Rajoni

Lidhja Demokratike e Kosovës zgjedh sot kryetarin e ri

Kryetari i deritashëm i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa zyrtarizoi dorëheqjen e tij të cilën e kishte paraqitur menjëherë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, në të cilat kjo parti doli e treta me 12.7 për qind të votave
Featured image of article: Lidhja Demokratike e Kosovës zgjedh sot kryetarin e ri LDK

KOSOVË– Një muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Lidhja Demokratike e Kosovës është mbledhur për të zgjedhur udhëheqjen e saj të re, që do të përballet me trajtimin e shkaqeve që çuan në humbjen e saj më të thellë në zgjedhje që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Kryetari i deritashëm i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa zyrtarizoi dorëheqjen e tij të cilën e kishte paraqitur menjëherë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, në të cilat kjo parti doli e treta me 12.7 për qind të votave që i sigurojnë 15 vende në parlamentin 120 vendesh të Kosovës.

Tre veta janë në konkurrencë për postin e kryetarit të kësaj partie; nënkryetari Lutfi Haziri, si dhe anëtarët e kryesisë Lumir Abdixhiku e Besian Mustafa.

Në fillim të punimeve të kuvendit, kandidaturën e tij e tërhoqi ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni.

Sipas statutit të kësaj partie, kandidatët për postin e kryetarit duhet të sigurojnë miratimin e 178 anëtarëve apo 50 për qind plus një të 355 delegatëve të partisë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Lidhja Demokratike, partia më e vjetër në vend u themelua në vitin 1989 dhe për 16 vjet me radhë ishte drejtuar nga Ibrahim Rugova, ish president i Kosovës.

Pas vdekjes së tij në janar të vitit 2006, kjo parti u nda në Kuvendin e gjashtë zgjedhor dhe në nëntor të vitit 2007, për herë të parë humbi në zgjedhje.

Që nga vdekja e ish presidentit Rugova, e deri në vitin 2010 ajo u drejtua nga Fatmir Sejdiu, ish president i Kosovës, i cili u pasua në krye të partisë nga Isa Mustafa.

Marrë nga VOA

Shto Koment