Aktualitet

Shënohet viktima e parë nga Covid-19 në Shqipëri, e moshuara nga Durrësi që ‘fshehu’ udhëtimin në Itali vdes në spital

  • Udhëtimi i fundit/ Itinerari i viktimës së parë nga covid-19 në Shqipëri
  • 73-vjeçarja e infektuar me koronavirus në Durrës ka humbur jetën pasi ishte e infektuar me koronavirus. Ajo gjithashtu vuante nga sëmundje të rrugëve respiratore si: insuficience kardiake kronike, SPOK, Nyha III, Fibrilation atrial, hypertyreisis dhe tatus post by pass.
    Featured image of article: Shënohet viktima e parë nga Covid-19 në Shqipëri, e moshuara nga Durrësi që ‘fshehu’ udhëtimin në Itali vdes në spital Pamje nga spitali i Durrësit

    DURRËS– Shqipëria përballet me viktimën e parë të Covid-19. Viktima e parë është 73-vjeçarja e shtruar në Spitalin e Durrësit, me inicialet Q.G, e kthyer 10 ditë më parë nga Italia. Pak para se të ndërronte jetë, 73-vjeçarja u nxorr nga dhoma e saj për t’u nisur me urgjencë drejt Tiranës, për shkak të përkeqësimit të gjendjes, por sapo u fut në ambulancë, u nxorr menjëherë për t’u kthyer në dhomë, pasi siç raportuan burime për Dosja.al, nuk mund të përballonte rrugën.

    E moshuara, është konsideruar si një nga rastet më të rënda të prekura me Covid-19 në Shqipëri. Ajo është kthyer nga Italia, më 1 mars, pasi kishte qëndruar për disa ditë në Bolonja. Më 3 mars, ajo u shtrua në Spitalin e Durrës, si një e sëmurë kronike, pa iu treguar asgjë mjekëve se kishte udhëtuar në Itali, që është edhe një nga vendet më të goditura nga koronavirusi. Gruaja vuante nga sëmundje të zemrës, por edhe të rrugëve respiratore. Insuficience kardiake kronike, SPOK, Nyha III, Fibrilation atrial, hypertyreisis dhe tatus post by pass, ishte diagnoza, njofton Policia.

    Pas 5 ditësh e shtruar në spital, më 8 mars, e moshuara iu ka thënë mjekëve se kishte udhëtuar në Itali, ndërkohë që përgjatë gjithë kësaj kohe, mjekët dhe infermierët kanë rrezikuar jetën duke trajtuar gruan, pa e ditur se ishte e prekur nga Covid-19. Asaj iu bënë analizat, dhe rezultuan se ajo ishte pozitive.

    Deri më tani, analizat iu janë marrë 30 personave nga stafi mjekësor që i ka shërbyer gruas, për të mësuar nëse edhe ata janë të infektuar.

    Vdekja e gruas e çon bilancin e Covid-19 në Shqipëri në 11 të prekur dhe 1 viktimë.  Në Tiranë janë 10 pacientë të cilët kanë lidhje nga rastin ‘0’, që është djali 28-vjeçar nga Puka që infektoi babain dhe disa të afërm, ndërkohë rasti i Lushnjes është i veçuar dhe me historik udhëtimi Italinë.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Ministria e Shëndetësisë iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të tjerë që të ruajnë qetësinë, ndërkohë ata që kanë udhëtuar nga vende të prekura dhe ndiejnë simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në numrin 127 dhe të mos shkojnë direkt në spitale. Qeveria ka marrë një sërë masash shtrënguese kundër koronavirusit, duke mbyllur shkollat  dhe universitetet, pube-t, palestrat dhe ka ndaluar të gjitha grumbullimet masive si konferenca, aktivitete sportive e kulturore. Autoritetet bëjnë thirrje që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të evitojnë takimet me njerëz të tjerë.

    (k.m;f.g/dosja.al)

     

    • 14:08

      Viktima e parë nga koronavirusi/ Basha: Ngushëllime për familjarët, moment për të reflektuar, zbatoni këshillat e OBSH-së

      Lulzim Basha

      Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për familjarët e 73-vjeçares që humbi jetën nga koronavirusi. Basha ka deklaruar se kjo ngjarje duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë dhe se duhet të zbatojmë  me patjetër këshillat e OBSH-së.

