Aktualitet

Mentor Kikia i përgjigjet Panaritit: Gati të bëjmë analizat e bulmetit live, shikoji dhe këto foto

Në një reagim në Facebook, Kikia shkruan se është gati për sfidën që prozoi ish-minsitri që të bëjnë analziat e bulmeteve në një transmetim live.
Featured image of article: Mentor Kikia i përgjigjet Panaritit: Gati të bëjmë analizat e bulmetit live, shikoji dhe këto foto Mentor Kikia dhe etiketat e prdukteve

TIRANË- Gazetari Mentor Kikia i është përgjigjur sot ish-ministrit të Bujqësisë Edmond Panaritit. Në një reagim në Facebook, Kikia shkruan se është gati për sfidën që prozoi ish-minsitri që të bëjnë analziat e bulmeteve në një transmetim live.

Kikia më tej shton se mbështet reagimin e Panartit për të mbrojtur prodhimin vendas, dhe ka publikuar një etiketë të një produkti që importohet nga Danimarka në Shqipëri.

Shikojeni pak etiketën e parë në foto. Eshtë një djathë danez, ka vaj palme brenda, dhe e ka të deklaruar në etiketë, nuk mund ta fshehë. Dhe për këtë arsye nuk e lejojnë të quajë as djathë, por kompania ka shpikur një emërtim të ri, ‘Danwhite’”, shkruan Kikia.

POSTIMI I PLOTË

Panariti, hajde ti bëjmë analizat e ushqimeve LIVE, në sheshin “Skënderbej”! Po e vazhdoj një replikë me ish-ministrin e Bujqësisë, Z. Edmond Panariti, jo thjeshtë për “sqarim”, por në interes të transparencës dhe sigurisë së ushqimeve që hamë.

Profesor, e përshëndes vendosmërinë tuaj për ta mbështetur prodhimin vendas. Por unë mendoj që së pari prodhuesin duhet ta detyrojmë të prodhojë me cilësi dhe pastaj ta promovojmë me ç’të mundemi. Sot niveli i besimit të konsumtorit tek prodhuesi është thuajse zero. Dhe ka arsye sepse.

Ju e dini më mirë se unë, që sot në treg ka djathë, kos, gjalpë, që prodhohen me yndyrë bimore, vaj palme, pasi qumështit i merret yndyra shtazore. Ju e dini që ka djathë dhie që nuk prodhohet nga qumështi i dhisë, por nga qumështi pluhur, të cilit i hidhet esencë(aromë dhie).

Ju e dini që ka verë që prodhohet me ngjyrues artificial, alkool dhe sheqer. Ju e dini ka prodhues sallami që e dëndin sallmin me nitrate për ti zgjatur kohën e përdorimit. E di që do të thoni se as vaji i palmës e as qumështi pluhur nuk janë të dëmshëm apo të rrezikshëm, kur perdoret sipas normave shkencore. Por nëse djathit i shtohet vaj palme ai nuk është më djathë. Mbi të gjitha, ne duhet ta dimë se çfarë ka brenda djathi, kosi apo gjiza. Zgjedhin ne se çfarë blejmë pastaj, atë 100% natyral, apo atë me përbërës të tjerë.

Po ju sjell dy shembuj. Shikojeni pak etiketën e parë në foto. Eshtë një djathë danez, ka vaj palme brenda, dhe e ka të deklaruar në etiketë, nuk mund ta fshehë. Dhe për këtë arsye nuk e lejojnë të quajë as djathë, por kompania ka shpikur një emërtim të ri, “Danëhite”. Sepse djathi ka formulën e tij kimike, të cilën po ia ndryshove ke ndryshuar produktin. Etiketa e dytë është e një salçiçeje, prodhim serb. Shikojeni që në etiketë janë të deklaruar të gjithë përbërësit që ka produkti. 

Tani, a mund të më thoni: Cili prodhues bulmeti në Shqipëri që përdor vajin e palmës e shënon në etiketë? Ju e dini që vajin e palmës e përdorin thuajse të gjithë të mëdhenjtë e kësaj industrie. Përse nuk e bëjnë? I keni parë prodhuesit e sallamit që i ambalazhojnë me qese ku shënohet vetëm emri dhe ca foto të bukura. Përse nuk i shënojnë përbërësit?

Dhe ju kërkoni që ne të heshtim për shkak se ky është prodhim vendi? Jo profesor, ky nuk është prodhim vendi, ky është mashtrim vendi. Ky na dëmton shëndetin neve dhe dëmton konkurencën e ndershme, shkatërron punën e atyre që duan të prodhojnë me standarde reale, dhe të tillë ka dhe mua këta prodhues më dhimbsen.

Profesor, tregu ka nevojë për besim. Konsumatorët kanë nevojë për siguri. Biznesi ka nevojë për rregulla që të garantojën konkurencën e ndershme. Jemi vendi i vetëm në Europë që nuk nuk lejohemi të eksportojmë asnjë gram prodhim ushqimor, përvec domate, kastravec e shalqi. E vetmja gjë shtazore që shesim është peshku, që e shesim direkt në det të hapur.

Ndaj sot, më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për vendime drastike në këtë drejtim. Ndaj analizat e ushqimeve duhet ti bëjmë LIVE, jo në TV siç më “sfidoni” ju, por në sheshin “Skënderbej”. Jo që unë të fitoj bastin, por që qytetarët të kenë siguri në atë që hanë, dhe në biznes të ndahet i ndershmi nga mashtruesi. Dhe ju si ish-ministër, atë që nuk e bëtë dje, duhet të këmbëngulni që të bëhet sot.  Jo të gjithë ata që kritikojnë vënë gjoba profesor. Pasi do të duhej të besonin se të gjithë ata që mbrojnë janë të paguar!

P.s: Unë do ti lutesha çdo lexuesi ta shpërndajë këtë shkrim, si një apel për qytetarët dhe specialistët që të bashkohen në një presion publik për të vendosur standardet e cilësisë së ushqimit, jo me ligje në letër, por me veprime konkrete.

Debati mes Mentor Kikisë dhe Edmond Panaritit ka nisur pas eksperimentit të një qytetari me qumështin Lufra. Ai kishte hedhur në asfelt qumshtin dhe kishte vënë re se qumështi ngjitej, dhe hidhte dyshime se kishte përmbajtje të shtuar të kimikateve. Kikia ka mbështetur këtë ide duke thënë se Lufra përdor qumështin pluhur. Nga ana tjetër Panariti shprehet kundër, duke e ftuar që të bënte dhe analizat live para kamerave.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment