Rajoni

Zgjedhjet e parakoshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut/ KSHZ: Koalicioni “Mundemi” fiton 46 mandate, nis sërish numërimi i votave me kërkesë të VMRO-DPMNE

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka njoftuar të dhënat e para jozyrtare ditën e sotme në Maqedoninë e Veriut. Por menjëherë pas publikimit të të dhënave nga KSHZ, VMRO-DPMNE ka kërkuar që të rinumërohen për herë të dytë votat me qëllim shmangien e parregullsive.
Featured image of article: Zgjedhjet e parakoshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut/ KSHZ: Koalicioni “Mundemi” fiton 46 mandate, nis sërish numërimi i votave me kërkesë të VMRO-DPMNE Zoran Zaev

MAQEDONI E VERIUT– Ka rinisur për të dytën herë procesi i numërimit të votave në Maqedoninë e Veriut, me kërkesë të VMRO-DPMNE menjëherë pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi sot në orën 19:30 të dhënat e para jozyrtare të zgjedhjeve të dhjeta parlamentare.

“Me kërkesë të VMRO-DPMNE-së, KSHZ sërish është duke i numëruar rezultatet e procesverbaleve, me qëllim që të largohen të gjitha mundësitë për çfarëdo parregullsish lidhur me rezultatet e zgjedhjeve.”- ka shkruar Janushev.

Por sipas deklaratës së KSHZ mësohet se Koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM-ja i fituar 46 mandate, VMRO-DPMNE dhe të tjerë kanë fituar 44 mandate, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka fituar 15 mandate, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa – 12, e majta dy mandate dhe PDSH një mandat.

 Në një konferencë shtypi zoti Zaev tha se partia e tij korri sukses, duke konfirmuar edhe njëherë vullnetin e popullit. 

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Koalicioni “MUNDEMI” është fitues i zgjedhjeve dhe vullneti i popullit u konfirmua për një të ardhme të sigurt, patriotizëm ekonomik, shtet të së drejtës. Rruga përpara u konfirmua. Rrezikut i thamë JO”. Qytetarët i njohën vlerat e vërteta; na dhanë besimin. Koncepti integrimit e mundi konceptin e izolimit”, tha Zoran Zaev.

Zgjedhjet në Maqedoni janë të dytat në rajon pas atyre në Serbi që zhvillohen në kohë pandemie. Procesi i votimit ka zgjatur tre ditë pasi ishin ndarë fasha të veçanta për votim, duke shmangur kontaktet mes moshës së tretë dhe qytetarëve të tjerë. Ishte Zaev ai që e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme, pas dështimit të çeljes së negociatave me Bashkimin Europian. 

(k.m;a.c/dosja.al)

  • 21:05

    Koalicioni “Mundemi” fitoi 46 mandate/ Nis sërish numërimi i votave me kërkesë të VMRO-DPMNE: Të largohen të gjitha parregullsitë

    Sekretari i  përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev

    Sekretari i  përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë me dije se votat në  zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut do të rinumërohen sërish.Kjo kërkesë e VMRO-DPMNE vjen pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka njoftuar të dhënat e para jozyrtare në orën 19:30, ku fitues rezultonte koalicioni “Mundemi” me 46 mandate,  VMRO-DPMNE fitoi 44 mandate, dhe  BDI me 15 mandate. “Me kërkesë të VMRO-DPMNE-së, KSHZ sërish është duke i numëruar rezultatet e procesverbaleve, me qëllim që të largohen të gjitha mundësitë për çfarëdo parregullsish lidhur me rezultatet e zgjedhjeve. Kemi njohuri se numrat e rezultateve të futura në sistemin e KSHZ-së nuk përkojnë me numrat e saktë të futur në procesverbalet zyrtare. Meqë nuk ka rezultate zyrtare preliminare ndërsa edhe faqja e KSHZ-së nuk ka qasje, jemi duke i shqyrtuar procesverbalet nga votimi në shtabin tonë zgjedhor republikan. Për çdo tentim për shkeljen e drejtësisë dhe për çdo parregullsi ligjore do të ketë përgjegjësi.    Duket se pushteti i Zaevit nuk heq dorë edhe krahas besimit të humbur nga populli. Ata duan ta vjedhin vullnetin e popullit por ne do të luftojmë për drejtësi, për vullnetin dhe lirinë e popullit.    Për momentin të gjitha opsionet janë të hapura edhe pas përfundimit të rinumërimit do t’i kumtojmë hapat tanë të ardhshëm.”- ka shkruar Janushev.