      Reagimi:

      Të dashur bashkëqytetarë, Fatkeqësisht një zonjë humbi sot jetën nga virusi Covid 19. Ngushëllimet e mia për familjarët dhe të afërmit e saj, dhe uroj nga zemra shërim sa më të shpejtë për të prekurit e tjerë. Ky moment duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë. Rastet e qytetarëve të ardhur nga Italia dhe që janë mbartës te koronavirusit po shtohen. Kjo e bën shumë më të rëndësishëm rritjen e kujdesit, e, në veçanti, bashkëpunimin e gjithsecilit prej nesh me mjekët dhe stafin shëndetësor. Në të kundërt rrezikojmë veten, familjen, të afërmit dhe miqtë. Bashkëpunoni me mjekët dhe jini transparentë, tregoni menjëhere nëse keni ardhur nga Italia, nese keni patur kontakte me persona në zonat e prekura nga virusi. Nuk është turp të prekesh nga koronavirusi, e rrezikshme për veten dhe të tjerët është ta mbash të fshehtë mundësinë e infektimit. Një pakujdesi e tillë rrezikon edhe infektimin e mjekëve e stafeve mjekësore. E di se shumë prej jush që vini nga zona të prekura apo që keni qenë në kontakt me persona të prekur, e konsideroni të vështirë vetëizolimin për 14 ditë. Por vetëm kështu ju mund të ndihmoni veten dhe të tjerët. Mjekët dhe stafi shëndetësor janë duke sakrifikuar shumë prandaj duhet t’i ndihmojmë me bashkëpunimin tonë. Mos ngurroni të zbatoni këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sa më të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm të jemi, aq me më pak pasoja do ta kalojmë këtë situatë. 

    • 13:55

      Senatoriumi s’e mori përsipër, 73-vjeçarja iku në Itali për kurim, u kthye nga frika e karantinimit

      Gazetari Artur Korriku në një lidhje live për “Report Tv” ka treguar detaje të reja lidhur me viktimën e parë nga koronavirusi në Itali. Sipas tij, gruaja fillimisht ka shkuar në spitalin e Senatoriumit në Tiranë për t’u kuruar për sëmundjet kronike që kishte me mushkritë. Por spitali nuk e kishte marrë përsipër duke e detyruar që të shkonte tek i biri në Itali për t’u kuruar nga sëmundja. E moshura është nisur për në Bolonja, ku edhe ka qëndruar për t’u kthyer më 1 mars bashkë me burrin e saj në mënyrë që të mos karantinohej. Dy ditë pasi është kthyer është shtruar sërish në spitalin e Durrësit, por pa rrëfyer që ka qenë në Itali. Gjatë qëndrimit në spitalin e Durrësit, 73-vjeçarja ka qëndruar në një dhomë me dy gra të tjera që nuk kishin lidhje me koronavirusin. Ndërsa dy grave u shërbenin edhe nga tre persona të afërm, duke e çuar në 9 numrin e personave të dyshuar se mund të jenë të prekur nga koronavirusi. Pa llogaritur as mjekët e infermierët që i kanë shërbyer. Njëra prej grave është vetëkarantinuar në shtëpi bashkë me djalin dhe nipin që i vinte për vizitë, ndërsa tjetra është transportuar në Tiranë bashkë me familjen për të bërë analizat me tampon.

    • 13:36

      Presidenti Meta: Zbatoni këshillat dhe rekomandimet e autoriteteve!

      Ilir Meta

      Presidenti Ilir Meta ka ngushëlluar familjarët e viktimës së parë nga koronavirusi në Shqipëri. Me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale, Meta u bëri edhe njëherë qytetarëve që të apelojnë me forcë për çdo qytetar të tregojë kujdes maksimal dhe të zbatojë këshillat e autoriteteve.

      Me hidhërim të thellë mora lajmin e ndarjes nga jeta të qytetares 73-vjeçare nga Durrësi të konfirmuar me COVID-19. Duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe gjithë të afërmve të saj, u shpreh të gjithë solidaritetin tim në këto momente tepër të vështira! Edhe njëherë apeloj me forcë për çdo qytetar të tregojë kujdes maksimal dhe të zbatojë me rigorozitet të gjitha këshillat dhe rekomandimet e autoriteteve!,”-shkruan Meta. 

    Shto Koment