Politike

Listat dhe heqja e koalicioneve, Gjermania: Po rrezikoni integrimin/ Opozita akuza Ramës. Kryeministri: Kërcënimet po rrezikojnë paktin 5 e qershorit

  • ‘Ligjet’ miratojnë ndryshimet: Hapen pak listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore
  • Ndryshimet kushtetutese hapin debat. Deputeti i CDU/CSU kërcënon me bllokim të negociatave. Opozita shprehet se është grisur marrëveshja e 5 qershorit. Rama reagon dhe shkruan se kërcënimet e opozitës rrëzikojnë paktin e Këshillit Politik.
    Featured image of article: Listat dhe heqja e koalicioneve, Gjermania: Po rrezikoni integrimin/ Opozita akuza Ramës. Kryeministri: Kërcënimet po rrezikojnë paktin 5 e qershorit Foto ilustrim
    Përditësuar:

    TIRANË- Komisioni i Ligjeve me unanimitet të plotë ka miratuar sot ndërhyrjen në Kushtetutë që përcakto, hapjen pjesore të listave dhe heqjen e koalicioneve. Të gjithë deputetët e pranishëm në mbledhjen online, pas debateve ngritën dorën dhe i dhanë dritën jeshile kërkesave të opozitës së re.

    Pas miratimit të ndërhyrjes në Kushtetutë, erdhi dhe reagimi i parë ndërkombëtarë. Nënkryetari i grupit të CDU/CSU, Johann Wadephul është shprehur kundër dhe ka bërë një kërcënim. Në një deklaratë për mediat, deputeti i partisë së Merkel është shprehur se qeveria dhe opozita e re duhet të tërhiqen nga kjo nismë, pasi po thyejnë marrëveshjen e 5 qershorit.

    Kërcënimi i tij vijoi më tej duke thënë se nëse miratohen ndryshimet ne 30 korrik, Shqipëria rrezikon rrugën drejt integrimit Evropian. Një përgjigje për deputetin gjerman erdhi nga Taulant Balla, i cili shkroi se PS do përfundojë marrëveshjen e 5 qershorit.

    Por më herët, opozita e bashkuar me një qëndrim të përbashkët ishte shprehur se ndërhyrja në Kushtetutë po minon paktin e arritur në Këshillin Politik dhe që është mbështetur nga të gjithë ndërkombëtarët. Pas opozitës një reagim erdhi dhe nga Presidenca, ku Tedi Blushi shprehej se Kuvendi ka 82 deputetë legjitimë, duke nënkuptuar se nuk ka fuqi për të ndërhyrë në Kushtetutë, pasi duhen 94 vota.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Përgjigja për Presidentin dhe opozitën e bashkuar erdhi nga Rama. Kreu i qeverisë në një postim bën me dije se PS do të miratojë marrëveshjen e 5 qershorit, po i bën thirrje opozitës që të heqë dorë nga kërcënimet pasi po rrezikon grisjen e këtij pakti. Më tej Rama i përgjigjet dhe Presidentit, duke thënë se Kuvendit është institucion zyrtar, i dëgjon të gjithë dhe në fund merr vetë vendime.

    ÇFARË NDODHI SOT TEK LIGJET?

    Maxhoranca dhe opozita e re kanë miratuar sot ndryshimet e Kushtetutës. Komisioni i Ligjeve me 100% të votave miratoi sot heqjen e koalicioneve, gjë që do të sanksionohet në Kushtetutë. Po ashtu është vendosur dhe hapja e listave, por nuk do të ketë një hapje të tërësore, por vetëm 1/3 e të gjithë listës shumëemërore. Po ashtu sot është vendosur dhe vendosja e pragut elektoral, që në qarqe do të jetë prag natyral, por shpërndarja e mandateve do të bëhet vetëm për partitë që do marrin 5% të votave në rang kombëtar.

    (A.B. Dosja.al)

    • 18:36

      PD i përgjigjet Ramës me Wadephul: Lexoje mirë këtë deklaratë të Bundestagut dhe lëri lojërat e pista politike në kurriz të shqiptarëve

      Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është përgjigjur Kryeministrit Edi Rama. Në një deklaratë në mediat sociale, Bardhi shkruan se  të gjithë e kanë kuptuar se Rama ka frikë nga zgjedhjet dhe nga humbja e pushtetit. 

