Politike

Posta ‘ngatërroi adresën’ e Kajmakut, PD: Kaloi afatin për të dhënë shenjat e gishtave, të japë dorëheqje

Sekretari i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi deklaroi për mediet nga selia blu se Agim Kajmaku duhet të ishte shkarkuar pasi nuk ka dhënë në kohë shenjat e gishtave që ka kërkuar Prokuroria.

TIRANË- Pasi Posta Shqiptare i është përgjigjur zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme, e cila pretendoi se kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmakun nuk ka dhënë ende shenjat e gishtave, PD ka vijuar me akuzat ndaj tij.

Sekretari i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi deklaroi për mediet nga selia blu se Agim Kajmaku duhet të ishte shkarkuar pasi nuk ka dhënë në kohë shenjat e gishtave që ka kërkuar Prokuroria.

Afati taksativ që parashikon neni 8 i ligjit të dekriminalizimit është tejkaluar dhe prej datës 3 shtator, për shkak se nuk ka dhënë shenjat e gishtërinjve, Agim Kajmaku duhet të mos ishte më në zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Vorës”, u shpreh Bardhi.

DEKLARATË E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI:

Çështja e Agim Kajmakut, i arrestuar në Greqi dhe akoma në kërkim në shtetin fqinjë, ka demaskuar Prokuroren e Përgjithshme, Arta Marku, si një vegël e pushtetit kriminal të Edi Ramës.

Arta Marku është kapur në flagrancë duke gënjyer shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë për të mbrojtur kriminelin e Edi Ramës në Bashkinë e Vorës nga dhënia e gjurmëve të gishtërinjve.

Në një rast të paprecedentë, Posta Shqiptare e përgënjeshtroi Arta Markun, e cila deklaroi dje se nuk i ka marrë shenjat e gishtërinjve të Agim Kajmakut, për shkak të postierit që nuk i ka gjetur adresën.  Kjo është një gënjeshtër që nuk mund ta besojë as një fëmijë, sepse adresa e Agim Kajmakut, edhe pse nuk është e shkruar në formularin e dekriminalizimit, është botërisht e njohur – Bashkia e Vorës, 15 kilometra larg zyrës së Arta Markut.

Mashtrimi publik i Arta Markut për të mbrojtur kriminelin e Edi Ramës në Bashkinë e Vorës u provua si i tillë nga Posta e Tiranës, e cila ka deklaruar se ka të gjitha dokumentet që provojnë se Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin për të dhënë gjurmët e gishtërinjve në datën 29 Gusht.

Ka një arsye pse Arta Marku është detyruar të gënjejë publikisht për të justifikuar mosdorëzimin e gjurmëve të gishtërinjve të Agim Kajmakut.

Sipas ligjit të dekriminalizimit, personi që nuk jep shenjat e gishtërinjve 5 ditë nga marrja e njoftimit, humbet menjeherë mandatin dhe shkarkohet nga funksioni shtetëror.

Agim Kajmaku është në këto kushte.

Afati taksativ që parashikon neni 8 i ligjit të dekriminalizimit është tejkaluar dhe prej datës 3 shtator, për shkak se nuk ka dhënë shenjat e gishtërinjve, Agim Kajmaku duhet të mos ishte më në zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Vorës.

Partia Demokratike e ka paralajmëruar që ditën e parë të denoncimit të fshehjes së krimit prej tij, se Prokuroria e Përgjithshme do të bëjë gjithçka që i kërkon Edi Rama, për të mos lëshuar një tjetër kriminel në pushtetin lokal.

Pavarësisht këtyre skenarëve qesharakë dhe të dëshpëruar të Edi Ramës, Agim Kajmaku, që pret të dënohet në Greqi për një krim, që ndëshkohet me 10 vjet burg, do të largohet dhe do të dalë para drejtësisë edhe për fallsifikimin e formularit të dekriminalizimit.

Agim Kajmakun nuk e mbron dot më as Arta Marku, as Edi Rama, as krimi i organizuar që e ka sponsorizuar atë. Të gjithë këta janë subjekte të drejtësisë dhe do të mbajnë përgjegjësi për aktet e tyre kundër interesit të qytetarëve shqiptarë.

Prej disa ditësh, demokratët akuzojnë Kajmakun se është arrestuar për falsifikim parash në Greqi dhe më pas është arratisur drejt Shqipërisë, duke e lenë çështjen të hapur. Kajmaku mohon akuzat, ndërsa PD i kërkon largimin pasi preket nga ligji për dekriminalizimin, me fshehjen e arrestimit në formular. Ndërkohë dje Prokuroria e Përgjithshme ka treguar të gjitha veprimet që kishte bërë për çështjen e Kajmakut, duke thënë se ende nuk ka dhënë shenjat e gishtave, pasi Posta Shqiptare kishte ngatërruar adresën.Më tej posta është përgjigjur duke thënë se dërgesa e Prokurorisë është dërguar në zyrën e Kajmakut brenda 72 orësh.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment