Politike

Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës, kërkohen ekspertë të huaj për ndjekjen e procesit

Komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta miratoi sot me konsensus me 9 vota pro planin paraprak të veprimit dhe rregulloren. Ky Komision vendosi që të miratonte në planin e punës, që nëse do të jetë e nevojshme, të thirren edhe ekspertë të huaj për të ndjekur procesin.
Featured image of article: Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës, kërkohen ekspertë të huaj për ndjekjen e procesit Komisioni hetimor

TIRANË– Është mbledhur Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, i cili do të nisë hetimet për presidentin.

Komisioni do kontrollojë ligjshmërinë e akteve të ndërmarra nga Meta. Më herët në mbledhje nënkryetari i komisionit demokrati Alban Zeneli kërkoi ekspertë të huaj. Edhe kjo kërkesë u miratua me konsensus.

Të merret ekspertizë vendase dhe ndërkombëtare për hetimin”, u shpreh Zeneli.

Mbledhja e sotme u drejtua nga Ulsi Manja.

Ndërkohë janë zbardhur hapat që do të ndjekë Komisioni Hetimor, deri në paraqitjen e raportit përfundimtar në Kuvend, për të vijuar më pas me vendimin final në lidhje me shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Hapat proceduriale që do të ndiqen gjatë zhvillimit të hetimit janë:

1. Përgatitja dhe miratimi i Planit Paraprak të Hetimit.
2. Miratimi i Rregullores së Brendshme të Komisionit.
3. Njoftimi i Presidentit të Republikës në lidhje me të drejtën për t’u shprehur në Komision.
4. Marrja e të dhënave zyrtare dhe jozyrtare që njihen publikisht, nga institucionet, lidhur me objektin e hetimit.
5. Përgatitja dhe miratimi i Planit Përfundimtar të Hetimit.
6. Seanca dëgjimore me Presidentin e Republikës.
7. Verifikimi, shqyrtimi dhe analiza ligjore e provave, e rrethanave, e fakteve dhe i seancës dëgjimore, të dala nga hetimi i kryer.
8. Përgatitja dhe miratimi i raportit përfundimtar.
9. Paraqitja në Kuvend e raportit përfundimtar.

 

Plani paraprak i hetimit (kliko këtu për të parë dokumentin e plotë)

 

Si nisi shkarkimi i Metës:

Gjatë muajve të fundit ka pasur një përplasje e cila vijon ende mes Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama. Pasi opozita nuk njohu zgjedhjet e 30 qershorit dhe vijonin protestat, Meta nxori një datë të re për zgjedhjet, 13 tetorin. Për dekretin e parë të anulimit të datës së zgjedhjeve, Presidentit nuk iu bind KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor e rrëzoi.  Vendi u fut në zgjedhje.  Nga ana tjetër Rama shfaqet i vendosur se zgjedhjet e vetme ishin më 30 qershor.  Njëkohësisht nga ana e socialistëve ka nisur edhe procedura për shkarkimin e Metës. Disa ditë më parë u ngrit edhe Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit. Rama e quan Metën armik të Kushtetutës.

(f.m, a.m/dosja.al)

  • 14:36

    Miratohet plani hetimor për shkarkimin e Metës, procesi do monitorohet nga ekspertë të huaj

    Komisioni hetimor

    Është miratuar ditën e sotme plani paraprak i hetimit për presidentin Ilir Meta. Ky komision pritet të kontrollojë ligjshmërinë e akteve të Metës.

    Disa prej anëtarëve të komisionit kanë kërkuar edhe ekspertë ndërkombëtarë në këtë proces, ndërsa plani paraprak i hetimit është miratuar nga komisioni.

    Deputeti Adriatik Alimadhi tha se dekretin e Presidentit e mori në shqyrtim dhe vendosi KQZ.  

    T’i vendosim gjërat saktësisht. Dekretin e Presidentit e mori në shqyrtim dhe vendosi KQZ. Përderisa ne i japim të drejtë Presidentit, mendoj se KQZ duhet të jetë pjesë e thirrjes. Kuptoni një gjë, akti i Presidentit dhe vendimi i KQZ do jetë debati më i forte”, u shpreh Alimadhi.

    Ndërsa Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja theksoi se ky komision ka një afat tre-mujor për të përmbyllur punën në funksion të hetimit të përcaktuar nga Parlamenti.

    Në fakt, ky komision ka një afat tre-mujor për të përmbyllur punën në funksion të hetimit të përcaktuar nga Parlamenti. Nëse nuk do ta përmbyllim punën, do kërkojmë zgjatje të afatit.

    Ne shpresojmë që Gjykata Kushtetuese do të ngrihet shumë shpejt. Ne si komision kemi një afat që na e ka përcaktuar Kuvendi, kështu që sugjerimi juaj është me vlerë, por jemi të detyruar të respektojmë afatin. Baza e këtij komisioni është Kushtetuta”, tha Manja.

     

Shto Koment