Dikur

Më fal bir! (Tregimi i së dielës)

-Më fal bir,të dhemb,të vrava? Oh ,sa më therr mua,në shpirt, në zemër! Vazhdoi derisa i vuri rresht e i shtrëngoi pas barkut të saj të futur, si një pellg i vogël shiu. Dheun e gërmuar e shtyu me këmbë dhe e sheshoi lëndinën.
Featured image of article: Më fal bir! (Tregimi i së dielës) Foto ilustruese

Gjelinës ia thanë ashpër:”Nesër,pa gdhirë mirē dil në xhade e me ndonjë Škodë të druve thyej zverkun në fshatin tënd. Të mbaroi internimi. E rri sus se të sjellim prapë!”
Gruaja e re nuk ndjeu gëzim. Hodhi sytë drejt kodrës me shkurre e me vete thosh:”Tek e dyta,pas rrapit. Tek e dyta pas rrapit…”

Ashtu e zu nata. Dhe kur hëna nxorri cepin nga një re e madhe,Gjelina u çapit drejt gëmushës së dytë. Ngadalë,ngadalë,me hapa zvarrë u avit dhe nisi të përkëdhelë barin.
-Nuk të le këtu vetëm,bir! Ti ike kur ishe tre vjeç. Ke nevojë për nënën. Këtu të rrëmbeu uria parvjet ,por në fshat të premtoj se do të të ushqej me fruta e me ujë bore. Do të të marr me vete. Bashkë do largohemi nga ferri.Ja,poshte shallit të mesit do të t’i mbështjell e do të t’i ngroh duart,këmbët,brinjët. Se tani je edhe më I vogël,je tretur nën dheun e zi. Mbushe katër vjet që u bëre engjëll”

Dhe filloi me bishtin e lugës së supës të gërmonte dheun e butë. Pas një kohe të gjatë pa ca gishta,pastaj dorën,i zbuloi krahun.

Eshtra të holla njësoj si karthijat e gëmushës. Provoi t’i shtrinte tek brezi me vija,por I delnin përjashta. E zuri frika se mund t’ia merrnin e me dhimbje në zemër,krau,krau,krau,i theu një nga një.

-Më fal bir,të dhemb,të vrava? Oh ,sa më therr mua,në shpirt ,në zemër!
Vazhdoi derisa i vuri rresht e i shterngoi pas barkut të saj të futur,si një pellg i vogël shiu. Dheun e gërmuar e shtyu me këmbë dhe e sheshoi lëndinën.

Dita filloi të zbardhë. Gjelina vuri shaminë në kokë e doli në xhade.
-Ja dhe pak bir e do të shkojmë në shtëpinë tonë,te lëndina jonë. Edhe pak…E atje do lodrojmë bashkë gjithë ditën. Natën nuk do jesh vetëm,do të rrish me hënën nën muzikën e kroit. Të kujtohet kroi me ujin lozonjar që kërcente nga shkëmbi lart si një ketër pylli? Atje do rehatohesh,tani fli bir,rruga është e gjatë,e gjatë…

(a.m/dosja.al)

Shto Koment