LIVE UPDATES
Bota

Lumir Abdixhiku: LDK po ngritet në zgjedhjet lokale, Qeveria Kurti është e mbushur me praktikantë

27 Korrik 2021, 15:09 Nga DOSJA
Lumir Abdixhiku: LDK po ngritet në zgjedhjet lokale, Qeveria Kurti

KOSOVË- Lumir Abdixhiku e quan Qeveri praktikantësh këtë të Albin Kurtit. Thotë se LDK-ja po ngjitet për zgjedhje lokale dhe këtë e di partia në pushtet. Si pasojë, Abdixhiku thotë se po ndodhin edhe bastisjet në komunat që i qeveris LDK-ja dhe paralajmëron se pushteti i Kurtit do të kryejë edhe bastisje tjera para zgjedhjeve lokale. Jo më pak i ashpër, Abdixhiku tregohet edhe me disa nga udhëheqja e vjetër e LDK-së, që i fajëson për rënien e partisë. Thotë se e normalizuan humbjen, dëshiruan akomodimin në pozita qeveritare, ani pse s’kishin përkrahje të popullit.

LDK-ja i hoqi vetës namin e partisë së të vjetërve, kur shumica votoi që në krye të vihej 37-vjeçari, Lumir Abdixhiku, i anëtarësuar në parti para katër vjetësh. Menjëherë nisi ndryshimet në krye të LDK-së, struktura e së cilës rrallë kishte ndryshuar përgjatë 30 vjetëve.

Abdixhiku arsyeton palëkundur ndryshimet që i bëri brenda partisë. Nuk është tërhequr as pas akuzave që ia ka bërë Agim Veliu i shkarkuar, apo dikush tjetër. Kryetari i LDK-së thotë se ata që kërkojnë vazhdimin e të njëjtës politikë që e solli LDK-në në 12 për qind, e kanë huqur me të madhe zërin e LDK-së në Kuvendin e fundit.

Opozitarizmi ndaj pushtetit të Albin Kurtit është konsideruar shumë herë i butë. Abdixhiku flet për personat, që sipas tij, kanë mundësuar krijimin e pushtetit me mbi 50 për qind të votave. Thotë se ata nuk mbajnë përgjegjësinë, por mbajnë ligjërata se si të bëhet opozitë.

Kur jemi te kritikat për opozitarizëm, Abdixhiku thotë se çdo hap është i menduar mirë, dhe asgjë s’është e rastësishme.

Për punësimet familjare, ai thotë se ‘ka zëvendësim të një kushëriri me një tjetër, nga një parti në tjetrën’, por Kosova po mbetet ashtu siç ka qenë tash e sa vjet. Dy takimet e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, Abdixhiku i sheh si për konsum të brendshëm politik për të dyja vendet.

Gazeta Express: Janë bërë më shumë se 100 ditë prej kur jeni në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës. A konsideroni se keni arritur t’i implementoni ndryshimet të cilat keni menduar se janë të nevojshme për ‘rikthimin’ e partisë?

Lumir Abdixhiku: Më mirë se sa që mendoja – në fakt. Së paku nga ku ky rrugëtim është nisur. Kam marrë udhëheqjen e LDK-së në një gjetje jashtëzakonisht të vështirë, në vetëm 12%. Kam gjetur LDK-në në gjysmën e komunave të Kosovës në prag të shuarjes; me numra që gravitonin në 5, 6 e 7%. E merrni dot me mend? Për një parti shtetformuese, të parën në Kosovë, të kesh gjysmën e vendin në prag të shuarjes është sa tragjike aq edhe fatkeqe për të nisur një punë. Dhe jo vetëm kaq. Gjatë vizitave e takimeve të para të mija, kam gjetur një tendencë për të normalizuar humbjen. Sikurse vendi i tretë e i katërt, e përqindjet njëshifrore në disa degë, ishin gjë normale tashmë. Aq normale sa që brenga e vetme e strukturave të mbetura ishte zgjedhja e dilemave për koalicone me të parin e të dytin – por asnjëherë për të parë veten të parin, e fatkeqësisht as të dytin. Kështu, LDK-në, nuk mund as unë e asnjë veprimtar i devotshëm ta pranojë. Vendi origjinal i LDK-së është i pari. Mund të merr kohë ky objektiv – dhe natyrisht se do të marrë kohë – por nën të s’mund të synojmë.

Kështu, LDK-në, nuk mund as unë e asnjë veprimtar i devotshëm ta pranojë. Këtë mendësi, të humbësit e më pas të vazalitetit ndaj tjetrit, jam angazhuar ta ndryshoj. Sepse edhe humbja edhe vazaliteti janë të papranueshme për origjinalitetin tonë politik; edhe më të papranueshme për ndryshimet e artikulara në Kuvendin e 14 marsit. Dhe për këtë kam gjetur mbështetje të jashtëzakonshme tek anëtarësia e LDK-së. Jam me ta dhe janë me mua, flas me ta, flasin me mua – bashkudhëtoj me ta. Të gjithë e kërkojnë këtë ndryshim; këtë ndryshim do ta marrin.

Ndryshimet partiake janë të vazhdueshme, nuk janë akt në vete – por janë procese. Ato duhet të jenë konstante, të pandërprera, të bollshme. Natyrisht se janë edhe të dhimbshme, sidomos kur prekin konjuktura të kristalizuara me vite të tëra. Por para se të jenë të dhimbshme, janë të domosdoshme. Meqë janë të domosdoshme, po i bëj. Kam thënë vazhdimisht se nuk kemi njerëz për të humbur, por as s’kemi njerëz mjaftueshëm; prandaj edhe hapja ndaj të rinjve e të rejave, profesionistëve e veprimtarëve të përkushtuar. Mbi të gjitha, nuk kemi komoditet e edhe më pak dëshirë, për të vazhduar njëjtë sikurse rruga që na solli në 12%; rezultatin më të ulët historik. 14 marsi ynë është ndryshim i kursit politikbërës të LDK-së. Kush se ka kuptuar këtë tashmë, s’do të kuptojë asgjë në rrugëtimin që po provojmë ta ndërtojmë bashkërisht me anëtarësinë e LDK-së. Nuk kemi komoditet e edhe më pak dëshirë, për të vazhduar njëjtë sikurse rruga që na solli në 12%; rezultatin më të ulët historik.

Prandaj të gjithë kritikët e izoluar të brendshëm e skeptikët e përhershëm të jashtëm, që kërkojnë vazhdimësi të politikëbërjes së LDK-së; të njëjtës politikë që na solli në 12% e në prag të shuarjes në gjysmën e Kosovës, kanë huqur me të madhe zërin e LDK-së në Kuvendin e fundit. Të njëjtit që kanë huqur paraprakisht zërin me qytetarë; që kanë mundësuar krijimin e një pushteti absolut me 50 plus për qind; të njëjtit që për synim të vetëm kanë patur akomodimin në ndonjë pozitë qeveritare e pushtetare ani pse me mbështetje minimale qytetare; të njëjtit që sot e kësaj dite s’mbajnë asnjë përgjegjësi por ligjërojnë se si duhet bërë opozitë – duhet ta kuptojnë se koha e një politike të tillë ka marrë fund. S’jam këtu për të akomoduar të shkuarën; se kush ka patur të drejtë e kush jo. Jam për të ndërtuar të ardhmen. Nga një pozicion i vështirë; shumë i vështirë. Kush s’është i gatshëm të ndihmojë realizimin e këtij vizioni është mirë të mos pengojë – jo që kanë potencial për të penguar ashtu kështu.

Gazeta Express: Sa dhe ku ndryshon LDK-ja sot, me LDK-në e para marrjes së mandatit nga ju?

Lumir Abdixhiku: LDK nuk ndryshon në konstruktin e vet ideologjik. Kurrë asnjëherë. Por ndryshon – në veprimin politik. Idetë tona i mbijetojnë kohës; ne të tjerët jemi ndjekës e prijës të përkohshëm të këtyre ideve.

LDK i njeh gabimet e veta; por i njeh potencialet e veta. I njeh njerëzit e vet të shkëlqyeshëm që i ka në gjirin e vet politik, e mbi të gjitha i njeh nevojat e qytetarëve. LDK mbi të gjitha mburret mbi të arriturat e shkuara sepse ato tashmë janë themele të shtetit të Kosovës.

