Aktualitet

Ligji për pronat shtetërore, qeveria planifikon shtetëzimin e bregdetit

Qeveria po planifikon një ndryshim në ligjin për pronat shtetërore. Sipas draftit, bregu i detit do të konsiderohet pronë publike e paluajtshme dhe e patjetërsueshme, duke bllokuar të gjitha hipotekimet.
Featured image of article: Ligji për pronat shtetërore, qeveria planifikon shtetëzimin e bregdetit Foto ilustruese

Problematikat e hasura me pronat në bregdet duket se kanë çuar qeverinë që të marrë një masë ekstreme për menaxhimin e tyre duke shtetëzuar të gjithë vijën bregdetare që nga Velipoja në Ksamil.

Në konsultim publik është hedhur drafti i cili bën një ndryshim në ligjin për pronat shtetërore ku janë bërë edhe dy ndryshime duke specifikuar ekzaktësisht se bregu i detit është pronë publike e paluajtshme dhe e patjetërsueshme duke bllokuar të gjitha hipotekimet e pronave që lidhen me vijën bregdetare.

Drafti vjen në një kohë kur në zona të vendit ka pasur përplasje të nxitura prej pretendimeve për pronat në bregdet dhe si një kusht i vendosur edhe në procesin integrues të vendit në Bashkimin Evropian. Kjo e fundit është vënë nga pala greke për pronat në jug ku banorët e zonave kanë pretendime të pronësisë.

Dokumenti

Kësisoj, nëse ky draft do të marrë dritën jeshile nga qeveria dhe më pas nga parlamenti do të paralizojë të gjitha proceset e kalimeve në pronësi për ato toka që shtrihen në bregdet.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ky është drafti i dytë që qeveria ka hartuar në harkun e pak ditëve që lidhet me menaxhimin e vijës bregdetare shqiptare. Pak ditë më parë. Euronews Albania publikoi edhe draftin tjetër, i cili parashikonte ndalimin e të gjitha ndërtimeve në bregdet përveç atyre që jepen me koncesion, apo përfshihen në investime strategjike.

Drafti i parë parashikonte gjithashtu konceptim e pronës private në bregdet ku specifikohej se në rast shitjeje të saj, shteti gëzonte të drejtën e parablerjes, ndërsa me projektin e ri, i gjithë bregu i detit parashikohet të kthehet në pronë publike.

Marrë nga Euronews

(g.sh./dosja.al)

Shto Koment