Aktualitet

ZYRTARE! Varianti britanik i COVID-19 ka hyrë në Shqipëri, s’ndryshojnë masat edhe për 2 javë! Zëvendësohen Najada Çomo e Tritan Kalo, Komiteti Teknik i Ekspertëve me 3 anëtarë të rinj

VIDEO
Mutacioni britanik i koronavirusit është konfirmuar në Shqipëri! Për shkak të qarkullimit të tij, masat anti-COVID do të vijojnë aktive edhe për një periudhë 2 javore, më pas Komiteti Teknik i Ekspertëve do të rimblidhet për të vendosur. Po ashtu u bë me dije se dozat e vaksinës së Astra Zenecas do të injektohen edhe tek grupmosha +65 vjeç.
Featured image of article: ZYRTARE! Varianti britanik i COVID-19 ka hyrë në Shqipëri, s’ndryshojnë masat edhe për 2 javë! Zëvendësohen Najada Çomo e Tritan Kalo, Komiteti Teknik i Ekspertëve me 3 anëtarë të rinj Ogerta Manastirliu

TIRANË– Tashmë është zyrtare! Mutacioni britanik i koronavirusit ka mbërritur edhe në Shqipëri. Lajmi është konfirmuar gjatë një konferencë për shtyp të Komitetit Teknik të Ekspertëve, duke u dhënë përgjigje edhe numrit të shtuar të infektimeve ditore dhe viktimave të pandemisë. Varianti i koronavirusit është spitakur në qarkullim, në më shumë se 70% të rasteve të infektuara.


Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se kitet ishin dërguar për ekzaminim në laboratorin e Ankarasë. Për shkak të konfirmimit të prezencës së mutacionit në Shqipëri, Komiteti njoftoi se edhe për të paktën 2 javë të tjera masat anti-COVID do të vijojnë të qendrojnë në fuqi. Pas dy jasvësh do të shqyrtohet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për lejimin e aktiviteteve elektorale në prag të fushatës zgjedhore.

MASAT QË DO VIJOJNË NË FUQI EDHE PËR 2 JAVË:

– Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania.
– Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery).
– Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme vijojnë me skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë.
– Universitetet vijojnë online
– Pezullim të fluturimeve me Britaninë e Madhe

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Gjithashtu, Komitetit Teknik të Ekspertëve, iu shtuan sot tre anëtarë të rinj, pas largimit të shefes së Infektivit Najada Çomos dhe Tritan Kalos. Në vendin e tyre, Manastirliu prezantoi mjekët Dhimitër Kraja, Alban Ylli dhe Ermira Kola. Ndërkohë që një përgjigje zyrtare nga Ministria është dhënë edhe lidhur me injektimin e vaksinës Astra Zeneca.

Bazuar në të dhënat e injektimeve në Mbretërinë e Bashkuar, dozat në Shqipëri do të përdoren edhe për grupmoshat +65 vjeç.

(k.m/dosja.al)

  • 11:53

    A do përdoret Astra Zeneca për personat mbi 65 vjeç? Silva Bino: Mbretëria e Bashkuar e ka përdorur, është efektive


    Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë, Silva Bino ka bërë me dije se vaksina e Astra Zenecas do të injektohet edhe tek grupmosha e personave +65 vjeç. Në një konferencë për shtyp, Bino tha se vendimi është marrë bazuar në eksperiencën e Britanisë së Madhe.

    PJESË NGA KONFERENCA: 

    Pyetje: Plani i përdorimit të Astra Zenecas?

    Silva Bino: Do të përdoret për të gjitha grupmoshat. Kjo që thatë është kthyer nga të gjitha vendet që morrën vendimin për të mos vaksinuar personat mbi 65 vjeç. Të dhënat e sotme të publikuara nga Mbretëria e Bashkuar që e ka përdorur tek të gjitha grupmoshat, tregojnë që është efektive dhe e sigurt.

  • 11:49

    Pse po vdesin të rinjtë nga COVID-19? Mjeku Kraja: Nuk është ndonjë çudi, vijnë edhe vonë në spital


    Anëtari më i ri i Komitetit Teknik të Ekspertëve, Dhimitër Kraja ka analizuar shkaqet e rritjes së vdekshmërisë të të rinjve në vendin tonë. Në një konferencë për shtyp me gazetarët, ai u shpreh se një prej arsyeve është edhe koha që kalojnë duke u vetë-mjekuar në banesë pa asistencën e mjekëve. 