Rikthimi ynë merr kohë por po ndodhë dhe do të ndodhë përderisa qëndrojmë në origjinalitetin tonë politik; në të qenurit lidhje e popullit e në prirje e sinkron me popullin. Prandaj dhe kemi ndryshuar përfaqësimin politik, duke i ofruar qytetarëve njerëz me kredibilitet publik, me pëlqyeshmëri qytetare e me artikulimin të kohës. Kemi treguar konstruktivitet institucional, duke dhënë shembull opozitar në zgjedhjen e Presidentes. Kemi refuzuar destruktivitetin si mjet politik e kështu parandalimin e shumicës për të pasë zë në Parlament. Këtë opozitë ku shumica ndalohet të merr vendim e kemi parë tashmë në Kosovë, e ka përjetuar LDK vet madje, dhe ka qenë e trishtueshme. Nuk do ta kopjojë. E kushdo që ka sugjeruar ndryshe, që për teke individuale e inate personale, me bojkot të mbytet vullneti i shumicës, jepte shembull jashta filozofisë politike Rugoviste, të LDK-së, të shkuarës e modernes.

Në nivelin politik kemi treguar kurs të ri politikëbërje. Të një opozite që nesër kur bëhet pozitë nuk ndryshon qëndrim; por tregon konsistencë. Konsistenca jonë në qëndrime do të mbetet pozicioni ynë më thelbësor. Roli im si opozitar është të jap edhe një model opozite për vendin. Vetëm duke dhënë një model opozite të mirë sot, nesër japim një model pozite të shkëlqyeshme. Këta që kanë dhënë një opozitë të tmerrshme dje, s’kanë se si të japin pushtet të dinjitetshëm sot. Koha do të dëshmojë.

Tani, ne kemi hapur partinë, për njerëz të brendshëm e të jashtëm. Ardhjet në Kryesi, kandidaturat në Prishtinë, Podujevë e Istog ishin të paimagjinueshme muaj më parë. Transformime rrënjësore po ndodhin edhe në listat për asamble. Kemi bërë vlerësimin individual e regjional të degëve. Kemi bërë në shumicën prej tyre ndryshime përmbajtësore organizative e strukturore. Për shembull, në Degët e Prishtinës, le të themi, kemi marrë vendim për kooptim të Kryesive me të rinj, gra e personalitete jashta LDK-së. Jam i interesuar, në veçanti, tu jap hapësirë të rinjve e të rejave. Në nivelin organizativ, kemi ristrukturuar në tërësi organizimin e brendshëm të Qendrës; kemi bërë përgatitjet për regjistrimin e anëtarësisë; kemi formuar Departamentet me dhjetëra ekspertë në to; kemi riorganizuar e po riorganizojmë zyrën e Sekretarit në organizim regjional të Degëve tona. Të gjitha këto janë bërë për vetëm 100 ditë. Dhe ende jemi në fillim. Do të ketë njohje të potencialit të brendshëm, do të ketë hapje për potencialin e jashtëm.

Prandaj dhe matjet në nivel nacional – matjet që të gjitha partitë sot i kanë – e kanë ranguar LDK-në, për vetëm tre muaj, nga vendi i tretë në të dytin. Mbesim partia me ritmin e rritjes më të shpejtë në vend. Rruga përpara është e gjatë. Këtë duhet ta kuptojmë të gjithë; por përderisa jemi në trend rritës, ndjehemi mirë.

Gazeta Express:Ju keni deklaruar se në zgjedhjet lokale, LDK do ta bëjë rikthimin e madh, madje kandidatët të cilët i keni prezantuar për disa komuna, i keni quajtur fitues. A keni bërë sondazhe, apo në çka bazoheni se LDK do të jetë triumfuese në këto zgjedhje?

Lumir Abdixhiku: Kandidatët e LDK-së janë njerëz me kredibilitet, njerëz të zot e punëtorë; të komunitetit e të punës. Janë njerëz të brumit ideologjik e politik tonit. Prandaj dhe kam besim në secilin prej tyre. Shihni fotografinë e përgjithshme të kandidatëve tanë, për të kuptuar kualitetin qeverisës e udhëheqës që kanë. Njerëz që i kanë shërbyer vendit vazhdimisht, njerëz që kanë transformuar komunat e tyre në vazhdimësi; e të tjerë – si rasti i Prishtinës – që sjellin bagazhin e tyre mbresëlënës profesional, për shërbim ndaj qytetarëve.

