Editorial

Mendime personale për 1945-n, 2020-n dhe Evropën sot

E ky është modeli që ne do të donim ta ndanim me këtë pjesë të Evropës dhe me qytetarët e Kosovës, si një shtegdalje nga kufizimet e modeleve të shekullit XIX, për një të ardhme më të mirë për gjeneratën e re këtu dhe ata që janë të rinj në zemër. Mendoj se ju e meritoni dhe jeni të përkushtuar për t’u bërë pjesë e kësaj rruge të ndarjes së të mirave me të tjerët dhe bashkimit me të tjerët.
Featured image of article: Mendime personale për 1945-n, 2020-n dhe Evropën sot

Po këtë ditë më 8 maj 75 vjet më parë, përfundoi Lufta e Dytë Botërore, luftë kjo e nisur nga Gjermania, pasi nazistët e ndërtuan një sundim përmes terrorit brenda shtetit të tyre. Lufta la pjesë të mëdha të Evropës të shkatërruara. U vranë mbi 60 milionë njerëz, ndër ta, miliona të vrarë nga gjenocidi i planifikuar shtetëror. Krimi i Holokaustit kundër hebrenjve në Evropë u shoqërua me vrasje masive të grupeve të tjera shoqërore dhe etnike. Ishte edhe lloj i luftimit i ndërtuar mbi asgjësim, shkatërrim dhe skllavërim. Një pikë ekstreme brutale në kundërshti me vetë esencën e vlerave të përbashkëta të asaj se çka duan humanistët. Pra, nuk do mend se kur përfundoi, njerëzit në të gjithë Evropën i vërshuan rrugët në ato ditë të para të majit 1945, për ta festuar çlirimin.

40 vjet më vonë në vitin 1985, presidenti i atëhershëm gjerman Richard von Weizsacker, tha gjatë përvjetorit se në vitin 1945 u çlirua edhe Gjermania. Ishte adresim me pasion që 1945-a kishte ndryshuar edhe themelin për gjermanët, një çlirim që u dha gjermanëve mundësinë ta shohin të kaluarën problematike dhe ta marrin një drejtim të ri. Ishte e kundërta e nocionit që Gjermania u sulmua nga një forcë e jashtme dhe se është zgjuar nga makthi i vitit 1945, siç kishte thënë më parë. Kjo lidhej me pranimin e të gjitha tmerreve që ndodhën me mbështetje të qëllimshme ose me mosdije të qëllimshme, që ishin thellë në shumicën dërrmuese të shoqërisë gjermane. Jo vetëm vrasësit nazistë që ishin përgjegjës për kasaphanën, por edhe të gjithë ata që mbyllën sytë e nuk deshën të dëgjonin. Lidhej me të gjithë ata që ishin të parët për nacionalizëm agresiv dhe që shkëlqenin në radhët e marsheve nazistë gjermane, që në të njëjtën kohë injoronin qëllimisht fatin e fqinjëve të tyre të zhdukur në Gjermani, apo që mbyllën sytë kur kryheshin krimet e tmerrshme në të gjithë Evropën e okupuar. E pastaj më 1945, u çliruan kampet e përqendrimit e forcat Aleate, duke parë atë që do të bëhej pjesë e librave të historisë. Ashtu si në shumë vende, trupat e amerikane që e çliruan kampit e përqendrimit Buchenwald i urdhëruan civilët në afërsi të Waimarit për t’i parë tmerret e kampit. Ishte e tmerrshme për qytetarët e Weimarit kur u përballën me të vërtetën e papërballueshme që kishte ndodhur ngjitur me ta. Çdo gjermani i duhej të përballej me këtë përgjegjësi, që dilte jo vetëm prej shkaktimit fizik të krimeve, por edhe dështimit kolektiv të të gjithë shoqërisë që e ka lënë të ndodhë.

Presidenti ynë i parë, Theodor Heuss, që nga 1949-a e ka përshkruar saktë procesin e Gjermanisë që ishte ta kuptosh të pamendueshmen jo si faj kolektiv, por si turp kolektiv. Pikërisht kjo është ajo që e kam ndier sa herë që kam qenë aty ku Gjermania naziste i ka lënë gjurmët e shkatërrimit, apo kam takuar njerëz që i kanë mbijetuar tmerret: turp i rëndë. Faji është personal dhe zbehet edhe te kriminelët nazistë, por turpi rri sepse motivon që të mësohen gjëra për të ardhmen. Po ashtu për të reflektuar se çfarë i bën shoqëritë të fuqishme ndaj tundimeve. Kur unë e promovoj sundimin e ligjit, është për shkak se mendoj për grupin e fundit të rezistencës gjermane që u var me tela të pianos për t’i zgjatur vuajtjet e tij më 1944. Kur e shoh rrahagjoksjen nacionaliste dhe cilësimin e grupeve të njerëzve si “të ndryshëm” duke e parë veten si superior, e kujtoj kohën kur rrija me njerëz që kishin tatuazhe me numra në krahë, sepse cilësoheshin si “të ndryshëm” dekada më parë. Kur dëgjoj për zgjidhjen e çështjeve të pakicave duke lëvizur kufij, mendoj për miliona njerëzit që u përzunë nga një vend në tjetrin në kontinentin evropian gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Mos ju duket shumë dramatike? E kemi një shprehje në gjermanisht “Wehret den Anfängen”, rezisto me fillim, sepse nëse e lirohesh, nuk e di kurrë se ku do të përfundojë dhe sa shpejt do të dalin gjërat jashtë kontrollit. Kjo është arsyeja pse unë besoj në vlerat dhe bazamentin e asaj që ne jemi si kolektivitet. Pra, më 1945, Gjermania ishte me të vërtetë e çliruar dhe do t’u bashkohej më pas edhe këtyre vlerave themelore të përbashkëta. Kjo, sipas meje, shkon bashkë me përgjegjësinë që e kemi gjithmonë në mend për thyerjen e civilizimit 75 vjet më parë. Cila ishte pra zgjidhja për rrugëtimin e mbetur?