    PJESË NGA KONFERENCA:

    Pyetje: Pse po ndodh vdekja e të rinjve?

    Kraja: Pyetja është e fortë në fakt. Shkaqet janë të ndryshme, është shtuar numri i infeksioneve dhe do të kemi forma të shtuara. Është një gjë që ndodh, nuk është habi e madhe. Faktori i dytë është që mundet, e teprojnë disa persona me trajtimet në shtëpi. Njerëzit shpesh herë e teprojnë dhe duke ardhur vonë kalon edhe koha kur spitali mund të ndërhyjë me protokolle për t’i shpëtuar. Ka edhe faktorë të tjerë, psh. genetik. Gjermania deri para vjeshtës dhe dimrit kishte vdekshmëri të ulët. Vjeshta dhe dimri ka shtuar numrin e vdekjeve mbi 71 mijë.

  • 11:45

    Sa vaksina do marrim para sezonit turistik? Manastirliu: Kemi kontraktuar doza për 800 mijë qytetarë


    Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë edhe njëherë me dije se deri më tani Shqipëria ka kontraktuar doza të mjaftueshme për 800 mijë qytetarë. Gjatë një konferencë për shtyp me Komitetin Teknik të Ekspertëve, ministrja u shpreh besimplotë se para sezonit të verës do të nisë edhe vaksinimi masiv. 

    PJESË NGA KONFERENCA:

    Pyetje: Sa vaksina do marrim para sezonit turistik?

    Manastirliu: Kemi tre skenarë, ku më ambiciozi është ai brenda 14 muajve. Jemi besimplotë që këtë ambicie do ta realizojmë. Kemi doza për 800 mijë qytetarë doza të kontraktuara. Jemi në negocioata për të patur kontrata të tjera që të kemi një mbulim të të gjithë popullatës. Nuk duhet të harrojmë përpjekjet që kemi bërë. Brenda pranverës, jemi besimplotë që do të intensifikojmë vaksinimin në mënyrë që objektimi që kemi, në verë të kemi vaksinim të popullatës të jetë realitet. Vaksinimi do të intensifikohet.

  • 11:39

    VENDIMI! S’ka lirime me mutacionin britanik në qarkullim, Komiteti Teknik lë në fuqi masat anti-COVID edhe për 2 javë


    Zëvëndësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka lajmëruar se edhe për 2 javë masat anti-COVID nuk do të ndryshojnë. Rakacolli ka njoftuar se pas dy javësh, Komiteti Teknik i Ekspertëve do të shqyrtojë vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese lidhur me zhvillimin e aktiviteteve zgjedhore në kohë pandemie. (Shiko këtu)

    Në mbledhjen e sotme në lidhje me vlerësimin e situatës, u vlerësuan me hollësi indikatorët. Nga analiza e hollësishme. Situata është e qëndrueshme, por kemi vërtetuar dyshimin se kemi variantin britanik që ka më shumë infektueshmëri. Mendojmë që masat kanë dhënë efikasitet, do t’i mbajmë edhe për një periudhë dy-javore po me këtë status. Mësimi do të vijojë online, për shkak të të numrave të rinjve. Fluturimet me Britaninë do të mbeten të pezulluara edhe për një periudhë 2-javore. Vendimi i GJK për grumbullimet? Komiteti e quan të arsyeshme, do ta vlerësojmë pas dy javësh,”-tha ajo.

  • 11:34

    Si u infektuan nga mutacioni britanik? Silva Bino jep DETAJE: Ka pasur edhe të riinfektuar


    Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë, Silva Bino ka dhënë detaje lidhur me rastet e identifikuara pozitive nga mutacioni britanik i koronavirusit. Bino tha se rastet janë pikasur tek persona që kanë udhëtuar jashtë vendit, ndërsa nuk kanë munguar as riinfektimet.

    Në Shqipëri janë identifikuar mutacione të COVID. Ishin persona që kanë pasur kontakt me persona ku është efidentuar mutacioni, apo kanë udhëtuar jashtë shtetit. Apo janë riinfektuar dhe kanë qenë të konfirmuar herën e parë dhe të dytë,”-tha Bino.