Ky zë tregon për rikthimin e LDK-së në këto zgjedhje lokale. Në disa raste, ky rikthim pushtetit edhe po i pengon Natyrisht që kemi sondazhe. Unë dhe të gjithë Kryetarët e partive tjera në vend i shohim të njëjtat rezultate. Dhe ka një zë që del nga matjet e përgjithshme në vend. Ky zë tregon për rikthimin e LDK-së në këto zgjedhje lokale.

Ka mobilizim e frymë në votuesin e tanishëm tonin. Votuesi i larguar i LDK-së, ndërsa, po rikthehet gradualisht në shtëpinë e vet politike; e ne po i presim krahë hapur. Për më tepër, një pushtet që i ka krejt, e që ka treguar dështim të plotë qeverisës në nivel lokal – në secilin rast që ka patur tashmë – do të merr, natyrshëm, dhe përgjigjen qytetare.

Në disa raste, ky rikthim pushtetit edhe po i pengon. Prandaj dhe keni parë jo rastësisht, e do të shihni ditëve në vijim, edhe skena të bastisjeve jopërmbajtësore. Janë mjete të presionit politik të një pushteti që imiton kapjen; për të cilat kam ngritur zërin dhe do ta ngris vazhdimisht, para opinionit publik e para komunitetit ndërkombëtar. 

Gazeta Express: Në 100 ditëshin e Qeverisë, ju keni deklaruar se Qeveria Kurti nuk ka arritur asnjë rezultat të dukshëm. Por, cilat mendoni se janë tri pikat kryesore në të cilat ju mendoni se ka ngecje Qeveria Kurti?

Lumir Abdixhiku: Me të drejtë i kam quajtur qeveri praktikantësh – sepse nuk dinë. Skandali me tiketat ngjitëse, pra ku nënshkruhet një tender korruptiv, e më pas anulohet me pretekstin se duhet analizë, pas nënshkrimit – tregon se sa pak dinë. Këtë edhe kam pritur. Por çfarë s’kam pritur ka qenë rikapja e bordeve me familjarë, për çka replikojnë “Pronton” në tërësi. Këtu nuk dallojnë. Shihni Bordet e “Ibër Lepencit”, të “Postës” e të “Telekomit”. Janë të kapura nga familjarë partiakësh të pushtetit. Tani, çfarë dallon një kapje e tillë nga ajo çfarë kemi patur deri më tani?!

Nuk kam pritur as arrogancën e pushtetit jo ndaj partive opozitare; por ndaj qytetarëve. As atëherë kur ndodhin punësimet familjare, as atëherë kur nënshkruheshin kontrata korruptive, as atëherë kur ndodhnin fatkeqësi – as atëherë kur një ministër qeverie i bën katër muaj pa prezantuar asnjë punë të vetme të tij e saj. Kjo tregon se tani s’mërziten çfarë qytetarët mendojnë për ta. 14 shkurti vërtetë është ditë transformuese në Kosovë, por 14 shkurti s’është fundi; është veçse fillimi. Pra nga aty do të duhej të niste puna e një Qeverie që jo vetëm se ka ngritur pritjet e qytetarëve shumë; porse ka vërtetë probleme me të cilat duhet të merret me urgjencë, e probleme që prekin vendin tonë të përbashkët. Këta ende janë në fushatë. Popullistë në skajshmëri.

Ka zëvendësim të një kushëriri me një tjetër, nga një parti në tjetrën;

Problemin kryesor të kësaj Qeverie e shoh tek mungesa e theksuar e vizionit dhe projekteve transformuese për vendin. Nuk ka nisma të mëdha, nuk ka plane për investime të mëdha, nuk ka rrugëtime politike të mëdha. Dhe nuk po flas për projekte të përfunduara, meqë është ende fillimi, por nuk ka as ide për to; s’flitet për to, s’mendohet për to. Sepse nuk janë. Nuk ekzistojnë. Pra mungon vizioni. Ka zëvendësim të një kushëriri me një tjetër; nga një parti në tjetrën; aty këtu ndonjë shkarkim – herë i merituara herë jo e kolektiv, por që në fund, po të mbeten vetëm këtu, e lënë Kosovën kështu siç është e siç ka qenë tash e sa vjet. Ka simbolikë. Numra vendimesh – sa vendime janë nxjerrë sot – por jo përmbajtje të tyre; pra çfarë këto vendime thellësisht ndryshojnë. Këtë punën e numrave të vendimeve e përdorin qeveritë e paafta. S’është risi.

