Politike

Videoja e kokainës/ Lefter Alla: E montoi Salianji me një tv lokal, ka 1 vit, do e padis. Ish-deputeti: S’kam lidhje

Përplasje në distancë mes kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla dhe ish-deputetit të PD, Ervin Salianji. Në një reagim në rrjetet sociale, Alla akuzon Salianjin se i ka montuar videon ku shihet duke pirë kokainë. Ish-deputeti mohon akuzat.
Featured image of article: Videoja e kokainës/ Lefter Alla: E montoi Salianji me një tv lokal, ka 1 vit, do e padis. Ish-deputeti: S’kam lidhje Lefter Alla, kryebashkiak i Bulqizes dhe Ervin Salianji, ish-deputet

TIRANË- ‘Kam një vit që kam dijeni për montazhin…’, ky është sqarimi i paqartë që jep përmes rrjeteve sociale, Lefter Alla, kryetar i Bashkisë Bulqizë, dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Alla, përmes një reagimi në rrjetet sociale, 24 orë pasi gazetari Artan Hoxha publikoi videon ku ai shfaqet duke konsumuar kokainë në banakun e një lokali, thotë opinioni publik është shokuar me të drejtë, ndërkohë që përsërit akuzat në drejtim të ish-deputetit demokrat, Ervin Salianji, i cili sipas tij, ka montuar videon bashkë me një televizion lokal.  Megjithëse thotë se ka një vit që ka dijeni për video-montazhin, Alla thotë se ka besuar tek drejtësia, por nuk jep sqarime nëse ka bërë një denoncim për një montazh të tillë. Alla akuzon Salianjin, pavarësisht se ish-deputeti nuk është publikuesi i videos, por vetëm prezantuesi i emrit të Allës, një ditë pasi mediat folën për të. Ai thotë se do të presë drejtësinë, duke mos-përmendur një dorëheqje të mundshme.

REAGIMI I PLOTË:

Dua të informoj opinion publik të Bulqizës dhe të gjithë Shqipërisë, me të drejtë të shokuar nga një video-montazh të publikuar në bashkëpunim nga Partia Demokratike dhe një televizion lokal, se sot jam nisur drejt Tiranës ku do të depozitoj një padi në ngarkim të shtetasit Ervin Salianji, një person me aktivitet përsëritës kriminal për situata të ngjashme, referuar organeve të drejtësisë shqiptare.

Dua të sqaroj gjithashtu se ekzistenca e një video-montazhi më është bërë me dije prej rreth një viti, por gjithmonë kam besuar dhe besoj se duhet të jetë drejtësia ajo që ta hetojë dhe ta zbardhë. Prandaj deklaroj se unë do të pres zbardhjen e çdo vepre penale nga drejtësia. Kushdo që më akuzon mua të presë veprimet e Prokurorisë dhe vendimin përkatës të Gjykatës.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ndërkohë, që nuk ka vonuar as përgjigjia e Salianjit. Nga studioja e lajmeve në Syri.net, Salianji tha se nuk ka asnjë lidhje me videon në fjalë, dhe shtoi se Alla gënjen për të shpëtuar nga përgjegjësia. “Ai gënjen, dhe nuk është hera e parë që gënjen. Kjo dihet tashmë. Ai duhet të heqë dora nga kokaina, nga droga, dhe të mos jetë më nën ndikimin e kokainës, pasi kjo gjë e ka penguar edhe të njohë njerëzit. Tashmë më ngatërron mua me Artan Hoxhën. I pangopur me kokainë. Njerëzit nuk kanë tas me bukë, ai kishte tasin plot me kokainë dhe e patë vetë si e thithte si i pangopur.”-tha Salianji.

Sot, SPAK, (Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion), ka nisur hetimin për kryebashkiakun e Bulqizës, me akuzën se përveç konsumimit të kokainës, ai është përfshirë në prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Ndërkohë që Partia Socialiste e ka ‘lëshuar’ Allën. Dje pas publikimit të videos, Xhemal Gjunkshi dhe Rovena Voda u shprehën se pamjet e publikuara nga gazetari Artan Hoxha mund të jenë edhe montazh, ndërkohë që sot, pasi SPAK nisi hetimet për Allën, me akuzën e prodhimit dhe të shitjes së lëndëve narkotike, Petro Koçi i pari foli për përgjegjësi penale, duke pasuar më pas me distancimin e Pjerin Ndreut, Ulsi Manjës dhe Adnor Shametit.

Ditën e djeshme, gazetari investigativ Artan Hoxha ka publikuar videon e kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla duke konsumuar ‘kokainë’. Pas publikimit të pamjeve, një reagim i menjëhershëm ka ardhur nga Alla, i cili e ka cilësuar videon si montazh duke pretenduar se i është bërë edhe presion nga grupet kriminale, që sipas tij veprojnë në Bulqizë për interesa biznesi, ndërkohë që PD kërkon largimin e tij. Në fakt, konsumimi i lëndëve narkotike nuk e pengon Allën të ushtrojë detyrën e kryebashkiakut, por kjo duket se nuk ka bindur SPAK, që sot nisi hetimet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment