Rajoni

Vetëvendosje i përgjigjet ultimatumit të Mustafës: S’kemi plan B, Qeverinë e bëjmë vetëm me ju

Në një reagim Nagavci u shpreh se LVV nuk ka plan B por vetëm një plan që është bërja e Qeverisë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, pasi sipas saj populli ka vendosur që këto dy parti të bëjnë Qeverinë.
Featured image of article: Vetëvendosje i përgjigjet ultimatumit të Mustafës: S’kemi plan B, Qeverinë e bëjmë vetëm me ju Arbërie Nagavçi, deputete LVV

KOSOVË- Arbërie Nagavci, deputete e Vetëvendosjes që është emëruar dhe nënkryetare e Kuvendit ka reaguar sot pas ultimatumit të bërë nga Isa Mustafa, që i jepte kohë deri në fund të javës Albin Kurtit që të nënshkruanin marrëveshjen.

Në një reagim Nagavci u shpreh se LVV nuk ka plan B por vetëm një plan që është bërja e Qeverisë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, pasi sipas saj populli ka vendosur që këto dy parti të bëjnë Qeverinë. Më tej deputeta e LVV shtoi se mandatari Albin Kurti pritet që ta bëjë qeverinë brenda afatit 15 ditësh e të mos ketë nevojë për afate të tjera.

Ditën e djeshme pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Isa Mustafa theksoi se deri në fund të javës duhet të arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje me VV-në, ose të konstatohet se s’ka kushte për t’u arritur.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë dështuar të arrijnë marrëveshje edhe më shumë se tre muaj prej se kanë përfunduar zgjedhjet. Ngërçi në krijimin e qeverisë ka nisur për ndarjen e posteve të larta shtetërore. Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që në vitin e parë të qeverisjes të ketë Kryetarin e Kuvendit dhe Zëvendës Kryeministrin e parë, e në vitin e ardhshëm të lëshojë karrigen e kreut të Kuvendit e të marrë atë të Presidentit. Ndërkohë që kërkon të ketë dhe 5 ministri.

Por, Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka zgjedhur Glauk Konjufcën si kryetar të Kuvendit dhe shprehet se nuk do e shkarkojë, por i ka propozuar LDK-së që të shtojnë numrin e ministrive e të marrin dhe Presidentin.  Dy liderët e partive, VV-së dhe LDK-së janë takuar intensivisht me njëri-tjetrin, por ditët e fundit kanë ndërprerë takimet për më shumë se një javë dhe komunikimin e vetëm publik e kanë bërë me shkëmbimin e dy letrave të cilat përmbajnë ofertat e njëra- tjetrës se si të formohet qeveria. Pak ditë më parë është Konstituuar dhe Legjislatura e 7-të e Kuvendit të Kosovës, ku u bë vetëm zgjedhje e kreut të ri të këtij institucioni, por ende nuk është arritur marrëveshja për të formuar dhe qeverinë.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment