Politike

‘Masakra e Reçakut ishte e sajuar’, Cakaj reagon pas deklaratës së zyrtarëve serbë: Veprat përbuzëse duhen dënuar

Sipas Cakajt, vepra të tilla përbuzëse dhe shtrembëruese duhen dënuar. 
Featured image of article: ‘Masakra e Reçakut ishte e sajuar’, Cakaj reagon pas deklaratës së zyrtarëve serbë: Veprat përbuzëse duhen dënuar Gent Cakaj

TIRANË– Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit Serb, Aleksandër Vuçiç i cili tha se ‘Masakra e Reçakut’ është një trillim. Përmes një postimi në “twitter”, Cakaj e ka krahasuar presidentin serb me Paul Joseph Goebbels, ky i fundit ministër i propagandës së Gjermanisë naziste. Sipas Cakajt, vepra të tilla përbuzëse dhe shtrembëruese duhen dënuar.

Joseph Goebbels i propagandës së Millosheviç tani është shndërruar në kampion të mohimit, nënvlerësimit dhe trivializimit të krimeve të luftës. Skandaloze! Aktorët ndërkombëtarë duhet t’i dënojnë veprat e tilla përbuzëse dhe shtrembëruese të së vërtetës që i fyejnë viktimat dhe përpjekjet e pajtimit. Masakra e Reçakut nuk do të harrohet kurrë!”, shkruan Cakaj.
Vuçiç reagoi pas dënimit me 2 vite burg nga Gjykata e Prishtinës për ish-ministrin e Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, i cili gjithashtu e quajti trillim në muajin prill 2019, masakrën e Reçakut. Vuçiç tha se masakra e Reçakut është ‘trillim’ i falsifikuar nga ish-ambasadori amerikan, William Wolker, dhe shtoi se dënimi i Todosijeviq është i frikshëm.

Çfarë është masakra e Reçakut?

20 vjet më parë, mëngjesin e 15 janarit, forcat serbe të sigurimit vranë 45 civilë shqiptarë në Reçak në Komunën e Shtimes, masakër e cila tronditi botën dhe bëri kthesë në diplomacinë ndërkombëtare. Kjo ngjarje e cila bëri që bota të kthejë sytë nga Kosova, i parapriu edhe fushatës së bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe. I pari  që  i dha zë kësaj ngjarje për gjenocidin që po kryhej në Kosovë, ishte  ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, ku edhe e  pati cilësuar këtë masakër si “krim kundër njerëzimit”.

(a.m;f.g/dosja.al)

Shto Koment