
Nuk është hera e parë që Vlora zgjohet e përmbytur pas shiut. Asnjë fatkeqësi natyrore, thjesht shi, aq mjafton që bulevardi kryesor i qyetetit dhe disa lagje të zhyten nën ujë.
Pamjet e mëngjesit të së dielës, me makina që mundoheshin pa sukses të lundronin mbi ujë, me bizneset e kateve të para që nuk ruhen nga hajdutët por nga uji që shkatërron gjithçka ndërsa janë në gjumë, akuzojnë hajdutët e mëdhënj.
Ata që i kanë nxjerrë jashtë loje edhe hajdutët e vegjël edhe të ndershmit, ata që e shkatërruan një qytet turistik, për të bërë një mal betoni në breg të detit. Lanë betonin morën paratë.
Tani njerëzit bëjnë llogaritë me betonin, përmbytjet, lagështirën, ajrin e ndotur, ata bëjnë llogaritë me bankat e huaja apo kompanitë off shore.
Ka emra, nuk flitet më në përgjithësi. Dritan Leli, pas 4 vjetësh dhe qindra lejesh ndërtimi, gjeti fajtorin e përmbytjes, paraardhësin e tij Shpëtim Gjika. Madje e amplikoi këtë gjetje në televizionin lokal të të vëllait, i kontrolluar nga Leli.
Nuk shpjegoi ku shkuan 8 milionë euro që ia dha firmës “Fusha” me ofertën më të lartë, pse ia dha me ofertën më të lartë- në kundërshtim me ligjin dhe cfarë përgjegjësie ka tani që rezultoi dështim.
I njëjti njeri që 500 mijë euro i zhduku me pretekstin e “stolave inteligjentë” që nuk mbushën as vitin, i njëjti që preu palmat historike të qytetit, i njëjti që ka paguar një firmë italiane 650 mijë euro për t’a mbrojtur në gjykatën e Vlorës përballë një biznesi shqiptar.
Dritan Leli, në vend që të shpjegojë ku i ka çuar 9.1 milionë euro (në total), akuzon paraardhësin.
Sigurisht që Shpëtim Gjika me 3 mandatet e tij është arkitekti i betonizimit të Vlorës, sigurisht që lejet e ndërtimit që dha ai i morën frymën qytetit.
Sot ish-kryetari i denoncuar dhe i hetuar që në fillim të mandatit të PS në pushtet, është i padënuar, i lirë.
Madje pati edhe një ftesë për rehabilitim politik nga Kryeministri. Ishte normale që të pajtoheshin.
Edi Rama e ngjiti Shpëtim Gjikën në forumet më të larta drejtuese të PS, anëtar kryesie, mbrojtës i flaktë, i Ramës kur të gjithë e sulmonin dhe, mbi të gjitha, zbatues i të gjitha porosive të tij.
Ato ndërtime të ngritura mbi kolektor që po denoncon sot, janë ortakëri e Shpëtim Gjikës me Edi Ramën dhe miqtë biznesmenë të të dyve. Edhe sikur të mos e dinte, do ta kishte marrë vesh për 4 vjet, nëse ka qenë ndonjë ditë kryetar bashkie.
Tenderin 8 milionë euro, e ka bërë në atë gjendje, për të përmirësuar atë gjendje. Tani që nuk e përmirësoi dot, akuzon ata që kanë ndërtuar. Gjika ishte i vetmi që reagoi, në fakt duhet të reagonte edhe Rama si ortak në betonizimin e Vlorës dhe jo vetëm të Vlorës.
Vlora është sot viktimë e Edi Ramës, Shpëtim Gjikës dhe Dritan Lelit, është viktimë e votës partiake që fiton mbi votën praktike. Pasi e fundosën nën beton, bëjnë makiazhin e investimeve sipërfaqësore që nuk zgjidhin problemet e qytetarëve, por kënaqin fantazitë e tyre për instalacionet me beton.