Editorial

Më mirë le të vjedhin këta të tjerët!

Ky virtyt i sotëm i shoqërisë sonë, i lindur nga korrupsioni dhe të gjitha derivatet e tij, ka ndër tiparet kryesore të tij paturpësinë dhe kjo paturpësi materializohet vazhdimisht. Objektet më të zakonshme në të cilat materializohet janë orët luksoze, veshjet firmato, syzet me çmime të çmendura, vilat ku banojnë e plotë e plotë të tjera.
Featured image of article: Më mirë le të vjedhin këta të tjerët!

Tek ne ekziston një e keqe që nuk ka fund. Ashtu si furrtaret, ata buburrecat e shpifur, që futen nëpër kuzhina pa u ndier e pastaj na pushtojnë shtëpinë, edhe kjo e keqe ka mbijetuar për dekada e varur tek mjalti i pushtetit politik: quhet kleptokraci (klepto, ‘vjedhje’; dhe cracia, ‘pushteti’) ose me fjalë më të thjeshta fusha e hajdutëve.

Ky virtyt i sotëm i shoqërisë sonë, i lindur nga korrupsioni dhe të gjitha derivatet e tij, ka ndër tiparet kryesore të tij paturpësinë dhe kjo paturpësi materializohet vazhdimisht. Objektet më të zakonshme në të cilat materializohet janë orët luksoze, veshjet firmato, syzet me çmime të çmendura, vilat ku banojnë e plotë e plotë të tjera.

Të gjitha këto, politikanët na i shfaqin çdo ditë nëpër ekranet televizive. Dhe ne pyesim veten: “A është normale dhe e përballueshme të blihen me një pagë shtetari të gjitha këto?”.

Nuk ka logjikë, dhe unë nuk kam besim tek asnjë zyrtar që m’i shfaq këto të mira duke filluar nga kyçi i dorës e deri tek qafa e këmbës.

E kam shumë të vështirë të kuptoj se çfarë i motivon kleptokratët të blejnë një orë të shtrenjtë, një kravatë apo një kostum qindra euro? Më duket sikur të gjithë duan të kopjojnë John F. Kenedy-n me orën e tij Rolex Day-Date, megjithëse dyshoj shumë që ndonjëri prej këtyrë politikanëve tanë të ketë një lidhje të fshehtë me ndonjë aktore të përmasave të Marilyn Monroe.

Absolutisht nuk mendoj as se janë as rasti i Dwight Eisenhower të cilit Rolex Industrie SA i dhuroi një orë prodhim të sajin.

Shtetarët tanë, ndryshojnë pamje dhe luk sapo vijnë në pushtet, madje madje që kur janë kandidatë për të ardhur në pushtet, si rasti i doktoreshës së famshme të Covid-it e cila, sapo ndjeu aromën e pushtetit, hoqi flokët e kuqe alla “Shtriga me flokët e kuqe” të Laura Farber, zbuti tatuazhin e vetullave që i jepnin fytyrës së saj pamjen alla Frankestein dhe hoqi konturin e supertheksuar të buzëve me lapës të zi, duke kaluar në një pamje krejt delikate dhe të denjë për pushtet.
Sot askush nuk na flet më se sa aparate frymëmarrje ka në të gjithë vendin për të trajtuar të infektuarit me Covid, ama pushtetarët përditë na shpërfaqin aftësinë e tyre për t’u veshur sa më shtrenjtë apo se si arrijnë të realizojnë kombinime “të pamundura” të fustanit me maskat si e delirosura nga pushteti, deputetja Antoneta Dhima.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Këto shfaqje të përditshme të “pasurisë”, janë një shembull se si në vendin tonë përjetësohet mjerimi në të cilin jetojnë mijëra shqipëtarë, me koston e ambicies së disave.
Në një vend kaq të varfër sa ky i yni, guximi i korrupsionit funksionon si një armë vrasjeje për më të prekshmit. Por pikërisht hajdutët më të mëdhenjë të parave tona publike, gjithmonë e drejtojnë gishtin tek paraardhësit që të arrijnë të dalin të larë nga çdo mëkat. Dhe të themi të drejtën, deri tani iu ka funksionuar.

Në fillim të këtij viti pikërisht në 28 janar 2021, kur Transparency International prezantoi indeksin vjetor të korrupsionit në botë Delia Ferreira Rubio, presidente e Transparency International theksoi: “Covid 19 nuk është vetëm një krizë shëndetësore dhe ekonomike: është një krizë korrupsioni. Dhe tani për tani ne nuk jemi duke e kapërcyer atë.”
Shembull më të mirë se sa Shqipëria nuk ka për këtë.

Asnjë rast korrupsioni i periudhës së pandemisë nuk është hetuar. Prokuroria jonë sigurisht që është në “distancim social” dhe e ka të pamundur të hetojë. Ajo e ka ngritur tek sytë maskën anti Covid, dhe nuk shikon se si kleptokratët tanë që shkëlqejnë luksin e tyre janë pikërisht ata që bëjnë marrëveshje nëpër restorante luksoze, që japin tendera e marrin përqindje nëpër tryeza të mbushura me kaviar e pije apo ndoshta dhe mish Nusreti.

Tashmë këta hajdutë të pacipë, janë të bindur se vetëm ata e kanë klasin dhe fuqinë për të qenë në ato karrige, se vetëm ata kanë aftësinë që të shijojnë luksin dhe se vetëm atyre nuk mund t’iu paragjykohet eksopozimi i shijeve të tmerrshme dhe e ambicies së tepruar.
E ne, qytetarët, gjithmonë kur vjen momenti i zgjedhjeve kemi një refren “Më mirë le të vjedhin këta të tjerët”.

Kjo premisë iluzive na ka ngelur për pushtetin e hajdutëve.

Për sa kohë që ne vazhdojmë të tolerojmë korrupsionin, duke votuar për të ndryshuar kleptokratin dhe jo kleptokracinë, nuk po bëjmë asgjë tjetër vetëm se po shtojmë numrin e atyre të cilët presin me padurim rradhën që të prekin sadopak pushtetin e vjedhjes, kundrejt çdo çmimi.

Etiketa:

Shto Koment