Edi Rama
SKRAPAR- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim elektoral në Skrapar. Rama shpjegoi se me nisjen e reshjeve të shiut u detyruan që të bënin disa ndryshime në kushtet e zhvillimit të takimit, megjithatë ai tha se ky është oguri i bereqetit për mandatin e katërt. Ai shtoi se me fillimin e punës do shtohen vlerat e tokave, pasurive dhe menjëherë ata që kanë ikur do rikthehen.
"Kam qenë këtu edhe më parë, por kjo sallë kaq e zjarrt më bind përfundimisht që Ervini kishte shumë të drejtë kur në listën e mbyllur vendosi një vajzë nga Skrapari. Dhe, nga një anë më vjen keq që na zuri shiu dhe jemi detyruar të jemi këtu dhe ka akoma shumë njerëz jashtë. Nga ana tjetër më vjen mirë sepse besoj se është oguri i bereqetit për mandatin e katërt.
E di që ka kaluar kohë, por shpresoj dhe besoj shumë në mirëkuptimin tuaj që u desh ca durim nga ana juaj, por ama në mandatin e katërt ka ardhur dhe koha e rrugës Berat-Skrapar, e cila synojmë ta bëjë lidhjen që sot është e vështirë. Nga rruga erdha. Nuk është fort e lehtë ta bëjmë 30 minuta Beratin me Skraparin dhe njëkohësisht dhe paralelisht të bëjmë lidhjen e Beratit dhe Përmetin dhe me gjithë këto kanione dhe këto bukuri, të keni një destinacion të zhvilluar turistik.
Jam i bindur që me gjitha zhvillimet e turizmit dhe potencialin që ka Skrapari, me fillimin e punës do shtohen vlerat e tokave, pasurive dhe menjëherë ata që kanë ikur, por janë shumë të lidhur… se ju skraparllinjtë ju gjen nga katër anët e vendit dhe botës, nuk e di sa jeni, por ama lidhjen me rrënjët e keni shumë të fortë dhe jam i bindur se shumëkush do të kthehet këtu", tha Rama.