      Gazment Bardhi dhe Edi Rama

      Më tej nurmi 2 i PD, i bën thirrje Ramës që të lexojë me vëmendje deklaratën e Bundestagut dhe të lërë lojëra politike në kurriz të shqiptarëve. 

      REAGIMI I BARDHIT

      Të gjithë e kanë kuptuar tmerrin tënd nga zgjedhjet, por frika jote nga humbja e pushtetit nuk mund të marrë peng Shqipërinë. Edi Rama lexoje mirë këtë deklaratë të Bundestagut dhe lëri lojërat e pista politike në kurriz të shqiptarëve. 👇

      Deklaratë e Zv.kryetarit të Grupit të CDU-CSU në Bungestag Johann David Wadephul: “….Ndryshimet kushtetuese do të minonin tërë reformën zgjedhore dhe kështu do ta asgjësonin atë. Në praktikë, kjo do të thoshte, se Parlamenti shqiptar do të bënte të pavlefshme reformën zgjedhore të arritur me marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo do të vendoste parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, të marrë në mars të këtij viti, dhe do të vinte në veçanti në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

      Për më tepër, një qasje e tillë do të ishte një shkelje e jashtëzakonshme e besimit ndaj BE-së, OSBE-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për arritjen e një reforme të mirë zgjedhore. Bundestagu gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje. Prandaj u bëj thirrje kolegëve në Parlamentin shqiptar: Bëni një hap të madh drejt forcimit të demokracisë në vendin tuaj dhe miratoni reformën zgjedhore siç përcaktohet në marrëveshjen e 5 qershorit. Dhe hiqni dorë nga ndryshimet e planifikuara kushtetuese që do ta shkatërronin reformën zgjedhore.  Vetëm atëherë ju do të keni akoma mbështetjen e fortë të Bundestagut gjerman. Prandaj: mos vini në pikëpyetje perspektivën e BE-së për vendin tuaj! Populli shqiptar nuk e meriton këtë!”

    • 18:12

      Rama i përgjigjet opozitës dhe Presidentit: Kuvendi është sovran, kërcënimet po rrezikojnë paktin e 5 qershorit

      Kryeministri Edi Rama ka komentuar ndryshimet e miratuara sot në Komisionin e Ligejve. Në një postim në mediat sociale, Rama u është përgjigjur dhe reagimeve nga opozita dhe Presidenca, që nuk janë dakord me ndërhyrjen në Kushtetutë. Kreu i qeverisë shkruan se marrëveshjen e arritur me opozitën jashtëparlamentare do ta zbatojnë pikë për pikë, por bën me dije se sharjet dhe kërcënimet që po bëhen në drejtim të qeverisë po rrezikojnë paktin.

      Edi Rama

      Kryeministri një përgjigje e ka dhe për Metën, ku shkruan se i kujton që Kuvendi është sovran, i dëgjon të gjithë por në fund vendos vetë. “As Jashtëparlamentarja, as Presidencialja s’duhet tê merakosen për fatin e koalicioneve parazgjedhore, sepse askush nuk do t’i ndalojë të vazhdojnë ta ndajnë ombrellën e opozitës së bashkuar edhe në zgjedhje! Taksirat ta ndjekin parlamentin që e duan s’e duan është vendimmarrësi!”, shton ai.

      REAGIMI I PLOTË

      Shoh agjitim në radhët e opozitēs jashtëparlametare dhe asaj presidenciale për hapin e hedhur sot në Kuvend drejt hapjes së listave! Jashtëparlamentares i kujtoj se kemi një marrëveshje e do ta zbatojmë në çdo pikë, po kjo s’do të thotë që sharjet e provokimet nuk e rrezikojnë

      Presidenciales i kujtoj se Kuvendi është sovran, i dëgjon të gjithë po vendos vetë! Dhe hapja e listave për t’i dhënë mundësi edhe qytetarëve e jo vetëm kryetarëve të zgjedhin deputetë, si dhe garantimi i përfaqësimit të grave në kushtet kur listat hapen, i bëjnë mirë vendit…

      As Jashtëparlamentarja, as Presidencialja s’duhet tê merakosen për fatin e koalicioneve parazgjedhore, sepse askush nuk do t’i ndalojë të vazhdojnë ta ndajnë ombrellën e opozitës së bashkuar edhe në zgjedhje! Taksirat ta ndjekin parlamentin që e duan s’e duan është vendimmarrësi!

