Sociale

Mësimi online, CRCA e shqetësuar për nxënësit: S’kanë mundësi për telefona smart, nuk kanë kushte të barabarta me të tjerët

Sipas CRCA-së, që prej datës 9 Mars 571,616 fëmijë po ndjekin mësimin në distancë por vetëm 82.2% e tyre ka akses në internet.
Featured image of article: Mësimi online, CRCA e shqetësuar për nxënësit: S’kanë mundësi për telefona smart, nuk kanë kushte të barabarta me të tjerët Logo e CRCA, telefona dhe foto ilustruse

TIRANË- Organizata CRCA /ECPAT me anë të një deklarate kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me mënyrën se si po zhvillohet mësmi në distancë në një kohë kur institucionet arsimore janë mbyllur për shkak të koronavirusit. Sipas CRCA-së, që prej datës 9 Mars 571,616 fëmijë po ndjekin mësimin në distancë por vetëm 82.2% e tyre ka akses në internet. Shtuar këtu që 29.6 % e fëmijëve deri moshën 17 vjeç, e kanë të pamundur të zotërojnë mjetet smart (telefon, tabletë apo kompjuter) për të vijuar me mësimin si bashkëmoshatarët e tyre.

Shqetësimi ynë është se në kushtet kur nuk dihet se kur do të përfundojë izolimi për shkak të Covid19, fëmijët po deprivohen seriozisht nga mundësia për të patur arritje të barabarta në arsim me fëmijë, që zotërojnë pajisjet dhe lidhjen me internetin. Pas këtyre familjeve qëndrojnë disa nga grupet më të margjinalizuara, më të pamundura dhe më të diskriminuara në Shqipëri, si ato të minoritetit Rom, familjet që jetojnë në varfëri ekstreme, familjet në zonat rurale larg qendrave të mëdha të banuara,”-thuhet në reagim.

NJOFTIMI I PLOTË

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Shqipëri dhe Koalicioni për Arsimin-ACE, janë tepër të shqetësuar në lidhje me shkeljen e të drejtës për arsim cilësor dhe të barabartë publik për të gjithë ata fëmijë që jetojnë në familje që nuk kanë akses as në internet dhe në platformat dixhitale televizive, ku Ministria e Arsimit dhe trupa mësimore po zhvillojnë mësimin në arsimin parauniversitar publik në Shqipëri. Që prej datës 9 Mars, të gjitha institucionet arsimore publike në vend janë mbyllur, duke detyruar që 571,616 fëmijë ta ndjekin arsimin e tyre nëpërmjet mësimit në distancë. Mësimi online dhe ai në platformën dixhitale të televizionit publik (RTSH), ndonëse duken sikur garantojnë të drejtën e arsimit për të gjithë fëmijët, në të vërtetë kanë krijuar diferenca të theksuara midis fëmijëve të pasur dhe atyre të varfër, një konsideratë që Qeveria Shqiptare duhet ta kishte menduar dhe gjetur zgjidhje, menjëherë me urdhërin për mbylljen e shkollave.  Bazuar në të dhënat më të fundit të INSTAT, nga thuajse 850,000 familje që jetojnë në Shqipëri, vetëm 82.2 % e tyre kanë akses në internet, ndërsa rreth 153 mijë familje e kanë të pamundur që në këtë periudhë izolimi, t’i ofrojnë fëmijëve të tyre mësimin online. Shifrat flasin edhe për një faktor tjetër vështirësie, me të cilin përballet familja shqiptare. Sipas INSTAT rreth 29.6 % e fëmijëve deri moshën 17 vjeç, janë të rrezikuar nga varfëria, që do të thotë se ata e kanë të pamundur të zotërojnë telefon smart, tabletë apo kompjuter. Sipas një sërë ankesash që kanë ardhur pranë CRCA/ECPAT Shqipëri gjatë ditëve të fundit, fëmijët në zonat rurale dhe fëmijët e varfër në qytete, familjet e të cilëve nuk janë të lidhura me internetin për shkak të kostove të larta, e kanë të pamundur që të jenë në komunikim të vazhdueshëm me mësuesit e tyre, për të marrë dhe dorëzuar detyrat, kërkuar shpjegime dhe shumë funksione të tjera, që fëmijët e tjerë i marrin nga mësuesit e tyre nëpërmjet platformave të komunikimit në internet.  E drejta e arsimit është një e drejtë bazë e fëmijëve. Kushtetuta dhe Ligji për Arsimin Parauniversitar i garantojnë çdo fëmije akses të barabartë dhe pa diskriminim në arsimin publik për çdo fëmijë, pavarësisht gjendjes së tij. Kjo mbrojtje ligjore e posaçme e të drejtës së arsimit të fëmijës, ka shtrirje në çdo mjedis ku ndodhet fëmija, kur këto kufizime vijnë për shkak të vendimeve të Qeverisë apo institucioneve të saj. Në këtë kuadër, është detyrimi i Qeverisë që t’i garantojë të gjithë këtyre fëmijëve jo vetëm aksesin në internet, por edhe në pajisjet teknologjike që bëjnë të mundur arsimimin e fëmijës në kushte të mbylljes në shtëpi! Shqetësimi ynë është se në kushtet kur nuk dihet se kur do të përfundojë izolimi për shkak të Covid19, fëmijët po deprivohen seriozisht nga mundësia për të patur arritje të barabarta në arsim me fëmijë, që zotërojnë pajisjet dhe lidhjen me internetin. Pas këtyre familjeve qëndrojnë disa nga grupet më të margjinalizuara, më të pamundura dhe më të diskriminuara në Shqipëri, si ato të minoritetit Rom, familjet që jetojnë në varfëri ekstreme, familjet në zonat rurale larg qendrave të mëdha të banuara etj. Nisur nga sa më sipër, CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Kooalicioni për Arsimin në Shqipëri -ACE, bazuar në këto të fakte dhe të dhëna, kërkojnë nga Qeveria shqiptare, që të marrë menjëherë të gjitha masat e domosdoshme për të ndaluar këtë shkelje flagrante të të drejtës së fëmijës për arsim, duke pajisur familjet me mjetet teknologjike të domosdoshme dhe lidhjen me internet për përdorimin e mësimit në distancë.

Ministria e Shëndetësisë, disa ditë më parë, lëshoi një urdhër që kërkonte mbylljen e të gjitha institucioneve arsimore për një kohë të pacaktuar për shkak të koronavirusit në vend. Ndërkohë mësimi zhvillohet në mënyra alternative, me platforma online dhe në kanalin e RTSH-së.

(K.M. Dosja.al)

Shto Koment