Sociale

“Larguan punonjësit nga pandemia”/ Sindikata Solidariteti padit në gjykatë kompaninë Teleperformance: Pas karantinës nuk iu dhanë zgjidhje stafit të hequr padrejtësisht nga puna

Sindikata Solidariteti njofton se Teleperformance ka larguar nga puna mbi 90 punonjës gjatë pandemisë dhe karantinës
Featured image of article: “Larguan punonjësit nga pandemia”/ Sindikata Solidariteti padit në gjykatë kompaninë Teleperformance: Pas karantinës nuk iu dhanë zgjidhje stafit të hequr padrejtësisht nga puna Foto ilustruese

TIRANË– Sindikata Solidariteti ka paditur kompaninë Teleperformance për largimin kolektiv të punonjësve në degët e Call-Centerave. Në një reagim në Facebook, Solidariteti njofton se Teleperformance ka larguar nga puna mbi 90 punonjës gjatë pandemisë dhe karantinës. Por situata sipas sindikatës ka vijuar që të jetë e njëjtë edhe pas përfundimit të karantinës.

REAGIMI I PLOTË I SINDIKATËS: 

SINDIKATA SOLIDARITETI PADIT KOMPANINË TELEPERFORMANCE
Që nga fillimi i pandemisë Covid-19 punëtorët e sektorit call center janë përballur me probleme të shumta. Fillimisht mungesa e informacionit, më pas problemet me zhvendosjen e punës në shtëpi, problemet me mospagimin e karantinimit të detyruar e deri tek largimet masive dhe të padrejta nga puna. Të gjitha këto fenomene janë denoncuar publikisht dhe janë kundërshtuar nga Sindikata Solidariteti.
Megjithatë, largimet kolektive nga puna nga ana e kompanive të ndryshme, përfshirë edhe kompanitë si Teleperformance e cila pretendon të jetë punëdhënës lider në sektor, ishin më të dëmshmet dhe problematiket në këtë periudhë. Që në javët e para të pandemisë, Teleperformance ka larguar nga puna mbi 90 punëtorë me argumentin e reduktimit të orëve të punës si pasojë e gjendjes së fatkeqësisë natyrore të krijuar nga pandemia Covid-19, por me premtimin se do i thërrasë të rifillojnë punën me përfundimin e kësaj gjendjeje. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe e njëjta kompani ka punësuar mbi 60 punëtorë të rinj dhe ka bërë disa herë thirrje publike për aplikime për rekrutime të reja.

Me përfundimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore më datë 23.06.2020, kompania vazhdoi të heshtë ndaj të larguarve nga puna duke e shkëputur kështu kontratën e punës në mënyrë të menjëhershme, pa shkaqe të justifikuara dhe në shkelje të procedurave të parashikuara nga Kodi i Punës për pjesën më të madhe të tyre.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në këto kushte, dhjetëra punëtorë të larguar në mënyrë kolektive nga puna filluan procedurat për ngritjen e padisë ndaj kompanisë, duke kërkuar dëmshpërblimin e njohur nga ligji dhe kërkesën për rikthimin në punë. Sindikata Solidariteti ka organizuar një pjesë të këtyrë punëtorëve duke mundësuar ndjekjen e çështjes në gjykatë. Padia është dorëzuar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe jemi në pritje të caktimit të datave për seancën e parë nga ana e saj. Sindikata do të publikojë gjithë ecurinë e këtij procesi dhe do të ndjekë nga afër edhe shumë punëtorë të tjerë që për arsye objektive nuk janë pjesë e kësaj padie kolektive. Prandaj ju ftojmë të bëheni pjesë e Sindikatës Solidariteti dhe t’i ftoni shokët e shoqet tuaja të bashkohen!

https://register.solidariteti.al/sq/?fbclid=IëAR3ËGsIvGFKAsMII_PaëiSj3aN5cPBPTErLrë1A-ËVgVh1xYEkjMc1i4hgQ
Skuadra Solidariteti

(F.g/dosja.al)

Shto Koment