Sociale

Mbetjet urbane në Bizë, banorët ngrenë alarmin: Po na helmojnë ujërat dhe bimët

Dekantimi i këtyre mbetjeve, sipas banorëve, ka krijuar ndotje në ujërat nën dhe mbi tokësore të zonës, duke ua dëmtuar kulturat bujqësore me te cilat ushqehen vetë, por edhe bagëtitë.
Featured image of article: Mbetjet urbane në Bizë, banorët ngrenë alarmin: Po na helmojnë ujërat dhe bimët Mbetje urbane

DURRËS- Rreth 1300 banorë të fshatit Bizë, pjesë e Njësisë Administrative Ishëm, prej më shumë se 6 vitesh bashkëjetojnë me ndotjen masive që i është bërë zonës së tyre.

Një vend-depozitim i mbetjeve urbane të gjithë zonës është krijuar në kodrat e fshatit, duke u kthyer në kërcënim serioz për shëndetin e tyre. Pavarësisht ankesave të herë pas hershme nga ana e tyre, mbetjet urbane, vijojnë të hidhen nga mjetet e pastrimit të Njësisë Vendore Ishëm.


Dekantimi i këtyre mbetjeve, sipas banorëve, ka krijuar ndotje në ujërat nën dhe mbi tokësore të zonës, duke ua dëmtuar kulturat bujqësore me te cilat ushqehen vetë, por edhe bagëtitë.

Banorët shprehen të irrituar për mikrofonin e A2 CNN, ndërsa paralajmërojnë përshkallëzim të rezistencës së tyre, deri në bllokim të aksit kryesor të Gjirit të Lalëzit.

Ata akuzojnë ish-kryekomunarin, Sulejman Ibrahimi, për këtë katastrofë mjedisore që i ka bërë zonës së Ishmit, ndërsa i bëjnë thirrje pushteti vendor dhe Ministrisë së Mjedisit, që të marrin masa për te mos lejuar agravimin e mëtejshëm të situatës mjedisore.

(Marrë nga A2 CNN)

Shto Koment