Politike

Shengeni ballkanik, reagon Rexhep Qosja: Rama s’i mohon ato që thotë, foli në Serbi si askush tjetër

Akademiku Rexhep Qosja ka reaguar për herë të parë lidhur me nismën e ndërmarrë nga disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, e ashtëquajtura “Shengen Ballkanik”.
Featured image of article: Shengeni ballkanik, reagon Rexhep Qosja: Rama s’i mohon ato që thotë, foli në Serbi si askush tjetër Rexhep Qosja

TIRANË– Akademiku Rexhep Qosja ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat teksa ndodhej i pranishëm në Panairin e Librit.

Në fjalën e tij, Qosja ka reaguar për herë të parë lidhur me nismën e ndërmarrë nga disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, e ashtëquajtura “Shengen Ballkanik”.

Qosja u shpreh se kishte paqartësi lidhur me detajet që diskutoheshin gjatë takimit por përsëriti faktin që Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e BE-së. Gjithashtu në fjalën e tij, Qosja ka folur edhe për kryeministrin Edi Rama. 

“Po diskutohet, për të ashtuquajturën Minishengen, më duket sikur nuk po e kuptojmë. Çfarë do të thotë Minishengen? Cilat janë të mira dhe pengesat, nuk e di. Po pres dhe të shohim! Këto vende të Ballkanit Perëndëmior, por Ballkani Perëndimor është shumë më i gjerë. Me Minishengen apo pa Minishengen, Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e BE-së. BE është një premtim madhështor për gjithë Evropën. Një premtim për paqen, për bashkëpunimin. Rama ka thënë në Beograd diçka që askush nuk e ka thënë më para në Beograd para tij, ka kërkuar njohjen e pavarsisisë së Kosovës. Edi Rama dhe Albin Kurti duhet të kenë një bashkëpunim të tyrin midis tyre në të mirë të shqiptarëve, të Shqipërisë dhe Kosovës.”- u shpreh Qosja.

Po çfarë është “Shengeni Ballkanik”?

I ashtuquajtuari Shengeni Ballkanik, është bashkimi i vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi. Siç është thënë deri më tani nga liderët pjesëmarrës, “Shengeni” do të sjellë lehtësi në transport, apo edhe në njohjen e dokumenteve në të gjitha vendet nënshkruese. Samiti i parë mes liderëve u mbajt në 10 Tetor në Novi Sad të Serbisë, i dyti u mbajt në Ohër më 9 Nëntor. Ndërsa takimi i tretë do të mbahet në Durrës më 21 dhjetor. Deri më tani nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje dhe vendet që kanë marrë pjesë janë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Kosova e refuzoi ftesën e saj. 

Më herët Kurti deklaroi se Shqipëria fillimisht duhet të hiqte taksën e rrugës së Kombit para se të unifikohej me vendet e tjera të rajonit. Ndërsa kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama i ka kthyer përgjigje Kurtit, duke u shprehur se ishte i vendosur ta heqë kufirin mes dy vendeve. Ende nuk dihet nëse qeveria e re e Kosovës do të marrë pjesë në takimin e ardhshëm. 

(k.m/dosja.al)

Shto Koment