
LEZHË– Gjykata e Lezhës i ka hequr masën “arrest shtëpie” ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka. Ky i fundit do të hetohet me masë sigurie “detyrim paraqitje” nga togat e zeza të Lezhës, pasi GJKKO shpalli moskompetencë lidhur me rastin e tij. Kjo pasi ish-deputeti akuzohet vetëm për falsifikim dokumentash.
Ndërkohë në Gjykatën e Posaçme e njohur ndryshe si GJKKO vazhdon në proces gjykimi pjesa tjetër e grupit mes tyre dhe Xhevi Ndoka, vëllai ish-deputetit.
Arben Ndoka, ish-deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, u ndalua në pasditen e 21 tetorit të vitit 2018, së bashku me të vëllanë, Xhevahir Ndoka. Për këtë çështje prokuroria ka sekuestruar dhe 300 mijë m2 tokë në zonën e Ranës së Hedhun në plazhin e Shëngjinit. Më 21 tetor 2018, Policia zhvilloi një operacion të koduar si “Volvo 4”, ku u arrestuan edhe dy ish-deputetët Arben Cuko dhe Ndoka.
Gjithçka u zbulua nga hetimet e prokurorisë për vëllain e Arben Ndokës, Gjevi Ndoka, si i lidhur me Avdylajt e Shijakut, të cilët akuzohen për trafik droge dhe porositës të heroinës së laboratorit të Hasit. Ndërkohë në mars 2018, Policia e Lezhës hetoi një grup tjetër kriminal që ishte i lidhur me abuzimet e tokave në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe ish-kryetarin e Bashkisë Lezhë të PD-së, Fran Frrokaj i dënuar me katër vite burg.
Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al
Ndërsa Arben Çuko u vendos në pranga krejt rastësisht, teksa në hetim dhe përgjim ishin pjesëtarët e një grupit të Shijakut. Në këto përgjime u ndanë dhe u krijua një tjetër dosje, në të cilën vëllezërit Avdylaj komunikonin me kryetarin e bashkisë Durrës, Vangjush Dako, dhe të tjerë zyrtarë të PS, ku diskutohej për rezultatin e PS në Durrës përgjatë vitit 2017. Përgjimet u botuan pranverën e këtij viti nga gazeta gjermane BILD.
Ato shkaktuan një “tërmet” politik në Shqipëri që solli ‘djegien’ e Vangjush Dakos nga SHBA. Kryeministri Edi Rama, i ka quajtur këto përgjime si shkëputje nga konteksti, duke arsyetuar se akuzat e PD bazohen vetëm tek një “Alo Niçe”, alibi kjo që u përdor edhe sot nga Astrit Avdylaj në gjykatë.
(k.m/dosja.al)