Blog

LËVORJA…tregimi i së dielës

Mbasditet e prillit po ngroheshin dhe xhirot në qytet rrisnin adrenalinën. Krejt banorët delnin rrugëve. Zakon i vjetér,që nuk ndryshonte. Veç ditëve kur kishte futboll në tv.
Featured image of article: LËVORJA…tregimi i së dielës Agim Xhafka

Në qytet janë mësuar tashmë,e quajnë Lëvore,por kur e thërret kështu dikush në qytet tjetër,kalimtarët e rastit qeshin. Mendojnë se do e këtë llagap,ose më e mira mbiemër. Por ja që Raqi tashmë kthen kokën veç po e thirre,Lëvore. Po i the emrin e tij të vërtetë truri nuk i merr komandë. Rri indiferent.

Lëvore i ngeli këtu e para dyzetë vitesh. Atëhere qe 18 vjeç,maturant. Nxënës i shkëlqyer,njësh në matematikë. Mësues i kësaj lënde donte të bëhej. Numrat janë poezi,duhet të dish si t’i lexosh,u thoshte shokëve. Vasili,babai i tij që punonte në fabrikën e qelqit si pérzjerës i rërës së lumit,hera herës mbyllte sytë e i shfaqej Raqi me një çantë në dorë duke hyrë te gjimnazi e nxënësit e pérshëndetnin,mirëmëngjes presor,ditën e mirë profesor! Qe ëndérr e bukur,asnjë nga fisi i tyre nuk qe diplomuar në universitet,por ja që ka një herë të parë pér gjithçka. Raqi do nderonte gjakun e tyre. Do bëhej matematicien.

Njësoj shpresonte dhe djali. Ja,pas dy muajsh do mbaronte të mesmen e në shtator do i hypte autobuzit të Panajotit dhe fap në fakultet në Tiranë. I bënte flutura stomaku kur mendonte se dhe Ana,shoqja e tij që e donte aq shumë,por që i lidhej gjuha t’ja thoshte,do studjonte pér fizikë. Në një ndërtesë do ishin. Kaq i mjaftonte që t’i jepte liri fantazisë. Sikur do dashuroheshin bashkë,sikur do shkonin të punonin në të njëjtën shkollë e pastaj do martoheshin. Fëmijët do u vinin rresht,një,dy,tre,katér.. Do ia kalonte babait të Anës që kishte pesë bijë e bija.

Mbasditet e prillit po ngroheshin dhe xhirot në qytet rrisnin adrenalinën. Krejt banorët delnin rrugëve. Zakon i vjetér,që nuk ndryshonte. Veç ditëve kur kishte futboll në tv. Ladit që banonte një kat poshtë Raqit,i kishte dëguar xhaxhai nga Amerika një Phonola. Bardh e zi,se ashtu qenë atëhere të gjithë televizoret,por ama futbollin e shihje sikur ishe në stadium brenda. Te dhoma e Ladit rrinin mbi 40 fëmijë e të rinj. E deri sa bëhej gol askush nuk fliste. Sa topi hynte në rrjetë gjysma gati hidhej nga dritarja prej gëzimit,gjysma tjetër gati delnin nga dera per të ikur prej hidhërimit. Por për dy minuta,se më pas vendosej qetësia. Të gjithë ulnin bythën në çimento e sytë mbi ekran,të tromaksur para  çdo gjuajtje sikur u shfaqej në ekran krokodili gojëshqyer.

Raqi ishte tifoz i Argjentinës. Ato mote ai shtet kishte ekip famoz. Pikërisht nga një ndeshje futbolli atij i ra pika. E goditi kaq keq,sa kanceri do quhej lule.

Kur po kalonin dhjetë minuta nga fillimi i lojës dikush nga çunat e ulur pértokë tha:

-Si nuk lodhen fare këta argjentinasit?

Raqi ia ktheu xhevap:

-Po nuk ushqehen me lëvore pemësh si futbollistët tanë.

Qeshën thuajse të gjithë. Raqi iku në shtëpi i lumtur se fitoi ekipi i tij dhe afër mëngjesit kérciti dera. Fort dhe papushim. Doli babai i Raqit,e shtynë tej,rrëmbyen çunin,e futën në gaz dhe para një burri me kostum doku dëgjoi:

-Futbollistët tanë ushqehen me lëvore,more armik i atdheut?

Nuk arriti të fliste se hëngri breshëri grushtash. Pas tre ditësh 40 dëshmitarë thanë se ato fjalë i kishte thënë  Raqi. E dënuan plot 25 vjet. Asnjë lehtësi,nuk u muar parasysh se ishte nxënës shëmbullor dhe familja ishte e nderuar. Një mëngjes drejt Ballshit. Pastaj në Patos,Elbasan,Kurbnesh,Bulqizë dhe në fund në Spaç. Provoi thuajse gjithë burgjet,gjithë punërat. Hyri djalosh,sapo i dirsur mustaqja. Dalëngadalë i dolën thinjë,iu krimbën  dhëmbët,u mpak nga lodhja dhe e pangrëna,iu zbeh shikimi,i ranë flokët dhe në vitin 1991,kur i duhej dhe një vit të lirohej,e nxorrën nga burgu. Fitoi pafajësinë,por fitoi edhe emrin Lëvore. Asgjë tjetér. Ato pak para të burgut as pér qira nuk i mjaftonin. Nisi të japë kurse matematike. Fitonte ushqimin me to. Prindérit kishin vdekur. Vëllai me anije ikur në Itali. Folën ca herë në telefon,por ftohja qe e madhe. Vëllai ishte internuar prej Lëvores. E bënte me faj…

Etiketa:

Shto Koment