Aktualitet

Ngërçi me zgjedhjen e anëtarëve të rinj/ Gjykata Kushtetuese s’njeh Vorpsin: Detyrën e fillojnë 3 emrat e betuar para Presidentit

Kushtetuesja nuk e ka njohur Arta Vorpsin si anëtare të re të këtij institucioni. Në reagimin e bërë publik nga ky insitucion, vihet theksi te fillimi i detyrës për tre anëtaret e betuara para Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Featured image of article: Ngërçi me zgjedhjen e anëtarëve të rinj/ Gjykata Kushtetuese s’njeh Vorpsin: Detyrën e fillojnë 3 emrat e betuar para Presidentit

TIRANË– Gjykata Kushtetuese ka reaguar, lidhur me situatën për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këtij institucioni.

Kushtetuesja nuk e ka njohur Arta Vorpsin si anëtare të re të këtij institucioni. Në reagimin e bërë publik nga ky insitucion, vihet theksi te fillimi i detyrës për tre anëtaret e betuara para Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Njoftim për median:

Jemi njohur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë sot, në datën 15.11.2019, për “Shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”.

Në citim të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.

Për sa më sipër, lidhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese sqaron se, edhe pas plotësimit të disa prej vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj.

Për këtë arsye ajo nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj thelbësore apo juridiksionale lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis pushteteve apo organeve kushtetuese, si dhe as ato kompetenca që lidhen me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e pushtetit publik.

Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës.

Ditën e djeshme anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi  sfidoi autoritetin e presidentit Ilir Meta, duke shmangur ceremoninë e betimit tek Meta, pasi u betua tek një notere private. Kopjen e betimit, Vorpsi ia ka dërguar Metës, KED dhe Gjykatës Kushtetuese me Postë, ndërkohë që akti bie ndesh me nenin 8 të Kushtetutës, ku parashtrohet qartë se anëtari i Gjykatës fillon detyrën, pasi betohet tek presidenti.

Sot një një deklaratë për mediet, Presidenti Meta u shpreh i prerë se betimi i tij mbi Kushtetutë nuk është thjesht një akt ceremonial apo formal. Ai theksoi se askush mund  të përdhosë Kushtetutën. Meta theksoi se Presidenti me një dekret mund të shpërndajë edhe parlamentin.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment