Politike

Mbaroi paqja me maxhorancën/ Presidenti Meta ‘tregon dhëmbët’ për çështjen e Teatrit Kombëtar: Nëse nuk ka reflektim, padi tjetër në Gjykatën Kushtetuese

  • Trualli i Teatrit Kombëtar i kaloi Bashkisë Tiranë, Meta: Mos merrni asnjë vendim
  • Meta ka theksuar edhe njëherë se çdo veprimpër të cenuar godinat e Teatrit Kombëtar është jashtë çdo logjike të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe do të dhunonte në mënyrë kriminale rendin kushtetues.
    Featured image of article: Mbaroi paqja me maxhorancën/ Presidenti Meta ‘tregon dhëmbët’ për çështjen e Teatrit Kombëtar: Nëse nuk ka reflektim, padi tjetër në Gjykatën Kushtetuese Ilir Meta

    TIRANË– Kaq e pat’ edhe paqja mes maxhorancës dhe Presidencës! Kreu i shtetit Ilir Meta ka paralajmëruar qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës se nëse ndërmarrin ndonjë vendim lidhur me godinën e Teatrit Kombëtar do të përballen në Gjykatë Kushtetuese.

    Meta ka theksuar edhe njëherë se çdo veprimpër të cenuar godinat e Teatrit Kombëtar është jashtë çdo logjike të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe do të dhunonte në mënyrë kriminale rendin kushtetues.

    Çdo veprim i mëtejshëm dhe mungesa e reflektimit mbi këtë çështje e detyron Presidentin e Republikës që në ditët në vijim të paraqesë një kërkesë të re pranë Gjykatës Kushtetuese, për shpalljen antikushtetues jo vetëm të ligjit special nr. 37/2018, por tanimë edhe të Vendimit nr. 377, datë 8 maj 2020 të Këshillit të Ministrave, apo të çdo akti tjetër të lidhur me të,“-paralajmëron Meta. 

    DEKLARATA E PLOTË:

    Presidenti Ilir Meta shkruan: Pasi u njoha me përmbajtjen e vendimit të Këshillit të Ministrave nr.377, datë 8 maj 2020, botuar me urgjencë në Fletoren Zyrtare nr.83, datë 8 maj 2020, përcjell me forcë këtë mesazh drejtuar autoriteteve shqiptare. Çdo veprim apo vendim për të cenuar godinat e Teatrit Kombëtar është jashtë çdo llogjike të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri dhe do të dhunonte në mënyrë kriminale rendin kushtetues, në kundërshtim të plotë edhe me interesin publik dhe kombëtar. Këshilli i Ministrave dhe Bashkia e Tiranës, duhet të mos ndërmarrin asnjë veprim të mëtejshëm që cenojnë kompleksin e godinave të Teatrit Kombëtar. Vijimi i kësaj veprimtarie shtetërore për prishjen e godinave të Teatrit Kombëtar në këtë moment, do të dëmtonte rëndë imazhin dhe kredencialet e vendit tonë në arenën ndërkombëtare dhe familjen europiane, sidomos në kushtet kur objekti i Teatrit Kombëtar në datën 24 mars 2020 është listuar në objektet e trashëgimisë europiane, duke shënuar kështu udhëtimin europian të kësaj qendre të kulturës shqiptare dhe identitetit tonë kombëtar. Organizata Europa Nostra e mbështetur nga Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian e ka vlerësuar këtë godinë, duke kërkuar ndërprerjen e çdo veprimi mbi të nga institucionet shqiptare. Ti kundërvihesh një mbështetje të Bashkimit Europian në Ditën e Europës, është sinjali më i keq i bashkëpunimit dhe mbështetjes së vlerave për të cilat kemi 30 vjet që përpiqemi të përqafojmë. Çdo veprim i mëtejshëm dhe mungesa e reflektimit mbi këtë çështje e detyron Presidentin e Republikës që në ditët në vijim të paraqesë një kërkesë të re pranë Gjykatës Kushtetuese, për shpalljen antikushtetues jo vetëm të ligjit special nr. 37/2018, por tanimë edhe të Vendimit nr. 377, datë 8 maj 2020 të Këshillit të Ministrave, apo të çdo akti tjetër të lidhur me të. Mbetem shpresëplotë në një reflektim që na bashkon në këto kohë të vështira që po kalon vendi.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Pak më herët presidenti sërish me një deklaratë zyrtare ka rikujtuar se në muajin korrik 2019, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë e cila do të duhet ta shqyrtojë në themel këtë çështje dhe se ende pret një vendim nga instanca më e lartë gjyqësore në vend, e cila aktualisht është jashtë funksionit për shkak të Vettingut. 

    Këshilli i Ministrave në mbledhjen e zhvilluar dje ka marrë sot vendimin që truallin e Teatrit Kombëtar ta kalojë në pronë të Bashkisë Tiranë. Në vendimin që është publikuar në Fletoren Zyrtare, bëhet me dije se i jepet mundësi bashkisë që të ndërtojë godinën e re me standarde e kushte bashkohore. Nuk kanë munguar as reagimet. 

    Mesa duket ka mjaftuar rikthimi i çështjes për Teatrin që të prishej paqja e vendosur mes dy institucioneve; Presidencë dhe maxhorancë. Gjatë pandemisë së koronavirusit dy palët kanë lënë pas debatet politike duke mos i kursyer as fjalët e mira ndaj njëri-tjetrit.

    (k.m/dosja.al)

    Shto Koment