Pra ka fokus për të shkuarën; për 20 vitet e shkuara; e nuk po flitet për 20 vitet e ardhme. Vitet e shkuara s’i rijetojnë më qytetarët tanë. Ata i kanë po të njëjtat spitale, po të njëjta shkolla, po të njëjtat gjykata, po të njëjtat halle tash e për plot vjet e ardhme nëse nuk merret një Qeveri me to në thelb.

Deri diku, kjo mungesë qëllimi i tyre edhe nuk më habitë. Sepse pjesa më e madhe e Qeverisë së tanishme, gjysma e më shumë e saj, kanë qenë drejtorë komunal të Prishtinës; në stagnimin më të madh që Kryeqyteti ka patur ndonjëherë. Të njëjtit janë sot në Qeveri. S’kanë prodhuar asgjë në Kryeqytet për 6 vjet sa kishin pushtet të plotë; s’do të prodhojnë asgjë në qendrore njerëzit e njëjtë.

Do të merr kohë, natyrisht, para se qytetari do të kuptojë në plotni thatësinë e kësaj qeverie por ajo ditë do të vjen. Dikur, do të shohin ase asgjë nuk po ndryshon. Secili pushtet ka ditën më të mirë; kulmin, dhe natyrshëm rënien. Me arrogancën e treguar, me paaftësinë qeverisëse në vazhdimësi; me skandalet e nepotizmit e familjarizmit, kjo rënie është më e shpejtë se që kemi menduar fillimisht.

Gazeta Express: Të hënën në Bruksel është mbajtur takimi i dytë ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Pala kosovare tregoi se ka paraqitur një deklaratë për paqe ndërmjet dy shteteve, por u refuzua nga pala serbe. A mendoni se kjo është rruga e duhur për të arritur paqen me Serbinë?

Lumir Abdixhiku: Unë nuk shoh dialog. Shoh takime për konsum të brendshëm politik për të dyja vendet. Tani, që të jem i qartë. Mendoj se ballafaqimi me Serbinë duhet të jetë i vërtetë dhe i guximshëm. Edhe t’i përkujtohen krimet gjenocidiale të shkuara, edhe dekonstruktiviteti i njëzet viteve të shkuara, edhe mospendesa për të shkuarën, edhe glorifikimi i kriminelëve të luftës – mbi të gjitha – edhe pozicioni i tanishëm i shtetit serb që paraqet agresion të vazhdueshëm politik e të sigurisë dhe jo vetëm.

Por t’i thuash gjithë këto Serbisë s’është edhe ndonjë risi. Këndej ka njerëz përplot që kanë tejkaluar fjalët e kanë bërë luftën me të. Kanë ngritur sisteme rezistence – paqësore e të armatosura në kohëra shumë më të vështira. Çfarë t’i thuhet Serbisë, besoj, e ka të qartë secili këndej me minimalisht ndjenja patriotike për Republikën e Kosovës. Kosova nuk e ka problemin e presionit në Serbi. Kosova problemin e ka të presionit eventual nga komuniteti ndërkombëtar. Sepse nga ne kërkohet marrëveshje. Dhe marrëveshja, për ta bërë Kosovën vend të BE-së, vend të NATO-s e vend të OKB-së, është në interes të rrugëtimit tonë politik. Jo marrëveshje me çdo kusht, jo marrëveshje që rrezikon integritetin terriotrial tonin; jo marrëveshje që rrezikon funksionimin e shtetit të Kosovës, por marrëveshje që hapë rrugë për t’i arritur interesat tona strategjike. Prandaj puna e kësaj qeverie në këtë drejtim do të vërehet jo në raport me Serbinë, por në raport me komunitetin ndërkombëtar. Sepse NATO-n, BE-në e OKB-në, nuk na e jep Serbia, por komuniteti ndërkombëtar; dhe si sillemi ndaj pritjeve të tyre është më thelbësore para sjelljes karshi Serbisë. Kjo e fundit është standard tashmë qindra vjeçar,

