
KOSOVË– Një rrëfim rrëqethës ka dhënë një grua, e cila gjatë luftës së fundit në Kosovë u dhunua barbarisht nga forcat serbe për tri ditë me radhë në pranverën e vitit 1999
Plagët trupore, por edhe shpirtërore, kjo grua ende i mban me vete. E rrethuar me paragjykime ajo sot, në Frontal, me Arsim Lanin, ka dhënë një intervistë ekskluzive ku ka treguar dhembjen që ajo e ndien tash e 20 vjet.
Por edhe në liri, ajo vuan. Ajo jeton në kushte të mjerueshme ekonomike.
Prandaj sot po e kërkon ndihmën e shtetit.
Do që ta ketë vetëm një punë. Që t’i shkollojë të tre fëmijët e saj që ajo sot e vetme i mban në shtëpi.
“Unë kam jetuar me 75 euro, vetë e 5-ta. Tash i marr 230 euro nga statusi i së dhunuarës, por jam në kredi, i marr para veç 30 euro. Për mu shërua nga këto plagë kam marrë kredit. I kam bërë unazat operacion, edhe zorrën e kam bërë operacion, e kam edhe një operacion tash. Shteti nuk më ka ndihmuar asnjëherë. Jam në gjendje me punu. Po qëndroj e mbyllur 24 orë, na refuzojnë shoqëria”, ka apeluar kjo grua.
Ajo thotë se duhet t’i shkollojë fëmijët e saj.
“Shteti duhet me na përkrah, me na i shkollu fëmijët. Po e paguajmë mjekimin vet. Ku është shteti këtu? E kemi njollat e zeza për tërë jetën, nuk kanë me na u hek asnjëherë. Jemi ndihmuar vetëm nga disa shoqata”, ka deklaruar ajo.
“Të gjitha institucioneve të shtetit iu kisha bërë apel me ma gjet një punë. Ndoshta edhe institucionet na paragjykojnë”, e përfundon rrëfimin rrëqethës gruaja e cila u dhunua nga forcat serbe në marsin e vitit 1999./Marrë nga Express