AktualitetKulture

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri organizon aktivitet kulturor: Dy ngjarjet historike që përkojnë me datën 12 qershor

Drejtori Ekzekutiv i LVV Shqipëri, Boiken Abazi, është paraqitur pranë zyrës së Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit (APR) në Parkun Olimpik të Tiranës në datën 6 qershor 2019, për ta njoftuar APR-në në lidhje me aktivitetin e planifikuar.
Featured image of article: Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri organizon aktivitet kulturor: Dy ngjarjet historike që përkojnë me datën 12 qershor

TIRANË-  Lëvizja Vetëvendosje me qendër në Shqipëri ka deklaruar se ka planifikuar organizimin e një aktiviteti socio-kulturor në datën 12 qershor 2019, në ora 19:00, në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës. Kjo bëhet, pasi shënohen njëkohësisht dy ngjarje që përkojnë me këtë datë: (1) 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, dhe (2) 14-vjetorin e themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Njoftimi i Lëzivjes Vetëvendosje:

E drejta për përdorimin e parqeve publike nuk mund t’i mohohet qytetarëve

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri (LVV Shqipëri) ka planifikuar organizimin e një aktiviteti socio-kulturor në datën 12 qershor 2019, në ora 19:00, në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës, për të shënuar njëkohësisht dy ngjarje që përkojnë me këtë datë: (1) 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, dhe (2) 14 vjetorin e themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Drejtori Ekzekutiv i LVV Shqipëri, Boiken Abazi, është paraqitur pranë zyrës së Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit (APR) në Parkun Olimpik të Tiranës në datën 6 qershor 2019, për ta njoftuar APR-në në lidhje me aktivitetin e planifikuar. Në takimin e zhvilluar në datën 6 qershor në APR, zyrtarët e Agjencisë i shpjeguan Boiken Abazit se data dhe vendi i përzgjedhur nga LVV Shqipëri ishte i lirë për zhvillimin e aktivitetit, dhe ofruan asistencën e tyre. Fakti që APR-ja nuk kishte planifikuar aktivitete publike për datën 12 qershor, përputhet edhe me kalendarin zyrtar të publikuar në faqen zyrtare të internetit të APR-së (referojuni fotografisë bashkëngjitur).

Në vijim të komunikimit me APR-në, të nesërmen e takimit, në datën 7 qershor 2019, Drejtori Ekzektutiv i LVV Shqipëri, Boiken Abazi, dërgon një shkresë zyrtare (shikoni dokumentin bashkëngjitur) përmes e-mailit, pranë drejtoreshës së APR-së, znj. Erinda Fino, për ta njoftuar për detajet e aktivitetit. Për më shumë, për të treguar gatishmërinë maksimale për bashkëpunim, Boiken Abazi paraqitet edhe personalisht pranë zyrës së APR-së ditën e sotme, para orës 10:00 të mëngjesit, dhe takohet me Sekretaren e znj. Fino. Sekretarja e njofton Boiken Abazin se drejtoresha është e zënë, nuk mund ta presë në takim, por se njoftimi nga LVV Shqipëri është kryer sipas rregullave, dhe se do ta kontaktojnë për një takim ditën e martë, data 11 qershor. Megjithatë, një orë nga takimi me Sekretaren, Boiken Abazit i vjen në e-mail një përgjigje nga Sektori Juridik i APR-së dhe Drejtoresha e APR-së, ku shkruhet si në vijim: “Ne Parkun e Madh te Liqenit, institucioni jone organizon nje larmi aktivitetesh te ndryshme social kulturore. Per keto arsye, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit e ka te pamundur dhenien e aprovimit per zhvillimin e aktivitetit ne fjale.”

Në këtë përgjigje të APR-së nuk jepet asnjë shpjegim se cila është përplasja e aktiviteteve në lidhje me vendin dhe orën e aktivitetit të planifikuar nga LVV Shqipëri. Nuk jepet asnjë shpjegim në lidhje me aktivitetet e supozuara të APR-së për atë datë (për të cilat nuk shënohet asgjë në kalendarin e tyre zyrtar). Nuk shpjegohet se, nësë po mbahen këto aktivitete nga APR, a janë duke u mbajtur në çdo pëllëmbë toke të Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës, sa qenka e pamundur të gjendet një hapësirë për zhvillimin e aktivitetit të LVV Shqipëri?!

Ne nuk e dimë nësë APR-ja është kujtuar pas njoftimit tonë për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Nësë është kështu, ne jemi të gëzuar që ia kemi sjell këtë datë në mendje, dhe urojmë që të zhvillojnë edhe ata aktivitete. Por, kjo nuk justifikon në asnjë moment sjelljen e parregullt të tyre ndaj njoftimit të LVV Shqipëri, dhe tentativën e mohimit të së drejtës për të shfrytëzuar një park publik.

Kërkojmë me ngulm nga Bashkia e Tiranës, nën të cilën vepron APR-ja, që të marrë masa të menjëhershmë për të mos e penguar aktivitetin publik në një park publik për organizimin socio-kulturor të LVV Shqipëri në shënim të çlirimit të Kosovës dhe të themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Tiranë, 10 qershor 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipër

(a.m/dosja.al)

Shto Koment