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Evropa! Apo, le të themi, ky proces i veçantë që ka çuar në atë që e njohim si Bashkimi Evropian. E nesër është 9 maji, Dita e Evropës. Këto data janë bashkë për mua 8.5.1945-9.5.1950. Ajo që shumë liderë të Evropës së pasluftës kanë ndier nga dëshira për t’u përfshirë më ndryshe pas apokalipsit në kontinentin e vjetër, pra politikani francez Robert Schuman e tha vetë me planin e mirënjohur që e prezantoi më 9 maj 1950: Tejkalimi i mekanizmave të shekullit XIX të përkufizimit të fuqisë vetëm nga pronësia dhe fitimi. Ai propozoi një qasje thelbësisht tjetër, që ishte ajo e ndarjes së të mirave. Industritë e thëngjillit dhe çelikut, dy faktorë të ekonomive e pushteteve nacionale, do të menaxhoheshin bashkërisht. Jo edhe shumë popullor në atë kohë, por mekanizmi që ishte e ndryshoi rrjedhën historike dhe solli këtë që ne e kemi sot më 2020 tani. Parimi i ndarjes së të mirave ka krijuar një nga hapësirat më atraktive në botë dhe një model që tregon rëndësinë e bashkëpunimit në të kundërt të konfrontimit. Asnjë shtet evropian nuk do të mund të mbijetonte në këtë botë të globalizuar, as Gjermania e as të tjerët. Të gjithë ne në BE mund t’ia dalim vetëm së bashku. E kjo nuk është vetëm për ekonominë, ashtu siç dyshojnë disa që udhëtojnë në Evropë. Megjithatë, kjo s’ka rënë nga qielli, por janë dashur gjenerata të tëra të punës në ekip për ta krijuar atë që e kemi arritur tani. E gjitha bazohet në vlerat dhe parimet e përbashkëta.

Ky grup idesh bazike është i panegociueshëm për mua pas vitit 1945. Ka të bëjë me dinjitetin e secilës qenie njerëzore, lirive qytetare dhe nocionin e qytetarit. Të gjithë qytetarët duhet të jenë të barabartë për nga të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre. Pushteti publik i shërben shtetit dhe qytetarëve. Modesti dhe respekt. Ndarje e të mirave, jo zaptim i tyre. Vetëm respektimi i rregullave e mundëson lirinë për të gjithë. Gjeneratat e reja në BE ndihen aq rehat në shtëpi, saqë i marrin këto për të mirëqena. Është mirë kështu, sepse i është bërë habitat natyror. Im atë ishte vetëm 11 vjeç kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore. Atij i duhej të vidhte ushqim që të mbijetonin ai dhe prindërit e tij. Ai i përjetoi të gjitha këto ndryshime me dekada me radhë. Fëmijëve të mi fatmirësisht nuk u është dashur të kalonin në këtë përvojë. Ata jetojnë në BE-në e sotme si një vend të hapur e frymëzues për liri, gjë që e ndajnë edhe shokët e tyre gjithandej.

Ata ndoshta janë gjenerata e parë krejtësisht evropiane në zemër e në mendje. Jam shumë falënderues për këtë. Është diçka për të cilën nuk kanë mundur as të shpresojnë në majin e 1945-s. Neve si gjermanë na u dha një mundësi nga ata ndaj të cilëve kemi luftuar, e fqinjët tanë janë bërë miq me të cilët ne e ndajmë aventurën e madhe evropiane. Kjo është arsyeja pse unë besoj thellësisht në këtë Evropë dhe jam krenar që jam pjesë e kësaj familjeje. Asnjë model politik nuk mund të pretendojë të jetë perfekt, por kjo është më e mira që mund ta ndajmë. E ky është modeli që ne do të donim ta ndanim me këtë pjesë të Evropës dhe me qytetarët e Kosovës, si një shtegdalje nga kufizimet e modeleve të shekullit XIX, për një të ardhme më të mirë për gjeneratën e re këtu dhe ata që janë të rinj në zemër. Mendoj se ju e meritoni dhe jeni të përkushtuar për t’u bërë pjesë e kësaj rruge të ndarjes së të mirave me të tjerët dhe bashkimit me të tjerët.

Shto Koment