  • 20:16

    Del rezultati i zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut/ KSHZ: Koalicioni “Mundemi” fitoi 46 mandate, VMRO-DPMNE 44, BDI 15

    Foto ilustruese

    Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i publikoi rezultatet jozyrtare përfundimtare nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat u mbajtën në vend. Koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM-ja i fitoi 46 mandate, VMRO-DPMNE dhe të tjerë 44 mandate, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i fitoi 15 mandate, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa – 12, E Majta dy mandate dhe PDSH një mandat.  Koalicioni Mundemi është i pari në vend me 46 deputet: 8 deputet në njësinë 1, 7 në njësinë 2, 9 në njësinë 3, 10 në njësinë 4, 8 në njësinë 5, 4 në njësinë 6. VMRO ka fituar 44 deputet edhe atë: 7 deputet në njësinë 1, 7 në njësinë 2, 10 në njësinë 3, 10 në njësinë 4, 8 në njësinë 5 dhe 2 në njësinë 6. BDI ka fituar 15 deputet edhe atë: 2 në njësinë 1, 3 në njësinë 2, 3 në njësinë 5 dhe 7 në njësinë 6.

    Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë fituar 12 deputetë, edhe atë: 2 në njësinë 1, 3 në njësinë 2, 1 në njësinë 5 dhe 6 në njësinë 6.

    Levica ka fituar 2 mandate: një në njësinë 1 dhe 1 në njësinë 3, ndërsa PDSH ka fituar vetëm një mandat në njësinë 6.

  • 19:20

    Seanca publike e Komisionit të Zgjedhjeve shtyhet me një orë, rezultatet përfundimtare pritet të publikohen në orën 19:30

    Foto te komisionit zgjedhor

    Seanca publike e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, e cila ishte parashikuar të mbahej në orën 18:15, është planifikuar për orën 19:30. Por për shkak të kontrolleve përfundimtare të të dhënave, seanca është planifikuar të shtyhet me më shumë se një orë, e tashmë pritet të nisë  orën 19:30, njoftoi KSHZ. KSHZ-ja pritet të njoftojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare që janë mbajtur për tre ditë me rradhë nga e hëna në të mërkurë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Shpallja e rezultateve të zgjedhjeve ishte e zgjatur sepse kishte një rënie në faqen online të  raportimit në disa raste, për të cilën KSHZ informoi se ishte një sulm i jashtëm.

  • 17:34

    Historike/ Numërohen 99% e votave, këta janë 32 deputetët shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut (EMRAT)

    Foto ilustruese

    Bashkimi Demokratik për Integrim i  udhëhequr nga Ali Ahmeti do të ketë 15 deputetë, pesë më shumë nga sa kishte herën e kaluar. Numrat e kësaj partie mendohet të jenë vendimtare për qeverinë e re. Ndërsa koalicioni mes dy partive, Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës do të ketë 12 mandate për deputetë.  Lëvizja BESA e Bilall Kasamit e cila ishte në koalicion me LSDM-në e Zoran Zevit, arriti të marrë katër deputetë. Ndërsa Partia Demokratike e kryesuar nga Menduh Thaçi mori vetëm një deputet në njësinë e gjashtë zgjedhore.