  • 11:32

    ‘S’është momenti për t’u gëzuar’/ Albana Fico bën REZYMENË: Masat kanë dhënë rezultat, por duhet të vijojnë


    Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico ka bërë përmbledhjen e të dhënave të pandemisë së koronavirusit në Shqipëri. Në fjalën e saj gjatë një konference për shtyp, Fico u shpreh se ka pasur rastet dhe fatalitetet janë ulur, megjithatë nuk është koha për t’u gëzuar. 

    “Ka ndryshime në icidencë. Ka pësuar rënie. Mesatarja e rasteve ditore ka rënë. Rastet aktive kanë pësuar ulje të lehtë. Duhet të monitorohet. Femrat që preken më shumë se meshkujt, ndërsa këta të fundit kanë fatalitetin më të madh. Ka një tendencë. S’është momenti për t’u gëzuar. Masat duhet që të vijojnë. Kanë sjellë ndryshime që mund të përmirësjnë situatën. Nga ana tjetër apelojmë tek qytetarët të respektojnë rregullat,”-tha Albana Fico.

  • 11:27

    TASHMË është ZYRTARE! Mutacioni britanik i COVID-19 qarkullon në Shqipëri


    Tashmë është zyrtare, mutacioni britanik i koronavirusit ka mbërritur në Shqipëri. Lajmin e ka konfirmuar ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë një konference për shtyp me Komitetin e Ekspertëve.

    “Në vlerësimin e situatës janar-shkurt janë analizuar kampione, laboratori ka përdorur kite specifike dhe në këtë rast ISHP ka bashkëpunuar me Ankaranë. Rezultet treguan se kampionet ishin infektuar me mutacionin britanik. Varianti është në qarkullim në më shumë se 70%. Dyshimet e arsyeshme që ekspertët patën që në momentin që filloi rritja e infektimeve, tashmë është e konfirmuar. Shqipëria ka në qarkullim edhe këtë mutacion,”- tha Manastirliu.

  • 11:24

    Fushata e vaksinimit! Ministrja Manastirliu jep PLANIN: Nesër presim 38 400 vaksina të Astra Zenecas


    Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastiliu theksoi se gjatë muajit prill në vendin tonë do të mbërrijnë 68 mijë doza të Astra Zenecës. Në fjalën e saj gjatë konferencës për shtyp, ministrja shtoi se në vend thuajse ka përfunduar vaksinimi i bluzave të bardha. 

    “Nesër presim 38 400 vaksina të Astra Zenecas nëpërmjet programit të COVAX. Kemi parapaguar 4 mln dollarë, nesër vijnë dozat e para. Do të fillojë vaksinimi i mësuesëve dhe pedagogëve. Po ashtu do të vijojmë me grupmoshën +80 vjeç. Prej të hënës do të vijnë dozat nga kontrata e Pfizer. Kemi 21 619 doza vaksinash të kryera. Pothuajse kemi mbyllur vaksinimin e personelit shëndetësor. Dhe më shumë se 4 mijë vaksinime për të moshuarit,”-u shpreh ajo. 

  • 11:19

    Prurje të reja! Këta janë EMRAT që i bashkohen Komitetit të Ekspertëve, ministrja i prezanton

    Sot Komitetit Teknik të Ekspertëve iu shtuan 3 anëtarë të rinj. Vendin e Tritan Kalos dhe Najada Çomos, e ka zënë Dhimitër Kraja, Alban Ylli dhe Ermira Kola.


    Më lejoni që menjëherë t’ju prezantoj anëtarët e rinj të Komitetit të Ekspertëve të ftuar si kontributorë, duke filluar nga Dhimitër Kraja. Faleminderit për pranimin e ftesës. Kraja ka shërbyer si shef i Infektivit në QSUT deri pak vite më parë, pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Ka nisur punë në vitin 1975. Dua të falenderoj profesoreshë Ermira Kolën për pranimin e ftesës. Ka përfunduar studimet në vitin 1985. Profesor Alban Ylli do të jetë anëtar i përhershëm,“-tha Manastirliu.

Shto Koment