Aktualitet

Qeveria shtrëngon masat, qytetarët sërish ‘kokëfortë’, gjobiten 71 këmbësorë, nuk shpëtojnë pa gjë dhe shoferët e pronarët

VIDEO
Policia vijon me gjobat ndaj shkelësve të ligjit. Bëhet fjalë për 71 qytetarë, 34 shofera dhe 24 biznese.
Featured image of article: Qeveria shtrëngon masat, qytetarët sërish ‘kokëfortë’, gjobiten 71 këmbësorë, nuk shpëtojnë pa gjë dhe shoferët e pronarët Pamje nga aksioni i policisë

TIRANË– Policia e Shtetit vijon me patrullimin e rrugëve të vendit për të ndëshkuar të gjithë ata që shkelin ligjin duke dalë nga shtëpia gjatë kohës pas orës 13:00, kur është e ndaluar.

Mësohet se 71 qytetarë janë gjobitur me 10000 lekë gjobë pasi janë kapur duke lëvizur në këmbë apo dhe me biçikleta pa pasur asnjë emergjencë. Përveç qytetarëve, janë gjobitur edhe 34 shofera, të cilët janë ndëshkuar me heqje të patentës apo dhe me bllokim mjeti. Gjithashtu, me 100000 lekë janë gjobitur edhe 24 adminstratoret e bizneseve që kanë mbajtur hapur aktivitetin e tyre në kundërshtim me ligjin.


NJOFTIMI I PLOTË:

Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.

Në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 71 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, janë evidentuar 34 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 24 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative 100.000 lekë për secilin.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, të mos lëvizin as në oraret e lejuara pa ndonjë arsye, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.

Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet dhe monitorimet pa ndërprerë, me qëllim zbatimin e masave në funksion të parandalimit të COVID-19.

Kryeministri Edi Rama njoftoi qysh dje se nga e hëna masat për të lejuar lëvizjen do të ashpërsohen. Kështu, Rama prezantoi bashkë me AKSHIN, metodën e re për të lejuar lëvizjen, e cila nuk përfshin pensionistët, të cilët e kanë të ndaluar lëvizjen. Nga e hëna orari i lejuar për të bërë pazare është nga ora 05:00 deri në orën 13:00, përmes një leje e cila do të merret me metodat e sipërpërmendura. Leja është vetëm për një person të familjes, e vlefshme për 24 orë, dhe me afat 1 orë në ditë.

(k.m/dosja.al)

Shto Koment