Bota

Merkel dhe Putin diskutojnë për tensionet në Ukrainë

Frikën për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit e ka rritur edhe një ndërtim ushtarak rus në kufi me Ukrainën.
Featured image of article: Merkel dhe Putin diskutojnë për tensionet në Ukrainë Angela Merkel dhe Vladimir Putin

UKRAINË– Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë një bisede telefonike kanë diskutuar për rritjen e tensioneve në Ukrainën lindore dhe për rastin e burgosjes së liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny.

Në javët e fundit janë shtuar përplasjet midis separatistëve pro-Rusisë dhe forcave ukrainase. Frikën për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit e ka rritur edhe një ndërtim ushtarak rus në kufi me Ukrainën.

Presidenti i Rusisë dhe kancelarja e Gjermanisë shprehën shqetësim rreth përshkallëzimit të tensioneve në juglindje të Ukrainës. Putin foli për veprimet provokuese të Kievit, i cili kohët e fundit e ka përkeqësuar me qëllim situatën në vijën e frontit“, tha Kremlini në një deklaratë.

Më herët të enjten, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, udhëtoi për në lindje të vendit. Ai u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë për mbështetje.

Konflikti shpërtheu më 2014, pasi Moska aneksoi gadishullin e Krimesë. Nga konflikti janë vrarë më shumë se 13.000 persona.

Kievi dhe Perëndimi kanë akuzuar Rusinë për mbështetjen e separatistëve me armatim dhe trupa.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Moska vazhdimisht i ka mohuar ato pretendime.

Që nga viti 2015, Franca dhe Gjermania kanë ndërmjetësuar bisedimet e paqes, por ato nuk kanë arritur t’i japin fund luftimeve.

Kremlini nuk ka mohuar lëvizjet e fundit të trupave në kufi me Ukrainën, por ka këmbëngulur se Moska nuk paraqet asnjë kërcënim.

Të dy udhëheqësit, Putin dhe Merkel, diskutuan gjithashtu edhe për konfliktin në Siri dhe krizën politike në Libi.

Marrë nga REL 

Shto Koment