Aktualitet

Shkelje dhe abuzime te ALUIZNI e llixhat, nën hetim 6 zyrtarë në Dibër, mes tyre ish-drejtori (Detajet)

Ish-drejtori i ALUIZNI-t, N.K., 56 vjeç dhe ish-përgjegjësi 37-vjeçar me iniciale E.M., akuzohen për shpërdorim detyre.

DIBËR-Gjashtë ish-zyrtarë, drejtues të ALUIZNI-t por edhe të qendrës Balneare (llixhat) janë nën hetim në kuadër të aksionit kundër informalitetit.

Të gjithë zyrtarët akuzohen për evazion në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, tregtimin e mallrave të akcizës dhe evazionin fiskal.  

Ish-drejtori i ALUIZNI-t, N.K., 56 vjeç dhe ish-përgjegjësi 37-vjeçar me iniciale E.M., akuzohen për shpërdorim detyre.

Dyshohet se me veprimet e tyre në kundërshtim me ligjin kanë shpërdoruar detyrën duke sjellë përfitime të padrejta personave të tjerë, si dhe kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit në mbrojtjen dhe administrimin e territorit.

Ndërkohë që katër zyrtarët e tjerë janë ish-drejtues të Qendrës Balneare Dibër. Policia nuk i ka publikuar emrat e tyre por vetëm inicialet dhe moshën, ata janë: I.Q, 54 vjeç, ish Drejtor i Ndërmarrjes, Qendra Balneare Dibër; I.V, 52 vjeç, ish Përgjegjës i Zyrës së Financës, Qendra Balneare Dibër; S.K, 35 vjeç, ish Drejtor i Ndërmarrjes, Qendra Balneare Dibër dhe E.M, 27 vjeç, të gjithë banues në Dibër, ish Financier, Qendra Balneare Dibër.

Nga raporti i KLSH-së në 2016 ata dyshohet se me veprimet e tyre në kundërshtim me ligjin kanë sjellë si pasojë mos funksionimin normal të aktivitetit ekonomik dhe administrativ të Qendrës Balneare Dibër iu kanë sjellë përfitime të padrejta personave të caktuar të administratës së ndërmarrjes.

Përfitimet llogariten në bonuse transporti si dhe kanë shmangur nga taksimi mbi të ardhurat nga shpërblimet punonjësit e kësaj qendre, veprime të cilat kanë cënuar interesat e ligjshme duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik kësaj ndërmarrje.

Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme”, thekson Policia e Shtetit.

Në vend vijon ende aksioni anti-informalitetit, i cili ka vepruar në të gjithë territorin. Një muaj më parë u shpall në kërkim Paulin Gega, pronari i “Gega Oil” pasi akuzohet për pastrim parash dhe evazion fiskal.

Po kështu Drejtoria e Tatimeve i vuri shiritin një nga bizneset më të mëdha në vend, “Taivanit” për mungesë të kuponit tatimor. Për këtë arsye u gjobit edhe hotel “Rogneri”.

Të dy subjektet më pas u rihapën me vendim gjykate. Aksioni preku edhe bregdetin, ku Policia hapi kilometra të tërë plazh publik të zabtuar padrejtësisht. Shumë i angazhuar me aksionin ishte edhe zv/kryeministri Erion Braçe, i cili deklaroi se forca e ligjit nuk do të njihte as të fortë dhe pushtetshëm dhe se askujt nuk do u hapej telefoni por do të zbatohet ligji.

(k.m/dosja.al)

Shto Koment