Editorial

Letër e hapur për patronazhisten time

Po të them që në fillim se, në momentin kur mora vesh për ekzistencën tënde dhe për më tepër se sa pranë më kishe qendruar gjithë këto kohë, unë mora një vendim të cilin do ta them në fund të kësaj letre të hapur.
Featured image of article: Letër e hapur për patronazhisten time

E dashur patronazhistja imë A.SH.!

Po të them që në fillim se, në momentin kur mora vesh për ekzistencën tënde dhe për më tepër se sa pranë më kishe qendruar gjithë këto kohë, unë mora një vendim të cilin do ta them në fund të kësaj letre të hapur.

Siç do ta shohësh në vazhdim, ti më ke ndryshuar jetën.

Të falënderoj.
E dashur A. SH, në jetë ne vijmë vetëm e pastaj, gjatë rrugës takojmë shumë njerëz. Me disa prej tyre zgjedhim të bëjmë ndonjë pjesë të rrugës sonë, disa na zgjedhin që të bëjnë një pjesë të rrugës së tyre me ne, por ka raste kur vendosim që me disa persona, vendosim ne dhe ata së bashku, të bëjmë rrugën tonë deri në fund të jetës.

Por, ecja së bashku, gjithmonë ndodh me aprovimin e të dyja palëve.
Çuditërisht, ti paske hyrë në jetën time, aq lehtë dhe pa bërë zë sa unë nuk paskam kuptuar asgjë që të paskam pasur kaq pranë, madje madje edhe tani që e di të sigurt përsëri nuk po kuptoj asgjë.

Ti e dashur A.SH, paske hapur dritaret e jetës sime dhe edhe pse, të them të vërtetën, kam ndjerë shumë ftohtë, përsëri nuk kam menduar se dikush mund të më rrinte kaq pranë, të më fuste plevitin por, unë të mos e kuptoja.
Duhet të ketë një arsye se përse na kanë lidhur së bashku ne të dyjave, patjetër që ka por, asesi nuk mendoj se kjo arsye të jetë se edhe ti je shumë punëtore dhe luftarake, si unë.

Nuk e mendoj dot këtë sepse, pashë që rezultatet e punës tënde nuk ishin të sakta. Konkluzionet e tua se unë dikur kam qenë me PS-në e tani kam kaluar me LSI-në, më vjen keq por më duhet ta them hapur, janë fryt i një pune shkel e shko të cilën unë si zanatçovë e kontrollit, nuk mund ta pranoj.

Nisur nga sa më sipër, do të të jap disa referenca të qarta, në mënyrë që edhe ti ta kryesh profesionin tënd, me rezultate të mira dhe të pranueshme nga të gjitha palët, domethënë edhe nga unë.

E dashur A.SH (kam zgjedhur mënyrën oratorike të drejtuesit tuaj politik për Tiranën, o Zot sa më pëlqen ai kur thotë: “shpirti im”, “zemra ime”, “e dashur” etj si këto), ke të drejtën ekskluzive të shkruash në raportet e tua të gjitha këto që unë do të them në vijim.

Asnjëherë në jetën time nuk kam qenë me PS-në, madje duhet ta theksoj fortë, se asnjëherë në jetën time, as nëpër ëndërrat e mia më të harlisura, nuk e kam parë veten si përkrahëse të PS-së e aq më shumë të Rilindjes tënde pink. Aman mos m’u mërzit, nuk është se kam gjë me partinë tënde, aspak, thjesht dhe vetëm se mua nuk më pëlqen ngjyra pink, se dhe kur isha e vogël nuk luaja me kukulla por me gurë dhe top si djemtë, pra nuk e kam pasur qejf dhomën as ngjyrë rozë e as ngjyrë pink.

Unë asnjëherë në jetën time, nuk kam qenë me LSI-në, dhe do ti moj e shtrenja ime, që po të doja mund të kisha shkuar shumë lartë po ti vardisesha kësaj partie se ish-kryetarin e saj e kam pas njohur në shkollë, e ndoshta një vend të ngrohtë e të sigurt për mua mund të ma kishte gjetur, po unë as me këtë parti nuk u mora.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Unë që ta dish ti e dashur, nuk mendova të merrem me politikë as pas protestave të dhjetorit të 1990-ës, as atëherë, moj shpirt, sepse kisha një dëshirë të çmendur t’i ngjaja tim eti, i cili kurrë nuk u bë vegël e dikujt dhe nuk i pëlqente të shpërfaqej e të superdukej edhe pse ishte i mirë, i ndershëm dhe i mençuar si ai.

Në gjithë jetën time, kurrë nuk e projektova, as e pashë e as e mendova ndonjëherë veten si shtojcë të partive politike, si pjesë pa vlerë të një grupi ku të mos isha vetvetja, ku dikush tjetër të ngrinte kartonin për mua, ku dikush të më bënte patronazhiste të dikujt tjetër.
Asnjëherë nuk prita që bukën time ta fitoja mbi kurrizin e dikujt tjetër, përveçse nga puna ime,

ASNJËHERË.

Nuk e di a mundem t’i kërkoj partisë tënde që të të ndërroj, sepse nuk më përshtatesh moj xhan?! E dua patronazhisten më të mirë se veten. Ti me gjithë këto gabime që ke bërë në raportim po më fyen shumë. Bashkëjetesa jonë nuk mund të zgjasë, është e pamundur të eci me një të paaftë si ty.

Nëse do që të vazhdosh të ecësh me mua duhet të merremi vesh, se ti o shpirt, nuk ke faj.
Ti punon në një punë shteti dhe do ta mbash fort atë punë dhe atë rrogë ta çosh e qetë në shtëpi dhe unë përmes kësaj letre po ta jap këtë mundësi.

Unë, moj zemër, kam 24 vjet që votoj por abstenoj.

Ndoshta e tejkalon kapacitetin e mejtimit tënd kjo frazë prandaj, po ta shpjegoj pak më thjeshtë: unë shkoj dhe votoj por nuk ia jap votën asnjë partie. Shkruaj, Abedini im, A.SH, “ASNJË PARTIE”.

Pasi mora vesh se ti më kishe ndjekur, vëzhguar e studiuar, ashtu siç dini ju patronazhistët e sotëm, u ula dhe qetësisht mendova, e në fund mora një vendim, i cili më bëri të dal nga vetja ime 24 vjeçare kur abstenoja.
Ti më ndryshove jetën, prania jote i dha jetës sime një kuptim tjetër.

Shkruaj përsëri o Abedini im A. SH, këtë vit unë sigurisht që do të votoj ashtu si kam bërë gjithmonë, por falë teje këtë vit nuk do të abstenoj, këtë vit unë do të votoj Agron Shehajn.

Ti më ndriçove votën këtë radhë, qofsh e bekueme dhe lumnueme.

Të përqafoj me mall e zjarr dhe mezi pres takimin tonë të rradhës dhe rezultatet e korrigjuara të punës tënde.

Etiketa:

Shto Koment