Mbi të gjitha, për të arritur marrëveshje, çfarëdo qoftë ajo – e gjithsesi në interes tonin – kur bëhet fjalë për dialogun – na duhet të kërkojmë domosdo prezencën së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vetëm një akter si SHBA mund të garantojë një marrëveshje të tillë. Përderisa Qeveria e Kosovës, me vetëdije të plotë, nuk kërkon prezencën e SHBA-së në dialog; dhe se këtë prezencë mendon ta zëvendësojë me një zyrtarë mesatar si Lajçak; atëherë e njëjta ose nuk din ose nuk do; ose as s’di as s’do. Dialogu në Bruksel, në ndërmjetësim të Lajçak e Borell, pa një prezencë ndërmjetësimi prej SHBA-ve, është veçse një vizitë turistike që për fund prodhon material për konsum të brendshëm e elektrifikim të masave. Ata bëhen që po ndërmjetësojnë, ne bëhemi që po dialogojmë. Këtë edhe po arrijnë atje. Këtë popullistët bëjnë – derisa një ditë të kuptojë secili që sa e thatë një rrugë e tillë është.

Gjithsesi, Qeveria Kurti i ka krejt. Mund të udhëheqë këtë proces; dhe do t’i bartë përgjegjësitë për çfarëdo përfundimi; përfshirë edhe stagnimin e rrugëtimit tonë politik në rrugëtimin euroatlantik. Ne si LDK i kemi kërkuar Kryeministrit të ketë një platformë politike, ku prezantohen qëndrimet e palës sonë, e ku tregohen synimet përfundimtare – njohja si rezultat kryesor. Një platformë e tillë as nuk është dhënë e as nuk është prezantuar në Kuvend. Ne madje i kemi dorëzuar edhe një platformë të parimeve që kanë mundur ta adaptojnë. Pikërisht për këtë qasje, të mungesës së platformës e mungesës së transparencës, kemi kritikuar Qeveritë paraprake sa ishim në opozitë. Qeveria e tanishme, po i përsëritë të gjitha hapat e njëjta të cilat i kritikonim bashkërisht dikur.

Gazeta Express: Po për përbërjen e ekipit negociues, çfarë vlerësimi keni? Pse LDK nuk ka pranuar të jetë pjesë e procesit drejtpërdrejt në ekipin negociues?

Lumir Abdixhiku: Sepse jemi në opozitë. Sepse qytetarët e Kosovës i kanë besuar një partie tjetër udhëheqjen e këtij procesi. Sepse jemi në Kuvend e në Kuvend do të ushtrojmë rolin tonë mbikqyrës të këtij procesi. Sa për ta përmirësuar, nëse ka defekt, sa për ta ndihmuar nëse ka mundësi. Por barra përfaqësuese dhe dhënia e zgjidhjeve i bie një Qeverie që ka shumicën absolute në vend. Ekipet negociatore kanë patur kuptimin para zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. Tani që kemi shtetin tonë, institucionet tona, Qeverinë tonë, ekipet negociatore do të ishin hap prapa në përfaqësimin institucional. Nuk jemi grupe fisesh; jemi shtet i pavarur e sovran me institucione që derivojnë nga vullneti i popullit. Ky popull flet në Parlament nëpërmjet përfaqësuesve politik të vet; ku edhe LDK ka rolin e saj.

Gazeta Express: Nga analistët e zhvillimeve politike, LDK është kritikuar se nuk po ia bën mjaftueshëm opozitën Qeverisë Kurti. Madje opozitë më e fortë se ju dhe partitë tjera parlamentare, është konsideruar Partia Socialdemokrate, e cila nuk ka asnjë përfaqësues në Kuvendin e Kosovës. A po përdorni ndonjë strategji e cila do t’i shërbejë në ndonjë mënyrë partisë tuaj, apo ky është stili i LDK-së i të bërit opozitarizëm?

