe për Luftën e Vlorës. Gramoz mos m’u mërzit, ndjesë por kjo nuk e përjashton faktin që edhe tepelenasve duhet t’u jemi borxhlinj. Nga Traktati i fshehtë i Londrës, Shqipëria rrezikonte të vishej sërish me të zeza, por amerikanët e mbështetën atë që ndodhi, edhe përmes shtypit të tyre të lire. Ajo që ishte e rëndëishme, ishte edhe pjesëmarrja e jashtëzakonshme e grave në atë luftë. Gratë organizuan një rrjet shitjesh të bizhuterive. Sot në këtë përvjetor është momenti për të kujtuar heroizmin e kësaj ngjarjeje në vetvete dhe peshën e saj,”- tha Rama ndër të tjera.

    • 19:40

      “Gramoz mos m’u mërzit”/ Rama i kërkon ndjesë kryetarit të Kuvendit pasi ‘mburri’ vlonjatët: Edhe tepelenasve u jemi borxhlinj…

      Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar ndjesë kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Teksa mbante fjalën në ceremoninë solemne të organizuar për 100-vjetorin e Luftës Kombëtare të Vlorës, Rama u shpreh se të gjithë duhet t’u jenë borxhlinj vlonjatëve për atë që kanë bërë në ato vite. Në këtë çast, Rama ndërpreu fjalimin dhe i kërkoi ndjesë Ruçit, që është nga Tepelena. “Prandaj vlonjatëve duhet t’u jemi borxhlinj…Gramoz mos m’u mërzit, ndjesë por kjo nuk e përjashton faktin që edhe tepelenasve duhet t’u jemi borxhlinj,”– tha Rama dhe më pas nisi të fliste sërish për Luftën e Vlorës.

    • 19:33

      Ç’po ndodh? Ndërpritet ceremonia e 100-vjetorit të Luftës në Vlorë, shkak….ezani i xhamisë

      Ceremonia e organizuar për 100-vjetorin e Luftës Kombëtare në Vlorë është ndërprerë për pak çaste. Shkak për këtë ndërprerje mësohet se është bërë Ezani i xhamisë. Në momentin që hoxha ka Ezani i xhamisë pranë Sheshit të Flamurit në Vlorë u thirr në orarin e saj të zakonshëm, prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj, ndërpreu fjalën. Pas mbarimit të Ezanit, ai e rinisi fjalimin.

    Shto Koment