Aktualitet

Letra drejt Holandës, Imzot Gjergj Frendo revoltohet me minister shqiptare: Kush u that ë flisni në emrin tonë

Në një status në rrjetet sociale, Imzot Gjergj Frendo shkruan i revoltuar se askush nuk u ka dhënë të drejtën ministreve të flasin në emër të të gjithë shqiptarëve. 
Featured image of article: Letra drejt Holandës, Imzot Gjergj Frendo revoltohet me minister shqiptare: Kush u that ë flisni në emrin tonë Imzot Gjergj Frendo

TIRANË– Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit Imzot Gjergj Frendo ka reaguar pasi minister shqiptare i dërguan një letër qeverisë së Holandës, një ditë më parë.

Në një status në rrjetet sociale, Imzot Gjergj Frendo shkruan i revoltuar se askush nuk u ka dhënë të drejtën ministreve të flasin në emër të të gjithë shqiptarëve. 

Sipas tij, të legalizosh abortin dhe martesën gay nuk është shenjë e një shoqërie të emancipuar.

“Të dashur Ministre, ju lutem: familja shqiptare është dalluar si një bërthamë shumë e bashkuar dhe të qëndrueshme. Mbrojeni jetën njerëzore, mbrojeni familjen shqiptare! Tashmë ka shumë faktorë që po sulmojnë familjet tona sot. Është detyra juaj, si përfaqësuese të popullit tonë dhe ministre, t’i mbroni vlerat e vërteta për një Shqipëri më të mire,”– shkruan ndër të tjera Imzot Gjergj Fredo.

Statusi i plotë:

RRETH LETRËS SË MINISTRAVE GRA

Mons. George Frendo,

Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit

Janë tetë ministre gra që u janë drejtuar deputetëve të Parlamentit Hollandez me një letër. Në këtë letër shkruajnë se janë “nëna dhe bija, gra që luftojnë për familjet tona dhe për kombin tonë”.

Më poshtë shkruajnë: “Ne në Shqipëri sinqerisht çmojmë Hollandën”. E pse? Sepse “ju ishit ndër të parët në botë që keni legalizuar abortin” dhe “keni qenë vendi i parë në botë që keni legalizuar martesën e së njëjtës gjini në 2001”.

Disa komente. “Ne në Shqipëri sinqerisht çmojmë Hollandën”. Vërtetë, janë deputete, janë ministre. Por kush u dha të drejtën të flasin në emrin e të gjithë shqiptarëve? Janë “nëna”. Atëherë pritet se e vlerësojnë jetën njerëzore. Si pra guxojnë ta lavdërojnë Hollandën sepse kjo ka legalizuar vrasjen e jetës njerëzore të ngjizur në kraharorin e shumë nënave? Janë “bija”, dhe, supozojmë (pasi janë edhe nëna), të martuara. Sigurisht, kanë lindur fëmijë jo nga një grua tjetër, por nga një burrë. Dhe thanë se “luftojnë për familjet” – imagjinojmë se e përkufizojnë familjen si bashkësi që përfshin burrin dhe gruan bashkë me fëmijët e tyre. Këto fjalë janë krejt në kundërshtim me pohimin e tyre, ku kanë miratuar qëndrimin e Hollandës që ka legalizuar martesën e së njejtës gjini.

Ta legalizosh abortin dhe martesën gay a është shenjë e një shoqërie të emancipuar? A është shenjë përparimi?

Të dashur Ministre, ju lutem: familja shqiptare është dalluar si një bërthamë shumë e bashkuar dhe të qëndrueshme. Mbrojeni jetën njerëzore, mbrojeni familjen shqiptare! Tashmë ka shumë faktorë që po sulmojnë familjet tona sot. Është detyra juaj, si përfaqësuese të popullit tonë dhe ministre, t’i mbroni vlerat e vërteta për një Shqipëri më të mirë!

Një ditë më parë me anë të një letre, gratë ministre të qeverisë sonë, theksonin me krenari faktin që vetëm përpara pak ditësh, OKB-ja e njohu Shqipërinë si njërën prej pesë vendeve të globit me kabinetin më të balancuar gjinor.

Ministret shkruanin më tej se në Shqipëri ka një admirim për Holandën, si një komb me tradita të mëdha dhe një rekord të guximit politik e tolerancës shoqërore.

(f.m/dosja.al)

Shto Koment