Lumir Abdixhiku: Tani disa analistë, gjithmonë kanë kritikuar LDK-në, si në pozitë si në opozitë. Herë me të drejtë, shumë herë pa të drejtë. Këtë herë, siç po e lexojë unë, mungesën e guximit të tyre për të kritikuar e për tu marrë me një pushtet absolut, po e zëvendësojnë me gjueti ndaj LDK-së. Sepse e kanë më të lehtë. Mos të frigohen. Secili pushtet ka kohën e vet. Kemi kaluar edhe pushtete më të rënda e më të fuqishme në vend. Të përballen edhe me këtë. Në fund, fati i tyre e i fëmijëve tanë nuk varet nga opozita, por nga një pushtet absolut. Kritikat konstruktive natyrisht i marrim për të mirë. Përmirësohemi. S’jemi të pagabueshëm.

Që ta bëj të qartë, unë, ne, të gjithë këtu në LDK, çdo hap tonin opozitar e kemi të menduar mirë. Asgjë s’është e rastësishme. Ne nuk do të replikojmë opozitën e deritanishme në Kosovë. Nuk e kemi pranuar atëherë, nuk e pranojmë tani, nuk do ta pranojmë asnjëherë. Ndonëse respektojmë rrugën si mjet politik, rruga s’është mjet i yni politik. Nuk kopjojmë asgjë sepse kopja është gjithherë prapa origjinalit. Dhe, natyrisht, këtë tregim e kemi parë tashmë. Një opozitë e rrugës porsa bëhet pushtet ndryshon krejt.

Opozita jonë, e LDK-së, është rrugë e tretë. Alternativë e ardhshme ndaj një pushteti të majtë e popullist; me zgjidhje të djathta, euroatlatnike, me angazhim institucional e me punë. Një opozitë që nuk kritikon veçse është opozitë. Unë do të bëj opozitë jo duke zhurmuar sepse jemi në opozitë, por duke dëshmuar se jemi të denjë për pozitë.

Nuk mund të bësh opozitë duke mos ndryshuar asgjë brenda vetes. Të sillesh që gjithçka tek ti është në rregull e që një popull i tërë e ka gabim, është vazhdim i spirales rënëse. Është refuzim kokëfortë i gjendjes në të cilën ke rënë me po aq kokëfortësi. Unë e kam lexuar qartë mesazhin qytetar. Po përpiqemi të japim një alternative, duke ofruar njerëz të denjë e të mirë, përplot të tillë që i kemi brenda, e të tjerë që na bashkëngjiten në vazhdimësi. Mbi të gjitha, duke e mbajtur gjallë idenë themeltare të LDK-së, që në zgjedhjet e fundit ishte në rrezik ekzistencial.

Pra, kohën e tanishme opozitare po e shfrytëzojmë vetëm për këtë qëllim. Organizim, hapje, takim me qytetarë – rikthim besimi gradual. Dhe duhet kohë. Nuk mundem as unë, e askush tjetër që bën këtë përpjekje tani, që pushtetin që e ngritën me gabime vetanake për 15 vjet, ta rrëzojë për 100 ditë. Edhe më pak të drejtë kanë këtë kërkesë ta shtrojnë të njëjtit që kontribuuan në këtë rënie tonën e në rritjen e tyre.

Dhe zgjedhjet e tetorit do të dëshmojnë që kjo rrugë opozitare, moderne e përparimtare, është rruga që qytetarët do të vlerësojnë më së shumti. Partitë tjera mund të zgjedhin rrugë tjera, është e drejta e tyre. Në fund të gjithë jemi ndryshe, s’kemi të përbashkëta shumë; e përbashkëta e vetme është se na vlerëson i njëjti votues. Unë jam i bindur, e do të bindeni edhe ju, me vlerësimin pozitiv të votuesit për ne për shkak të rrugës që kemi zgjedhur.

GAZETA EKSPRESS

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

diaspora diaspora lumir abdixhiku lumir abdixhiku

Sondazh

Poll
Bota 27 Korrik 2021, 11:09

KOSOVË-Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia ka konfirmuar lajmi se 26 bashkatdhetarët të cilët po trajtoheshin në spitalin e Sllavonski Brod, ka...

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni