
TIRANË– Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla është rrethuar nga mediat menjëherë sapo ka dalë nga SPAK, ku edhe ka dhënë deklaratën e tij pas publikimit të videos ku shfaqej duke pirë kokainë. I rrethuar nga gazetarët e i zënë ngushtë, kryebashkiaku Alla nuk ka dashur t’i përgjigjej gazetarëve, madje duke i dëbuar i ka ikur edhe zëri.
“Nuk kam koment. Komentet i lashë në Prokurori. E ka në dorë drejtësia këtë punë. Ik tashi. Do kemi kohë të flasim,”-tha Alla teksa pyetej nga gazetarët.
Më shumë detaje ka dhënë avokati i tij mbojtës, Petrit Ismaili, i cili tha se videoja ishte një montazh dhe se e vërteta do të dilte në pah.
“Nuk dha asnjë deklarim në SPAK. Do sqarohet situata. Videoja është e paqartë. Është montazh, nuk duhet fare,”-është shprehur avokati duke mbajtur versionin e klientit të tij në daljet publike.
Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla ka shkuar në SPAK, një ditë pasi gazetari investigativ Artan Hoxha ka publikuar videon e ku ai shfaqet duke konsumuar ‘kokainë’. Pas publikimit të pamjeve, një reagim i menjëhershëm ka ardhur nga Alla, i cili e ka cilësuar videon si montazh duke pretenduar se i është bërë edhe presion nga grupet kriminale, që sipas tij veprojnë në Bulqizë për interesa biznesi, ndërkohë që PD kërkon largimin e tij. Socialistët e kanë marë deri më tani në mbrojtje Allën, ku Xhemal Gjunkshi dhe Rovena Voda, kanë mbështetur versionin e Allës se videoja mund të jetë montazh. Në fakt, konsumimi i lëndëve narkotike nuk e pengon Allën të ushtrojë detyrën e kryebashkiakut, por kjo duket se nuk ka bindur SPAK, që sot nisi hetimet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
(k.m/dosja.al)