    • 17:34

      Presidenca: Kuvendi ka 82 deputetë legjitimë, të distancohemi nga aventurierët dhe Haxhi Qamilët

      Presidenca me anë të zëdhënësit të Ilir Metës, Tedi Blushi, ka komentuar ndryshimet kushtetuese të miratuara sot në Komisionin e Ligjeve. Në një reagim në mediat sociale, Blushi shprehet se Kuvendi aktuar ka vetëm 82 mandate legjitime, duke lënë të kuptohet se nuk mund të marrë dot vendime me shumicë të cilësuar, siç janë ndryshimet kushtetuese që duan 94 vota. 

      Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit

      Më tej zëdhënësi i Presidenti shprehet se e ardhmja europiane e Shqipërisë është ealternativa e vetme e të gjithë qytetarëve të këtij vendi, të gjithë të distancohen nga aventurierët dhe Haxhi Qamilët.

      “Lidhur me lajmet e fundit për disa ndryshime kushtetuese, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta thekson se Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitimë, ku përfshihen edhe tre deputetët të cilët nuk pranuan të dorëhiqeshin pas vendimit të Opozitës së Bashkuar. 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të partive opozitare refuzuan të ishin pjesë e Kuvendit.

      Edhe pse shteruan të gjitha listat e partive opozitare prej 18 muajsh, Kuvendi ka formalisht vetëm 122 deputetë nga 140 deputetë që është detyrimi kushtetues. Procesi i zëvendësimit ka qenë haptas antikushtetues dhe antiligjor. Ndaj është koha t’i jepet fund çdo marrëzie, fundi i së cilës dihet qartë.  E ardhmja europiane e Shqipërisë është alternativa e vetme e të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Të gjithë të distancohen nga aventurierët dhe Haxhi Qamilët! SHQIPËRIA E PARA! 🇦🇱 SHQIPËRIA SI GJITHË EUROPA! 🇦🇱🇪🇺”, shkruan Blushi.

    • 17:27

      Balla i përgjigjet ‘këcënimit’ nga CDU/CSU: PS po çon përpara marrëveshjen e 5 qershorit

      Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar pas deklaratës së nënkryetar i Grupit të CDU-CSU në Bungestagun gjerman, Johann David Wadephul, i cili bëri thirrje që reforma zgjedhore të miratohet në Parlament pa ndryshime.

      Taulant Balla dhe Johann David Wadephul

      Balla në një postim në mediat sociale shkruan se Partia Socialiste është duke punuar për të bërë një marrëveshje të suksesshme për të dyja opozitat.

      PS është duke punuar shumë për të bërë një marrëveshje të suksesshme për të dyja opozitat. Ne po e çojmë përpara marrëveshjen e 5 qershorit & plotësojmë punën me demokratizimin e mëtejshëm të zgjedhjeve duke hapur listat në mënyrë që njerëzit të zgjedhin partinë dhe kandidatin! PS meriton përgëzime për këtë“, shkruan Balla.

    • 16:26

      Wadephul kërcënon: Tërhiquni ose bllokojmë hapjen e negociatave me BE

      Nënkryetari i i grupit të CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Johan Wadephul, ka bërë një koment të ashpër pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në Komisionin e Ligjeve, që parashikojnë hapjen pjesore të listave dhe heqjen e koalicioneve. Në një deklaratë për mediat, Wadephul shprehet kundër qeverisë dhe Kuvendit dhe bën thirrje që të tërhiqen nga kjo nismë pasi në të kundërt do të bllokohen negociatat për në Bashkimin Evropian.

      Johann Wadephul

      Ai shprehet se ndryshimet në Kushtetutë minojnë të gjithë Reformën Zgjedhore dhe po e asgjësojnë atë. Numri dy i grupit të CDU/CSU shton se këto ndryshime të miratuara sot do të thonë se Parlamenti shqiptar do të bënte të pavlefshme Reformën Zgjedhore të arritur me marrëveshjen e 5 qershorit.

      DEKLARATA E PLOTË

      Me marrëveshjen e 5 qershorit dhe marrëveshjet e tjera të bazuara mbi të, qeveria dhe opozita kanë hartuar një reformë të mirë zgjedhore. Kjo reformë zgjedhore tani duhet të miratohet nga Parlamenti pa ndryshime, ashtu siç përcaktohet në marrëveshjen e 14 janarit 2020. Atëherë do të përmbushej kërkesa e bërë nga BE dhe Bundestagu gjerman për të kryer një reformë zgjedhore në një proces gjithëpërfshirës midis qeverisë dhe opozitës – përfshirë opozitën ekstra-parlamentare. Por tani po dëgjojmë për vendime në Parlament, për të ndryshuar marrëveshjet e 5 qershorit dhe kushtetutën, duke ndaluar formimin e koalicioneve zgjedhore nga partitë përpara zgjedhjeve. Të dyja këto ndryshime, nëse do të miratohen nga Parlamenti, do të ishin një shkelje serioze e marrëveshjeve të 5 qershorit dhe 14 janarit.

