Aktualitet

Lobimi rus në SHBA/ Imeraj kërkon llogari dy prokurorëve të dosjes së Bashës: Vendimi nul, nëse s’keni respektuar ligjin, 3 ditë kohë për përgjigjen

Për këtë vendim, Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj, ka bërë me dije se u ka kërkuar me shkrim informacion dy prokurorëve.
Featured image of article: Lobimi rus në SHBA/ Imeraj kërkon llogari dy prokurorëve të dosjes së Bashës: Vendimi nul, nëse s’keni respektuar ligjin, 3 ditë kohë për përgjigjen Elisabeta Imeraj

TIRANË– Vendimi i dy prokurorëve të Prokurorisë së Tiranës, Ervin Karanxhës dhe Gjergji Takos, për të pushuar akuzën e pastrimit të parave ka lënë shumë pikëpyetje.

Për këtë vendim, Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj, ka bërë me dije për Report TV se u ka kërkuar me shkrim informacion dy prokurorëve.

Imeraj ka kërkuar nga dy prokurorët e çështjes që të sqarojnë se përse nuk është marrë në pyetje Nik Muzin, pas marrjes së dakordësisë nga pala amerikane, që lejonte prokuroritë shqiptarë për të pasur dëshminë e tij.

Gazetari i Report TV, Arsen Rusta raporton se Imeraj ka kërkuar sqarim për mënyrën sesi është përjashtuar nga vendimi, prokurori tjetër, Kol Hysenaj, dhe vënien në dispozicion të procedurës së ndjekur.

Për të sqaruar paqartësitë e këtij vendimi, dy prokurorët kanë tre ditë kohë, ndërsa Imeraj ka paralajmëruar se vendimi në fjalë është nul nëse nuk është respektuar ligji.

Prokuroria e Tiranës mori të pandehur kreun e opozitës Lulzim Basha për dosjen e lobimit me para ruse në SHBA në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, dhe i kërkon gjykatës të caktojë datën e gjyqit për Bashën, Arben Ristanin dhe financierin e PD Ilir Dervishin.

Sipas njoftimit të siguruar nga Report Tv, Basha është i pandehur vetëm për falsifikim formulari në lidhje me deklarimet e shpenzimeve pranë KQZ, ndërsa akuza e “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ka rënë.

Lulzim Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishaj janë marrë të pandehur nga Gjykata për lobimin në SHBA. Prokuroria ka rrëzuar një akuzë, dhe tashmë për tre funksionarët e PD rëndon vetëm akuza për ‘falsifikim dokumentave’. Ristani ka reaguar dhe ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur dashakqësi. Ndërkohë ka ardhur një reagim dhe nga Taulant Balla, i cili shprehet i pakënaqur me Prokurorinë. Basha, Ristani e Devishaj rrezikojnë deri në 7 vite burgim.

Marrë nga Shqiptarja.com

(a.m/dosja.al)

Shto Koment