LIVE UPDATES
Art&Argëtim

“Maskarenjtë, ia prishën gjakun”, Isuf Kalo tregon si reagoi motra e Enverit pas debateve me Mehmetin

18 Gusht 2019, 11:39 Nga DOSJA
“Maskarenjtë, ia prishën gjakun”, Isuf Kalo tregon si

KRUSHQIA QË NDRYSHOI HISTORINË?

Në të tilla rrethana nuk kishte arsye pse Nexhmija t’i kundërvihej lidhjes së djalit të madh, Ilirit, me vashën që kish zgjedhur. Përse mund të duhej ndërhyrja e politikës për t’i lidhur këta dy të rinj të dashuruar spontanisht, të cilët, nga të gjitha parametrat fizike, kulturore dhe shpirtërore, dukeshin sikur ishin lindur posaçërisht për njëri-tjetrin? Nga ana tjetër, nuk do të ishte çudi nëse një tjetër arsye pse Nexhmija e miratoi me dëshirë lidhjen që patën krijuar vetë Iliri me Teutën, do të ketë qenë edhe fakti se ajo ishte mbesa e Ramizit. Ajo me të njihej prej shumë kohësh si person dhe si familje. Si e priti atë krushqi Enveri? A i lindi atij, në rrethanat e reja që u krijuan nga kjo fejesë, ndonjë projektide e re mbi mundësinë e promovimit të Ramizit si kandidat më i përshtatshëm sesa Mehmeti, për pasardhës të tij? Askush nuk ka folur, as shkruar, për një projektim të tillë, i cili, nëse ka ekzistuar vërtet, ka qenë natyrisht e kyçur në mendje, si tepër sekret ose e shkruar në ditarët intimë, personalë të pabotuar të tij.

Enveri mund të ketë qenë i ndërgjegjshëm për kufizimet e atëhershme të Nexhmijes për lidership. Asaj nuk i mungonin potencialet intelektuale, as njohuritë dhe besnikëria ideologjike, as qartësia në vlerësimet e situatave, por jeta e saj pati rrjedhur e tillë, që ajo ishte rritur e lartësuar ndër vite me Enverin pranë, pa e ndier nevojën e krijimit të trungut të saj. Nëse Enveri ka pasur realisht një projektide të tillë, ajo duhet t’i ketë lindur nga ndërgjegjësimi se Nexhmija, pavarësisht inteligjencës, “vështirë se do të mund të qëndronte solide për shumë kohë në udhëheqje pa një trung mbështetës”.

Ajo kishte qenë “hardhi” me kërcell delikat, e ngjitur në majat e larta, e mbështetur dhe pleksur me trungun dhe degët e të shoqit. Kur ky do t’i mungonte, ajo rrezikohej ta rrëzonin prej brishtësisë, mosmbështetjes dhe ngurrimeve për vendimmarrje. Në rrethanat e reja të krushqisë, Ramizi dukej si zgjidhja më e sigurt për të ardhmen. Në “duet”, Ramiz–Nexhmije do të mund të mbështesnin dhe të plotësonin njëri-tjetrin. Mirëpo, më pas, nuk rezultoi ashtu. E mbetur pa Enverin, pastaj edhe pa Ramizin, Nexhmija e krijoi trungun e saj autentik, të cilin e dëshmoi në vitet e ndërrimit të sistemit, në ballafaqimin me kritikat dhe akuzat e pushtetit të ri. Sidoqoftë, askush nuk e di nëse i lindi vërtet dhe as kur mund t’i jetë kristalizuar Enverit ideja e zëvendësimit të pasardhësit të shpallur Mehmet Shehu me Ramiz Alinë, i cili ishte asokohe numri gjashtë në hierarkinë e nomenklaturës së lartë.

A e pati këtë ide që në fillim të viteve 1970, fill pasi bëri krushqinë me Ramizin dhe filloi kryqëzatën kundër pushtetit administrativ, duke i eliminuar si tradhtarë dhe sabotatorë një nga një ministrat e Kryeministrit Mehmet Shehu apo shumë më vonë, në vitin 1981, vetëm pasi Mehmet Shehu, i shpallur deri atëherë si pasardhësi i padiskutueshëm, bëri gabimin fatal të fejesës së djalit të tij me një vajzë me biografi politike jo të përshtatshme? A kishte lindur kjo ide në mendjen e Enverit më parë se Mehmeti të gabonte, apo ajo iu injektua me takt më pas edhe nga Nexhmija, pasi Mehmeti gaboi, me shpresë se ajo do të ishte më e sigurt dhe më rehat me një pasardhës si Ramizi?

