BotaShowbiz

Leonardo Dicaprio sërish për Vjosën: Shpalleni Park Kombëtar!

Aktori i mirënjohur Leonardo DiCaprio, njëherësh aktivist për çështjet mjedisore, ka bërë sërish thirrje që lumi i Vjosës të shpallet Park Kombëtar.
Featured image of article: Leonardo Dicaprio sërish për Vjosën: Shpalleni Park Kombëtar! Leonardo DiCaprio

SHBA– Nismëtar i një fondacion, i cili synon të promovojë vlerat e natyrës dhe të ndërgjegjësojë për mbrojtjen e sa më shumë vendeve në rrezik.

Që prej vitit 1998 Leonardo DiCaprio është aktivist i zëshëm i çështjeve mjedisore. Në vitin 2010 ai dhuroi 1 milion dollarë për një projekt rezervati natyror në Rusi ndërsa tre vite më vonë ishte protagonist i një fushate mbledhjeje donacionesh për çështjet e ngrohjes globale që kapi shifrën e rreth 40 milionë dollarëve.

Leonardo DiCaprio ka reaguar deri më sot disa herë për mbrojtjen e Vjosës. Përmes postimeve në Instagram, Facebook apo Twitter ai ka apeluar që lumi i fundit i egër në Evropë të mbrohet nga autoritetet shqiptare.

Së fundmi, ditën e djeshme në një postim në Twitter është shprehur që Vjosa duhet që të jetë Park Kombëtar në mënyrë që zona të mbrohet nga digat dhe një kërcënim i ri si shpimet e naftës dhe gazit.

Foto ilustruese

Aktori 46-vjeçar e shoqëroi postimin me një artikull të organizatës “Global Ëildlife Conservation” të shkruar nga gazetarja Gege Li, një biokimiste e cila prej vitesh shkruan për natyrën në revista shkencore si “Neë Scientist” apo “Chemistry Ëorld Magazine”.

Në artikull përmenden protestat e vazhdueshme nga shoqëria civile dhe angazhimet e aktivistëve mjedisor apo dhe komunitetit shkencor për ta shpallur Vjosën Park Kombëtar.

Lumi Vjosa buron nga malet e Pindit në Greqi. Rreth 70 kilometra nga rrjedha prej 270 kilometrash të saj kalon në territorin grek e më tej në territorin shqiptar duke vërshuar deri në Adriatik. Vjosa konsiderohet lumi i fundit në Evropë me rrjedhë të lirë.

Shumica e rrjedhës së Vjosës është e pa-eksploruar. Në vetëm një javë ekspedita në vitin 2017 dhjetëra shkencëtarë zbuluan mbi 300 specie, disa prej të cilave endemike. Ekspertët thonë se ato mund të rrezikohen nga projektet e parashikuara nga shteti shqiptar.

Tre dekadat e fundit në rrjedhën e Vjosës është diskutuar të ndërtohen 45 hidrocentrale, tetë prej të cilave direkt në lumin e saj dhe të tjerat në degët që i bashkohen. Nga këto plane hidrocentralet e Kalivaçit dhe Poçemit janë ato që mjedisorët thonë se e kërcënon më tepër.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Së fundmi qeveria miratoi zhvillimin e një aeroporti dhe kompleksi resortesh turistike në pjesën e poshtme të Vjosës, mes Lagunës së Nartës dhe grykëderdhjes së Vjosës, ndërsa në zonën e Përmetit kompania ndërkombëtare Shell ka nisur kërkimet për burime nafte dhe gazi.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama tha vitin e shkuar se kishte refuzuar lejet mjedisore për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë ndërsa e shpalli një pjesë të territorit të saj “Park Natyror”. Mirëpo organizata si EcoAlbania, RiverËatch, Patagonia dhe ekspertë të mjedisit janë shprehur se ky status nuk është i mjaftueshëm për ta mbrojtur tërësisht Vjosën.

Ata dhe zëra ndërkombëtarë si Leonardo DiCaprio apelojnë që Vjosa të shpallet Park Kombëtar në mënyrë që e gjithë rrjedha e saj të jetë e mbrojtur nga planet e ardhshme.

Di Caprio ka apeluar fort edhe më parë që lumi i fundit i egër në Evropë të mbrohet nga autoritetet shqiptare.

Kujtojmë që DiCaprio ishte një nga zërat publik që mbështetën marrëveshjen e Parisit për klimën teksa në vitin 2018 fondacioni i tij mblodhi 100 milionë dollarë për të ndihmuar në adresimin e çështjeve të klimës.

(o.l./dosja.al)

Shto Koment