Kuriozitete

Laroshja e kuqërremtë, banorja më e re që i është shtuar Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë(FOTO)

Laroshja e kuqërremtë është tashmë edhe banorja më e re e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë.

NARTË– Gjatë muajit të kaluar, listës së shpendëve të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë i është shtuar një banor i ri. Këtë herë bëhet fjalë për Laroshen e kuqërremtë ose ndryshe Tadorna ferruginea.

Ndërkohë një vrojtim pararendës në Shqipëri për këtë lloj gjallese është raportuar nga Shoqata Ornitologjike Shqiptare prej vitit 2017.

Postimi i Plotë nga Shpendët e Shqipërisë 

VROJTOHET LLOJ I RI SHPENDI NË PEIZAZHIN E MBROJTUR VJOSË-NARTË

Për të dytën herë brenda muajit tetor, lista e shpendëve të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë pasurohet me një lloj të ri. Këtë radhë bëhet fjalë për laroshen e kuqërremtë (Tadorna ferruginea).

Vrojtimi pararendës për këtë lloj në vendin tonë është raportuar nga Shoqata Ornitologjike Shqiptare në vitin 2017, ku një individ është fotografuar në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Në këtë raportim përmendet se edhe në vitin 2014 është gjetur një individ i vrarë i këtij lloji. Raportime të mëhershme, për këtë lloj në vendin tonë pothuajse mungojnë tërësisht edhe pse lloji është i përfshirë në pak lista apo publikime mbi shpendët e Shqipërisë. Kësisoj, ky vrojtim mund të përfaqësojë të tretin në vend për këtë lloj.

Greqia dhe Bullgaria janë vendet më në perëndim të Evropës ku ky lloj është raportuar si folezues. Laroshja e kuqërremtë ka një shtrirje shumë të gjerë folezimi në të gjithë Azinë, në Lindjen e Mesme si dhe në disa vende bregdetare të Afrikës mbi-Ekuatoriale.

Nëse dikush e ka hasur apo ka informacion mbi vrojtime të tjera të këtij lloji në vendin tonë është i lutur të ndajë me ne informacionin.

Faleminderit!

A.C/Dosja.al 

Shto Koment