
Tiranë- SPAK, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka thirrur sërisht sot kreun e Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, për ta marrë në pyetje lidhur me videon e publikuar nga gazetari Artan Hoxha, ku shfaqej duke thithur kokainë. Alla ka dëshmuar sërish sot, por nuk dihet se për çfarë është pyetur konkretisht.
Mësohet SPAK i ka kërkuar Allës që t’i nënshtrohet edhe testit të drogës. Pas kësaj kërkese Alla duhet të paraqitet e Institutin e Mjekësisë Ligjore, për ti marrë kampion gjaku dhe urine, me qëllim kryerjen e eskpertimit mjeko-ligjor, që do të vërtetojë nëse Alla është konsumues droge ose jo
Një ditë më parë gazetari Artan Hoxha dhe Alla bashkë me avokatët e tij dhanë para prokurorëve versionet e tyre për ngjarjet. Gazetari Hoxha tha se kishte parë interes nga hetuesit për zbardhjen e ngjarjes dhe se u kishte vënë në dispozicion videon e plotë.Ndërsa Lefter Alla mësohet të ketë thënë se nuk është ai personi në video. “Nuk jam unë personi në video. Të gjendet se kush është. Burimi i materialit? Pyesni ata që publikuan emrin tim”, tha kryebashkiaku dje. Dosja.al mësoi se dyshohet se kryebashkiaku është përfshirë në shitje dhe prodhim të lëndëve narkotike.
Dy ditë më parë gazetari investigativ Artan Hoxha publikoi videon e kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla duke konsumuar ‘kokainë’. Pas publikimit të pamjeve, një reagim i menjëherëshëm erdhi nga Alla, i cili e ka cilësuar videon si montazh duke pretenduar se i është bërë edhe presion nga grupet kriminale, që sipas tij veprojnë në Bulqizë për interesa biznesi, ndërkohë që PD kërkon largimin e tij.
Socialistët e kanë marë deri më tani në mbrojtje Allën, ku Xhemal Gjunkshi dhe Rovena Voda, kanë mbështetur versionin e Allës se videoja mund të jetë montazh. Në fakt, konsumimi i lëndëve narkotike nuk e pengon Allën të ushtrojë detyrën e kryebashkiakut, por vlen të theksojmë një nga kërkesat e hershme të opozitës për të përfshirë testin e drogës, bashkëngjitur formularit të dekriminalizimit. Lëndët narkotike, të cilit do lloj qofshin ato, janë substanca psikotrope, e si të tilla, ato kanë ndikim mbi Sistemin Nervor Qendror.
J.V/Dosja.al