    NJËSIA ZGJEDHORE 1

    BDI:  Izet Mexhiti; Arben Ziberi;

    BESA: Zeqirija Ibrahimi

    AAA: Skender Rexhepi

    ASH: Abdulla Saliu

    NJËSIA ZGJEDHORE 2

    BDI: Arbër Ademi;  Berat Ajdari; Merita Koxhaxhiku

    BESA: Afrim Gashi

    ASH: Elmi Aziri

    AAA: Safije Sadiki

    NJËSIA ZGJEDHORE 5

    BDI: Agim Shaqiri; Ismail Jahoski; Arbana Pasholli

    ASH: Syrija Rashidi; Remzi Memedi

    NJËSIA ZGJEDHORE 6

    BDI: Ali Ahmeti; Talat Xhaferi; Shpresa Hadri; Branko Manajlovski; Xhevat Ademi; Mirsade Emini-Asani; BAjram Kadrija

    PDSH: Menduh Thaçi

    BESA: Bilall Kasami;  Fadil Zendeli (RDK)

    ASH: Ziadin Sela;  Adnan Neziri;  Ilire Dauti;  Hysni Ismaili; Halil Snopçe;  Artina Qazimi.

  • 17:24

    Zgjedhjet/ Ali Ahmeti thirrje liderëve shqiptarë: Të bashkuar jemi më të fortë

    Sot kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti përmes një postim në rrjetin social  Facebook ka ndarë me ndjekësit e tij  opinionin që ka realizuar biseda telefonike me liderët e partive politike shqiptare në vend. Ndërsa më tej ai ka thënë se ka marrë shumë urata nga të afërm dhe miq për garën e fortë në zgjedhjet e dhjeta parlamentare. “Të nderuar miq, ju faleminderit për mbështetjen tuaj të madhe dhe për zhvillimin e një proçesi shembullor zgjedhor gjer në këto çaste. Sot pranova mijëra urata nga të gjitha trojet tona për të cilat jam shumë mirënjohës. Gjithashtu, sot realizova biseda telefonike me Kryetarin e PDSHsë z. Menduh Thaçi, dhe Kryetarin e Lëvizjes Besa, z. Bilall Kasami, ndërsa do të realizoj biseda edhe me Kryetarët e partive tjera shqiptare, z. Gashi, z. Sela dhe z. Memedi për ta vlerësuar bashkarisht rezultatin zgjedhor dhe për të këmbyer mendime.  Bashkë jemi më të fortë 👐”

  • 16:25

    Digjet makina e KSHZ-së që po transportonte materialin zgjedhor nga Gostivari në Shkup, komuna ku BDI pësoi humbjen më të thellë

    Foto ilustruese

    Në orët e para të mëngjesit së kësaj  të mërkure ështëe djegur vetura e Komisionit zgjedhor të Gostivarit, për shkaqe që ende nuk janë bërë të ditura. Siç shkruajnë edhe mediat vendase në makinë kanë qenë materialet zgjedhore nga votimi në Komunën e Gostivarit. Ndërkohë mësohet se nga ky incident nuk ka persona të lënduar.  Kujtojmë se Gostivari është Komuna ku BDI pësoi humbjen më të thellë, prandaj në rrjetet sociale kanë nisur të përhapen komente dyshuese lidhur me shkaqet e djegies së makinës. “Sot në ora 4 e 30 minuta të mëngjesit, në SPB Tetovë është raportuar se është djegur veturë ‘Ford Tranzit’ me targa të Gostivarit, që e ka drejtuar 35 vjeçari F.A. në afërsi të pikëpagesës në Tetovë.”-ka deklaruar zëdhënësi i SPB Tetovë, Marjan Josifovski.

  • 16:17

    OSBE/ODIHR vlerëson zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut: U zhvillua në rrethana të jashtëzakonshme por procesi i votimit kaloi i qetë

    Laima Andrikiene

    Sot OSBE-ODIHR ka vlerësuar edhe procesin e votimit të mbajtur nga e hëna deri të mërkurën në Maqedoninë e Veriut. Sipas Laima Andrikiene, votimet në Maqedoni janë vlerësuar të qeta dhe në përputhje me rekomandimet e dhëna. Andrikiene njoftoi se vlerësimi përfundimtar do të përfshijë edhe numërimin e plotë, shpalljen e rezultateve dhe procesin e parashtresave. Sipas OSBE-ODIHR, “zgjedhjet u administruan në mënyrë efektive, fushata ishte garuese, pjesëmarrësit kishin mundësi që të prezantojnë platformat e tyre.”  Gjithashtu ajo ka njoftuar se OSBE do të qëndrojë në Maqedoninë e Veriut deri më 23 korrik për të vijuar me ndjekjen e zhvillimeve të tjera. OSBE-ODIHR vuri në dukje gjithashtu se u vërejtën disa shqetësime me listën e votuesve për një numër të vogël të votuesve.