Në vlerësimin tim, më i mundshëm është varianti i dytë. Vendimi përfundimtar i ndërrimit të pasardhësit, Enverit i lindi më vonë, në vitin 1981, shtatë vite pas lidhjes së krushqisë me Ramizin, bashkë me pikëpyetjen dhe dyshimin e parë për mosbesnikërinë e Mehmetit. Aq më tepër, kjo iu theksua pas katër takimeve paraprake zhgënjyese, kokë më kokë me Mehmetin, për këtë çështje në dy javët e para të shtatorit 1981.

Në të vërtetë kishin ndodhur paraprakisht veprime të papritura dhe jo lehtë të kuptueshme e të justifikueshme nga ana e Mehmetit. Atij iu bë e njohur nga i biri dëshira për t’u fejuar me Silva Turdiun që në muajin korrik 1981. Skënderi ka pohuar se nuk ia kishte fshehur që në fillim të atit edhe “njollat e zeza” në biografinë politike të familjes së saj. Mehmeti i pat thënë se mjaftonte të përqendroheshin vetëm te rrethi i ngushtë i familjes së saj, i cili ishte pa probleme. Por Fiqiretja e ndjeu instinktivisht rrezikun që mund të sillnin ato “njolla” biografike dhe i sugjeroi të shoqit që, përpara se t’i jepte pëlqimin të birit, të fliste me Enverin. Nuk dihet pse në vend të Enverit, Mehmeti zgjodhi të fliste me Feçor Shehun, ministër i Brendshëm dhe një nga zyrtarët më të afërt e më të besuar të tij.

Ai ia tregoi vetë Enverit bisedën që pat bërë për atë fejesë, me ministrin vartës të tij: “Si do të veproje ti po të ishe në këto rrethana, në vendin tim?”, i pat bërë Kryeministri pyetjen njëmilionëshe, në konfidencë, Feçorit.

“Në një rast të tillë, unë do të vija t’ju pyesja ju”, ishte përgjigjja ezopiane e ministrit dhe, më pas, ai pat shtuar me të njëjtën gjuhë me dy kuptime: “Sidoqoftë, Skënderi duhet ndihmuar”, (pa e saktësuar për çfarë duhej ndihmuar, për t’u fejuar e bashkuar, apo për t’u ndarë dhe shkëputur prej saj?

Në një intervistë, Skënderi ka përmendur se Mehmeti kishte biseduar edhe me Ramiz Alinë dhe se ky i kishte folur vetëm pozitivisht për familjen Turdiu. Një e dhënë e tillë nuk është përmendur as dokumentuar ndonjëherë më pas, as nga Mehmeti, as nga Enveri, në asnjë material që lidhet me këtë ngjarje. Të jetë fshirë më pas qëllimisht?

Pa dyshim që Enveri u zhgënjye kur kuptoi se Mehmeti, që ai e njihte prej dekadash si militant i paepur, burrë i madh shteti dhe pasardhës i konfirmuar i tij, qenkej shndërruar nga sentimentalizmi në një “baba dhe njeri të vockël sentimental”. Në të katër takimet që pati me Enverin, gjatë dy javëve të para të shtatorit 1981, Mehmeti ngulte këmbë me sinqeritet në pafajësinë e djalit. Ai e mori përsipër vetë të gjithë gabimin e fejesës e, bashkë me të, edhe shkeljen e vullnetshme nga ana e tij të një norme ideologjike, thuajse të shenjtë të asaj kohe, atë të luftës së klasave. Mirëpo, kjo ishte pikërisht e kundërta e asaj që Enveri dëshironte dhe priste. Prej tij, Enveri i la të kuptohej Mehmetit, që “faji së paku fillimisht, duhej t’i lihej i gjithi Skënderit. Pra, të deklaronte sikur ai pati vepruar me kokën e vet, pa dijeninë e të atit. Sepse fajësimi personalisht i Mehmetit krijonte në popull dhe në parti zhgënjim dhe dëm të madh. Krijonte te komunistët dhe te të gjithë njerëzit tanë habi dhe dyshim për sinqeritetin e partisë lidhur me luftën klasore”. Me fjalë të tjera, dëmtoheshin rëndë imazhi dhe drejtësia e Partisë. Në kuptimin e opinionit “tjetër na thonë dhe tjetër bëjnë vetë”, sqaroi Enveri.

Skandali në këtë ngjarje, sipas Enverit, nuk ishte aq “fejesa e gabuar” sesa miratimi i saj nga Mehmeti, madje i bërë fshehurazi Enverit, si dhe evidentimi kështu, për herë të parë haptas në publik, i përçarjes mes të dyve. Kjo duhej të zbutej e të maskohej. “Feçorin, kur e pyete, të tha se po ta kishte ai atë hall përpara se të vendoste, do të vinte të të pyeste ty. Po ti, Mehmet, nuk pate nevojë që të pyesje dikë nga shokët?”. E thënë ndryshe “nuk e quajte me vend që të vije të më pyesje edhe mua, shefin tënd”?

Mospyetja, mosinformimi paraprak dhe miratimi i fejesës nga Mehmeti, fshehtas Enverit morën te ky një domethënie të qëllimshme, edhe për faktin se më 26 korrik 1981, Mehmeti pat vajtur për vizitë tek Enveri në Pogradec, ndërkohë që ky pushonte atje dhe drekuan të dy si shokë e miq të ngushtë në Volorek.

Çuditërisht, gjithë ato orë atje së bashku, Mehmeti nuk ia zuri në gojë as si lajm të mirë, as si problem shqetësues fejesën e të birit! Madje, as pas datës 29 gusht, kur Enveri u kthye nga Pogradeci në Tiranë!

Nga Pogradeci në Tiranë! Hedhja e fajit vetëm te djali, “sikur ai kishte vepruar pa dijeninë e Mehmetit”, mund të ishte fillimisht taktikë. Ngjarja do të interpretohej si gabim banal i një të riu të papjekur. “S’ka dyshim që edhe ti Mehmet dhe Fiqiret keni gabuar rëndë, por faj ka edhe djali, Skënderi, i cili ka bërë edhe skandale të tjera”, u tha atyre Enveri. Dhe vazhdoi haptas: “Nuk do i themi popullit dhe partisë që fajin e ka Mehmeti, sepse dëmtohet partia. Ky gabim u bë, por duhet të zgjidhet pa dhembje për Partinë”.

Enveri synoi ta “shfajësonte” përkohësisht Mehmetin, për të “mos fajësuar Partinë”. Ai e vuri atë para zgjedhjes: “partinë ose të birin”. Mbase ishte taktikë e përkohshme por, sidoqoftë, i la Mehmetit të kuptonte se duhej të distancohej nga ajo që kishte ngjarë. Mehmetit i kërkohej të aktronte, të bënte “të paditurin” dhe hipokritin, ta dënonte të birin, të propozonte ai vetë përjashtimin e tij nga partia për “gabimin politik” që kishte kryer (meqenëse Skënderi ishte anëtar partie me teserë), ta ndëshkonte, deri duke e mohuar si birin e vet. Apo ta transferonte në ndonjë minierë, diku larg. Kjo, së paku për disa kohë sa të harrohej ngjarja. Kështu do të mund të shpëtohej, së paku aty për aty pastërtia e figurës së Mehmetit si udhëheqës kryesor dhe njëkohësisht pastërtia dhe interesat e Partisë. Nuk dihet nëse Mehmeti nuk e kuptoi, apo qëllimisht nuk iu bind Enverit. Ai, përkundrazi, i tha se donte ta dërgonte djalin në Suedi që të përfundonte aty studimet e filluara prej disa vjetësh. Enveri nuk e priste këtë. Ai priste që Mehmeti ta ndëshkonte të birin që po “njolloste imazhin e të atit dhe po devijonte linjën e Partisë”, kurse Mehmeti çuditërisht i fliste për Stokholmin apo i qahej se mos i biri “pas prishjes së fejesës vriste veten” nga dëshpërimi.

