
TIRANË– Mbahen të shoqëruar në Prokurorinë e Tiranës 9 kontrollorë të aeroportit të Rinasit. Bëhet fjalë për: Rei Katroshi, Flora Ndreca, Sokol Kosta, Mohnir Mezini, Elton Shabani, Armando Fezga, dhe disa persona të tjerë. Mësohet se një pjesë e tyre janë marrë në telefon, ndërsa të tjerë kanë shkuar vullnetarisht në Polici.
Kontrollorët janë vendosur që të hetohen në gjendje të lirë pasi ndaj tyre nuk ka një urdhër-arresti. Të gjithë janë marrë në Prokurori pa avokatin, me pretendimin se nuk kanë cilësinë e të pandehurit, dhe janë pyetur për informacion lidhur me situatën e tyre.
Aeroporti i Rinasit ka pezulluar ditën e djeshme të gjitha fluturimet, ndërkohë që anulimi vijon dhe ditën e sotme. Shkak është bërë mosplotësimi i kërkesave të kontrollorëve. Ministrja Belinda Balluku ka hequr të gjitha përgjegjësitë nga shteti, ndërsa ka ngritur alarmin për “puç shteti”. Presidenti Ilir Meta ka kërkuar zgjidhje nga qeveria, ndërsa kryeministri Edi Rama i ka kërcënuar punonjësit e ‘Albcontrol’ me burg.
(k.m/dosja.al)