    Fjalimi i plotë i Andrikiene:

    Ky mision u zhvillua në rrethana të jashtëzakonshme, pandemia krijoi shumë sfida në procesin zgjedhor si për garuesit ashtu edhe për administratën zgjedhore. Do të mbetemi këtu deri më 23 korrik për të vazhduar me ndjekjen e zhvillimeve tjera deri në përfundim të procesit zgjedhor. Kemi ndjekur nga afër procesin zgjedhor, përfshi edhe fushatën edhe ditën e votimit. Këto zgjedhje ishin në përputhje me rekomandimet e OSBE-së. Vlerësimi jonë përfundimtar do të përfshijë edhe numërimin e plotë, shpalljen e rezultateve dhe procesin e parashtresave. Zgjedhjet u administruan në mënyrë efektive. Fushata ishte garuese, pjesëmarrësit kishin mundësi që të prezantojnë platformat e tyre. Reklamimi politik i favorizoi tre partitë më të mëdha politike.

  • 15:30

    Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut/ Mickoski: Opozita fitoi më shumë vota se pushteti

    Lideri i i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.

    Udhëheqësi i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski sot në konferencën e parë për shtyp pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që përfunduan pas 3 ditësh dje në orën 21:00, u shpreh se partia opozitare e ka kredibilitetin më të madh të luftojë për përbërje të Qeverisë së re. VMRO-DPMNE-ja, sipas tij ka më shumë vota se LSDM-ja, pa Lëvizjen Besa, me të cilën është në koalicion. Diferenca në vota sipas Mickoskit, është diku rreth dhjetë mijë.  “Është me rëndësi që në Maqedoni disponimi është opozitar, ndërsa rezultatet tregojnë se opozita fitoi më shumë vota se pushteti, ndërsa VMRO-DPMNE-ja, pa Lëvizjen Besa në radhët e LSDM-së fitoi më shumë mandate të deputetëve. VMRO-DPMNE-ja dhe Koalicioni ‘Për ripërtëritje të Maqedonisë’ fituan në 41 komuna.”- deklaroi Mickoski. Ndër të tjera ai përmendi Shkupin, Gjorçe Petrovin, Butelin, Gazi Babën, Kisela Vodën, Sopishten, Petrovecin, Ilindenin, Makedonski Brodin, Velesin, Kratovën, Sveti Nikollën, Shtipin, Negotinën, Prilepin, Strugën dhe disa vende tjera.  “Ky rezultat është arritur në disa rrethana të vështira, presione të fuqishme dhe shumë parregullsi. Pushteti zbatoi rryshfet masiv. Sot ueb-faqja e KSHZ-së nuk punon, ndërsa marrim informata të ndryshme se në mënyrë të dyshimtë janë numëruar të dhënat.”- tha ai duke shtuar se me këtë kanë luftuar gjatë gjithë periudhës së  fushatës.  E gjitha kjo siç tha Mickoski, i jep të drejtë pasi VMRO-DPMNE-ja e ka kredibilitetin më të madh që të luftojë për përbërje të qeverisë së re, e cila duhet të ballafaqohet në sfida serioze. “Unë jam optimist, pasi paraqitem në mënyrë të ndershme dhe parimore. Alternativa e tërë kësaj është Zaevi dhe vazhdimi i agonisë.”- u shpreh  Mickoski.

  • 15:20

    Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut/ Zëdhënësi i komisionit: KSHZ në procedurë standarde po kontrollon të dhënat, rezultatet publikohen më vonë

    Zëdhënësi i komisionit te zgjedhjeve, Admir Shabani.

    Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (SEC) pritet të zhvillojë një seancë pasdite për të shpallur rezultatet përfundimtare e zgjedhjeve të parakohshme që janë zhvilluar në Maqedoninë e Veriut për 3 ditë me rradhë. Komisioni tani po kontrollon të dhënat e dërguara nga komisionet zgjedhore komunale të një nate më parë, që është një procedurë standarde dhe e zakonshme pas çdo zgjedhjeje, tha për MPB zëdhënësi i komisionit Admir Shabani.  “Të gjitha të dhënat dhe materialet nga KKZ-të janë marrë. Tani është kryer procedura standarde, dmth kontrolli i të dhënave të futura në programin e KSHZ-së me të dhënat nga procesverbalet numër 16 dhe numri 21, të cilat përmbajnë numrat nga votimi në vendvotimet. Pasi të mbarojë kontrolli, KSHZ-ja do të ketë një seancë pasdite, kur do të shpallë edhe rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.”-tha Shabani.  Pas njoftimit të këtyre të dhënave, afatet e ankesave nga partitë politike mund të fillojnë menjëherë.  KSHZ-ja, megjithëse njoftoi se rezultatet e votimit do të shpallen shumë shpejt, nuk mund ta bënte këtë sepse kishte një problem me faqen e internetit për publikim. Uebfaqja e KSHZ-së ende nuk është funksionale, dhe sipas Shabanit, kjo për faktin se në uebfaqen e Komisionit po punohet. “Problemi është duke u zbuluar sepse supozohet se është një sulm i jashtëm.”- tha  një zëdhënës i SEC. Më herët, Presidenti i KSHZ-së Oliver Derkoski deklaroi se sulmi ishte raportuar në Ministrinë e Brendshme personalisht te Ministri dhe se ata presin që anëtarët e policisë të vijnë në Komision. Siç tha Derkoski, është një sulm i hakerave nga jashtë dhe se çështja do të hetohet. Në një prononcim për Telma, Derkoski gjithashtu tha se ato ishin të pasakta dhe mohuan me forcë informacionin që doli për publikun se një javë para zgjedhjeve, u nënshkrua marrëveshja për faqen e internetit të KSHZ-së.

  • 11:00

    “Shqiponja u kthye”, Ali Ahmeti për zgjedhjet në MV: Siguruam mbi 100 000 vota, kjo është fitore e shqiptarëve

    Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti shpalli fitoren e “bllokut” shqiptar në zgjedhjet parlamentare. Në fjalën e tij janë siguruar mbi 100 mijë vota. Në fjalën e tij, Ahmeti e ka konsideruar këtë si një fitore të shqiptarëve, nga e cila nuk do të humbasë askush.

    “Shqiponja u kthye. Kjo fitore e BDI-së është fitore e shqiptarëve dhe me këtë fitore nuk do të humbas asnjë shqiptar. Ne kemi dëshmuar se jemi më të suksesshmit në të gjitha sferat dhe kështu do të jetë edhe më tej. Shqiptarët nuk do të jenë të dëshpëruar prej nesh”, deklaroi Ahmeti.

  • 11:03

    Meta uron Maqedoninë e Veriut për zgjedhjet: Të bashkojmë përpjekjet për të ecur drejt BE

    Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Meta shkruan se zgjedhjet ishin të lira dhe demokratike duke mos harrua pa përmendur edhe suksesin e partive shqiptare.

    “Shumë urime Maqedonisë së Veriut për zgjedhjet e lira, demokratike dhe konkurruese! Shumë urime partive shqiptare për përfaqësimin e lartë në Parlamentin e ri. Të bashkojmë përpjekjet për të ecur së bashku për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian,”-shkruan Meta.

  • 7:38

    Zgjedhjet/ Kutitë drejt fundit, është numëruar mbi 96%, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut fitojnë 33 deputetë

    Procesi i numërimit të votave në Maqedoninë e Veriut po shkon drejt fundit. Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri më tani janë numëruar mbi 96 për qind të votave, nga të cilat shqiptarët kanë arritur që të dalin me 33 mandate. Sipas mediave vendase, Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar 16 mandate, Aleanca për Shqiptarët 12, Partia Demokratike Shqiptare 1 mandat dhe Lëvizja BESA, e cila garoi në koalicion me LSDM, 4 mandate. Ndërsa deri më tani drejton parita e Zoran Zaev, LSDM që deri më tani ka fituar 45 mandate, ndërsa VMRO ka marrë 44 mandate.

Shto Koment