      Ndryshimi kushtetues për më tepër do të minonte tërë reformën zgjedhore dhe kështu do ta asgjësonte atë. Në praktikë, kjo do të thoshte, se Parlamenti shqiptar do të bënte të pavlefshme reformën zgjedhore të arritur me marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo do të vendoste parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, të marrë në mars të këtij viti, dhe do të vinte në veçanti në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për më tepër, një qasje e tillë do të ishte një shkelje e jashtëzakonshme e besimit ndaj BE-së, OSBE-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për arritjen e një reforme të mirë zgjedhore. Bundestagu gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje.

      Prandaj u bëj thirrje kolegëve në Parlamentin shqiptar: Bëni një hap të madh drejt forcimit të demokracisë në vendin tuaj dhe miratoni reformën zgjedhore siç përcaktohet në marrëveshjen e 5 qershorit. Dhe hiqni dorë nga ndryshimet e planifikuara kushtetuese që do ta shkatërronin reformën zgjedhore. Vetëm atëherë ju do të keni akoma mbështetjen e fortë të Bundestagut gjerman. Prandaj: mos vini në pikëpyetje perspektivën e BE-së për vendin tuaj! Populli shqiptar nuk e meriton këtë!

    • 14:56

      Hapja e listave dhe ndalimi i koalicioneve, opozita e bashkuar del kundër: S’i bindemi Ramës

      Opozita e bashkuar ka dalë me qëndrim zyrtar pas miratimit të ndryshimeve të Kushtetutës në Komisionin e Ligjeve. Në një deklaratë zyrtare, PD dhe aleatët janë shprehur se përgjegjësia për prishjen e marrëveshjes së 5 qershorit është vetëm e Edi Ramës. 

      Opozita e bashkuar

      Opozita shkruan se “ky akt rikonfirmon se Edi Rama është një mashtrues tinzar që, për pushtetin e tij, shet interesat e vendit dhe të shqiptarëve, rrënon procesin e integrimit europian dhe izolon Shqipërinë, duke kërcënuar rëndë stabilitetin politik dhe shoqëror të vendit“. Më tej për Basha dhe aleatët shprehen se Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor duhet ta vendosin vetëm qytetarët me referendum popullor

      DEKLARATË E KOALICIONIT OPOZITAR

      Tentativa për prishjen e Dakordësisë së 5 Qershorit, të arritur me mbështetjen dhe ndërmjetësimin e plotë të partnerëve strategjikë SHBA – BE, është përgjegjësi VETEM e Edi Ramës. Ky akt minon procesin e integrimit europian të vendit dhe dëshmon përpara opinionit publik, se Edi Rama për pushtetin e tij personal është në gjendje të hedh në erë të ardhmen europiane të Shqipërisë.

      Çdo lojë e pisët për të ndryshuar në mënyrë të fshehtë dhe të njënashme Kushtetutën nga njeriu që është i tmerruar nga zgjedhjet dhe vullneti i qytetarëve, është dëshmi e fundit të tij të pashmangshëm. Ky akt rikonfirmon se Edi Rama është një mashtrues tinzar që, për pushtetin e tij, shet interesat e vendit dhe të shqiptarëve, rrënon procesin e integrimit europian dhe izolon Shqipërinë, duke kërcënuar rëndë stabilitetin politik dhe shoqëror të vendit.

      Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor e vendosin vetëm qytetarët me referendum popullor. Opozita e Bashkuar i bindet vetëm vendimeve që marrin qytetarët dhe jo interesave kriminale të pushtetit personal të Edi Ramës.

      Opozita e Bashkuar është e vendosur t’i shërbejë vetëm interesit të qytetarëve. Opozita e Bashkuar mbështet plotësisht qëndimet e qarta të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe rikonfirmon se i qëndron plotësisht kodifikimit pa asnjë ndryshim të Dakordësisë së 5 Qershorit, si baza minimale për krijimin e një klime normale për zgjedhjet në Shqipëri.

    Shto Koment