“Zotat, shkruan Cvajgu, nuk i paralajmërojnë ata që ua kanë paracaktuar fatin e keq. I lënë që të vazhdojnë rrugën e tyre pa u krijuar parandjenjë frike për fatin e keq, drejt të cilit shkojnë”. Kurse Mehmeti u paralajmërua, por ai, me këmbëngulje, nuk e dha djalin. “Jo, djali nuk ka faj. Ai më pyeti”, insistoi Mehmeti me sinqeritet dhe burrëri. “Gabimin e bëra unë”, përsëriti ai shumë herë të vërtetën. Në mbrojtje të të birit, Mehmeti qëndroi i paepur. Si për dreq, situatën e tensionuar gjatë asaj bisede e rëndoi, pa dashur, edhe Fiqiretja, e pranishme në atë bisedë, e cila u zhvillua në shtëpinë e Enverit.

“Shoku Enver, Skënderi është parimor”, i tha ajo, me shpresë se do t’ia zbuste zemërimin e tij ndaj të birit. Por këto fjalë e irrituan edhe më keq Enverin. “Për çfarë parimori po na flet ti, moj shoqe”, shpërtheu i inatosur dhe me ironi ai ndaj saj. Qëndrimi i Mehmetit e befasoi dhe e tronditi Enverin. Ishte ndër rastet shumë të rralla që, pasi u nda me ta dhe u kthye në dhomën e ndenjjes së familjarëve të tij, Enveri shfaqi hapur zhgënjimin dhe zemërimin e papërmbajtshëm. Atë natë, Sano, motra e pamartuar e tij, që jetonte e banonte me të, e cila zakonisht nuk përzihej në çështjet shtetërore të vëllait, zbriti në sallonin poshtë të kuzhinës dhe të personelit me fytyrë të vrerosur dhe kërkoi, si rrallë ndonjëherë, të ndizte një cigare.

“Maskarenjtë. Ia prishën gjakun”, na tha ajo si duke folur me vete, neve që u ndodhëm aty, dhe vazhdoi e dëshpëruar: “Po ç’të thuash, kur ta punojnë pas krahëve edhe shokët më të ngushtë” (Uaaa! Mehmeti qenkej “maskarai”?) Unë nuk po u besoja veshëve. U habita, por as e imagjinova atë çast gravitetin dhe pasojat e asaj që dëgjova. Prishja e Enverit me Mehmetin ishte e paimagjinueshme. Mund të ndodhte vetëm në ndonjë ëndërr të keqe. Kur mendova kështu, çuditërisht u kujtova se as Enveri dhe as Nexhmija nuk më patën folur asnjëherë për ëndrrat që shihnin. Madje, nuk dija nëse ata shihnin ëndrra apo jo. Dikur, mjekët e mbretërve interesoheshin për ëndrrat e pacientëve dhe nxirrnin parashikime dhe mesazhe nga ato. Unë as që pata guxuar t’i pyesja. Sidomos pas botimit të “Pallatit të ëndrrave” të Kadaresë, ëndrrat e personave të tillë, sado me interes nga ana mjekësore, ishin me “spec” t’i trazoja dhe të hyja në botën e tyre pa qenë i ftuar.

Atë natë, Enveri bëri gjumë të trazuar. Nëse ka parë ëndërr, ajo do të ketë qenë me Mehmetin. (Ky, duke iu afruar ngadalë, tinëzisht, me pistoletë në dorë dhe Enveri i informuar paraprakisht nga Suloja që pistoleta ishte pa plumba, i thotë qetësisht: Ç’po bën mo? Edhe ti Mehmet? Nuk t’u durua? Pa vdekur unë, doje të bëheshe i pari? Pse nuk ia kthen atë pisqollë më mirë vetes?).

Me porosi të veçantë të Nexhmijes, e vizitova Enverin të nesërmen në mëngjes. Dukej që gjatë natës kishte bërë gjumë jo të qetë. Megjithatë, rrahjet e zemrës dhe tensionin arterial i kishte njëlloj si më parë. Ai as nuk më pyeti për to.

