Martin Bardhi
MIRDITË- 30-vjeçari i vrarë sot me armë zjarri në autostradën Fier-Vlorë, Kristian (Marku) Bardhi është nipi i Martin Bardhit, i njohur edhe si Marjan Marku. Në vitin 2023, Marjan dhe Kristjan Marku u përfshinë në një atentat me armë zjarri në qytetin e Rrëshenit ndaj Sajmir Reçit, nipit të Kastriot Reçit. Në atë kohë, të dy zbritën nga makina dhe hapën zjarr me breshëri plumbash ndaj makinës së Sajmir Reçit i cili arriti t’i shpëtonte atentatit.
Saimir Reçi e ka përshkruar në detaje momentin kur Kristian Marku, alias Kristi Bardhi, ishte i përfshirë në atentatin ndaj tij, bashkë me të afërm të tjerë të familjes Bardhi. Sipas dëshmisë së Reçit, konflikti mes tij dhe familjes Bardhi nisi disa muaj më parë, kur ai u përball me një situatë të tensionuar pranë shtëpisë së tij.
“Në lidhje me konfliktin me familjen e viktimës, Martin Bardhi, gjithçka ka nisur kur po dilja nga banesa dhe pashë djalin e shtetasit Paulin Lleshi pranë shtëpisë time. Ai ishte në mjetin e tij, ndërsa një person tjetër po filmonte nga shtëpia ime,” tha Reçi në dëshminë e tij. Ai tregoi se ndaloi personat që po filmonin dhe pas një përplasjeje verbale, ai e goditi me shpullë djalin e Paulinit.
“Në këtë moment, personi që ndodhej në mjet me të reagoi dhe e godita edhe atë me shpullë,” shtoi Reçi. Pas rreth 30 minutash, Saimir Reçi po lëvizte me automjetin e tij, kur përballë lokal “Filopati”, ai pa një automjet “Audi” që i kishte bllokuar rrugën.
“Nga automjeti ‘Audi’, zbritën shtetasit Erind Bardhi, Kristi Bardhi dhe bashkë me ta u afrua edhe babai i Erindit, Martin Bardhi. Ata mbanin pistoleta në duar dhe nisën të qëllonin në drejtim të mjetit tim. Gjatë kësaj kohe, Erindi qëlloi në xhamin e mjetit tim, dhe më pas edhe Kristi, ndërkohë që unë, për t’u shpëtuar, kam bërë një aksident tek karburanti ‘Kthella’”, ka deklaruar ai.
Nga ana tjetër, Martin Bardhi do të vritej vetëm pak muaj më pas në kafenenë e qytetit, menjëherë sapo kishte dalë nga burgu. Martin Bardhi është përfolur edhe për përfshirjen në vrasjen e Kastriot Reçit me snajper në mes të qytetit të Rrëshenit teksa dyshohet se përplasja mes tyre dhe fisit Reçi ka nisur disa vite më parë, për shkak të një sherri për parakalim të gabuar nga djali i Martin Bardhit, ku në atë kohë të dyja palët u përplasën fizikisht.