Politike

Meta: Deri në 24 korrik të 2022 nuk synoj të bëhem kryeministër apo kryetar opozite, por do të rivendos vullnetin e sovranit në çdo institucion

Meta ka deklaruar se derisa t'i përfundojë mandati si president nuk synon që të bëhet kryetar opozite apo kryeministër. Ai shprehet se do të mbrojë vetëm Kushtetutën.
Featured image of article: Meta: Deri në 24 korrik të 2022 nuk synoj të bëhem kryeministër apo kryetar opozite, por do të rivendos vullnetin e sovranit në çdo institucion Ilir Meta, president

Tiranë- Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka deklaruar së fundmi se që nga 2 marsi ndodhet në shesh për të rivendosur vullnetin e sovranit në çdo institucion. Në një postim në Facebook, kreu i shtetit ka theksuar se deri në 24 korrik të 2022 nuk synon të bëhet kryeministër apo kryetar opozite, por do të mbrojë Kushtetutën. Ai thekson se qeveria duhet të ketë frikë nga populli.

“Mos u lodhni kot me konspiracione! Jam Presidenti i Republikës dhe lider i sovranitetit dhe unitetit kombëtar, në mbrojtje të Kushtetutës, lirisë dhe demokracisë! Ky është projekti im i vetëm deri në 24 korrik 2022! Nuk synoj, as për Kryeministër, dhe as për kryetar opozite deri atëhere. Por nga 2 marsi unë kam zbritur në shesh dhe do të vazhdoj shesh më shesh, në të gjithë Shqipërinë derisa të rivendosim vullnetin e sovranit në çdo institucion. Po, qeveria duhet të ketë frikë nga POPULLI, jo POPULLI nga qeveria.”, shprehet Meta. 

Video e publikuar nga Presidenti Ilir Meta: 

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Dy ditë më parë Ilir Meta zhvilloi manifestimin dhe tha që është nisja për shpartallimin e grushtit të shtetit. Në tubimin e 2 marsit, Meta firmosi para sovranit dekretin e tij të parë për rrëzimin e marrjes së kompetencave të Presidentit për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duke i dhënë kohë maxhorancës deri më 15 mars për të kaluar ligjin për Reformën Elektorale.  Ndryshe sipas Metës, ai do të firmosë dekretin për shpërndarjen e parlamentit. Ndërsa një ditë më parë ai publikoi edhe argumentet për kthimin e pr/ligjit në Kuvend. Gjithashtu gjatë fjalës para qytetarëve Meta mori në dorë dhe një flamur amerikan, e ky gjest ngjalli debate. Pas përfundimit të manifestimit reagoi ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila shprehu habinë pse u valëvit flamuri i vendit të saj në atë që ajo e quajti protestë. Meta i pyetur për këtë deklaratë tha se nuk kishte asnjë koment.

J.V/Dosja.al 

Shto Koment