Për sa kohë qëndrova atje, ai qëndroi i heshtur, me fytyrë të ngrysur, pa këmbyer asnjë fjalë mes nesh. Madje, i përqendruar, me vështrimin larg nga dritarja si i përhumbur, as nuk më falënderoi dhe as më përshëndeti kur u largova, siç e kishte zakon. Unë nuk e dija se që nga ajo ditë pati filluar në Shqipëri një nga tragjeditë më tronditëse dhe më enigmatike në historinë e pushtetit komunist, jehona e së cilës vazhdon ende sot, pas rreth katër dekadash.

Kur u ktheva në mbrëmje vonë në shtëpi, ankthi që ndjeva pas fjalëve të Sanos nuk më ndahej. Në gjumin e trazuar që bëra asaj nate, edhe unë pashë një ëndërr rrëmujë, të frikshme, të dhunshme, subjektin e së cilës nuk e kujtoja dot të nesërmen. Pas takimit të parë dhe të dytë me Enverin, Mehmeti, me miratimin edhe të djalit, e prishi, e anuloi “fejesën e gabuar”, por nuk pranoi që faji t’i hidhej vetëm të birit. “Mehmeti rezistoi. Nuk e dha djalin”. “Mehmeti baba e mundi Mehmetin Kryeministër”.

Pyetja si tryezë gërryese, ngulmuese që do t’i vihej atij nga Enveri gjatë muajve që pasuan do të ishte: “Përse?” Përse po i bënte këto? Përse demonstroi publikisht pavarësi vendimmarrëse pa pyetur shefin? Përse devijoi me ndërgjegje nga vija e Partisë? Vetëm prej sentimentalizmit prindëror, apo prej ndonjë shtyse të diktuar nga jashtë? Përse i ishte fshehur atij, pse i kishte dredhuar? Dhe pse po vijonte të bënte “rebelin” duke mos pranuar zgjidhjen që i propozoi Enveri në interes të Partisë? Sipas Enverit, “duke mbrojtur me ngulm djalin dhe duke e marrë përsipër vetë gabimin, Mehmeti u pozicionua me ndërgjegje kundër vijës dhe interesit të Partisë”.

A ishte Mehmeti asokohe i vetëdijshëm për pasojat e atij qëndrimi? Nga buronte ky karshillëk dhe kjo kokëfortësi e pazakontë e tij ndaj sugjerimit të Enverit? Ngjarjet e mëpasshme do të dëshmonin se ai akt kundërshtimi do të interpretohej nga Enveri si më i rëndë dhe më zhgënjyes sesa vetë miratimi i “fejesës së gabuar”.

Fjala nuk ishte më për fejesën, ishte për luftën e klasave, për unitetin, për linjën e përbashkët dhe disiplinën e partisë. A duheshin vazhduar ato me bindje të verbër, si deri tash, apo duheshin zbutur e rishikuar si jashtë kohe? Mehmeti, me miratimin e asaj fejese, i kishte shpërfillur ato. Mos vallë, Mehmeti e dha qëllimisht vetë miratimin për “fejesën e gabuar”, pa e pyetur Enverin, si balonë prove apo si sinjal për diku jashtë Shqipërisë, te krushqit e rinj, me mesazhin se ai nuk ndante të njëjtat parime e qëndrime me Enverin për luftën e klasave dhe nuk varej më prej tij? Kjo nënkuptonte se as do të ndiqte më pas (kur të bëhej i pari i vendit) po atë rrugë të Enverit që kishte ndjekur deri tani.

Me ose pa ndërgjegje, Mehmeti kreu dy akte të palejueshme, asokohe: shpërfilli Zotin e tij dhe shkeli parimet dhe disiplinën e Partisë. Fshehtësia, me të cilën miratoi fejesën pas shpinës së Enverit, u perceptua prej këtij të fundit si pabesi e qëllimshme. Kjo dhe mospranimi i zgjidhjes që Enveri i propozoi, për t’ia hedhur të gjithë fajin Skënderit, do të sillnin tragjedinë për të, për djalin dhe tërë familjen. Dhe do t’i bënin pluhur e hi të gjitha lavdet e meritat e deriatëhershme të tij.

 Marrë nga Panorama

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

dikur dikur enver hoxha mehmet shehu nexhmie hoxha enver hoxha mehmet shehu nexhmie hoxha

Sondazh

Poll

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni