Editorial

Lënia e mandateve të opozitës dhe kriza parlamentare

  • Vështirë se mund të argumentohet se lënia e mandateve minon demokracinë, pasi është demokratike që, nëse një parlament bëhet jofunksional, të thirren zgjedhje të parakohshme.
    Featured image of article: Lënia e mandateve të opozitës dhe kriza parlamentare

    Ambasada amerikane ka deklaruar se lënia e mandateve nga opozita “minon parimet bazë të demokracisë dhe saboton përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme.”

    Vështirë se mund të argumentohet se lënia e mandateve minon demokracinë, pasi është demokratike që, nëse një parlament bëhet jofunksional, të thirren zgjedhje të parakohshme. Kjo në demokracitë parlamentare perëndimore ndodh rëndom dhe për arsye nga më të ndryshmet. Kur ka krizë qeveritare, është gjëja më demokratike që t’i jepet mundësia popullit ta zgjedhë krizën me votë. Madje provokimi i krizave parlamentare është një nga mjetet më të rëndësishme demokratike dhe më të përdorurat në perëndim. (Tani që po flasim në Spanjë sapo janë thirrur zgjedhje të parakohshme dhe nuk ka thënë njeri se ky veprim është jodemokratik). Pa dyshim, kriza parlamentare, pra lënia e mandateve nga opozita, cënon stabilitetin e qeverisjes, madje edhe stabilitetin politik të vendit, por ajo nuk cënon kurrsesi parimet demokratike.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Një nga vlerat politike thellësisht amerikane është mosbesimi ndaj qeverisë dhe liria e njerëzve për të ndërruar qeverinë e tyre sa më shpesh. Jo rastësisht amerikanët janë i vetmi vend në botë që i bëjnë zgjedhjet parlamentare një herë në dy vjet, dhe kufizojnë mandatin e qeverisë, pra të presidentit, vetëm në dy katërvjeçarë, sepse ata besojnë mbi të gjitha tek kufizimi i pushtetit dhe e drejta e njerëzve për të zgjedhur. Në Amerikë po hetohet prej dy vjetësh Presidenti Trump me akuzën e manipulimit të zgjedhjeve—pa asnjë provë, madje me një dosje fallco dhe të diskredituar, të sajuar nga kundështarja e tij politike për qëllime të pastra të manipulimit të votuesve—ndërsa në Shqipëri ndonëse ka prova dhe fakte të pakundërshtueshme se zgjedhjet janë vjedhur në bashkëpunim me krimin kërkohet që qeveria të lihet rehat dhe të mos japë asnjë llogari për këtë gjë.

    Nga ana tjetër është e vështirë të kuptosh se ku janë “përparimet e rëndësishme në zbatimin e ligjit dhe qeverinë e përgjegjshme”. Në fakt të gjitha raportet e qeverisë amerikane, të dy viteve të fundit, nuk tregojnë asnjë përmirësim, por përkundrazi vetëm përkeqësim të qeverisjes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Po kështu edhe të gjitha raportet ndërkombëtare, si amerikane edhe europiane, nga Freedom House tek Transparency International e po ashtu të gjitha raportet e qeverive të BE-së.

    Shto Koment