Aktualitet

Lot e dhimbje për Klodian Tanushin, majori ndërron jetë në Letoni, familja hap dyert e mortit

  • Mesazhi i fundit që dha major Tanushi: Urime Shqipëri 10 vjetorin në NATO!
  • Ndërron jetë pas katër ditësh lufte me vdekjen majori i plagosur në Letoni, Klodian Tanushi. Lajmi u bë i ditur nga vetë ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Familjarër hapën dyert e mortit. Pritet që në ditët në vijim trupi i tij të rikthehet në atdhe. Major Tanushi u plagos pak ditë më parë në stërvitje, ditë kur humbi jetën edhe nëntetarja Zarife Hasanaj.
    Featured image of article: Lot e dhimbje për Klodian Tanushin, majori ndërron jetë në Letoni, familja hap dyert e mortit Majori i ndjerë Klodian Tanushi
    Përditësuar:

    LETONI– Pas katër ditësh lufte me vdekjen, ndërron jetë babai i tre fëmijëve, major Klodian Tanushi. Major Tanushi u plagos katër ditë më parë pas shpërthimit të një mine gjatë një seance stërvitore në Letoni, ku humbi jetën nëntetarja Zarife Hasanaj.

    Lajmin për ndarjen nga jeta të majorit e dha vetë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, një ditë më parë në rrjetet e saj sociale. Ndërsa prindërve të majorit lajmin ua dhanë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralbrigade Bardhyl Kollçaku dhe zv.shefja e SHPFA-ve, gjenerale Manushaqe Shehu.

    Menjëherë pas marrjes së lajmit, familjarat hapën dyert e mortit për të nisur me ritet mortore. Pas lajmit për vdekjen e tij, të shumta ishin reagimet e zyrtarëve të lartë të shtetit. Xhaçka, Lleshaj, Rama, Meta, Berisha dhe Basha i shprehën ngushëllimet familjes duke premtuar që do t’i qëndronin pranë. Në shtëpinë e majorit Tanushi ka shkuar edhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila ka informuar familjen lidhur me procedurat e sjelljes së trupit të tij në atdhe për t’u përcjellë më pas në banesën e fundit.

    Major Tanushi ishte bashkuar me Forcat e Armatosura Shqiptare që prej vitit 2004. Në CV-në e tij spikatinin arritjet që i ishin dhënë edhe gradën major. Ndër to edhe specializimi për asgjesimin e municioneve me eksploziv, që për ironi të fatit i morën edhe jetën. Prej dhjetorit të vitit të kaluar, major Tanushi drejtonte kontigjentin e 4-t me 21 ushtarë në Camp Adazi në Letoni. Gjatë një stërvitjeje ushtarake më 6 maj ai u plagos së bashku me nëntetarin Julian Kapaj prej shpërthimit të një mine. Ndërsa nëntetarja Zarife Hasanaj humbi jetën në vend. Prej katër ditësh, major Tanushi luftonte me vdekjen në spital pasi ndodhej në gjendje të rëndë. Fatkeqsisht ai nuk mundi që t’i mbijetonte plagëve të marra, duke e çuar në tre numrin e ushtarakëve shqiptarë të rënë jashtë atdheut. Tashmë pritet që trupi i tij të vijë në Shqipëri, ku edhe do të mbahet ceremonia e nderimit. Më pas major Tanushi do të përcillet për në banesën e fundit “Varrezat e Dëshmorëve.”

    (k.m/dosja.al)

    • 17:52

      Mimi Kodheli kujton ditën kur përcolli në Letoni major Tanushin: Do mbetesh i paharruar

      Ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka shprehur ngushëllimet e saj për majorin që humbi jetën në Letoni, Klodian Tanushin.

      Mimi Kodheli dhe major Klodian Tanushi

      Në një postim në Facebook ka publikuar foton kur Klodian Tanushi është nisur për misonin në Letoni, nga i cili nuk u kthye dot gjallë.

      14 qershor 2017 – Ceremonia e përcjelljes së kontigjentit të parë në Letoni. Do të mbetesh i paharruar në zemrën dhe mendjen time!”, shkruan Koldheli.

    • 16:19

      Pas Xhaçkës, edhe Basha shkon në familjen e major Tanushit: Vlerësim i lartë për Klodianin, ra në krye të detyrës

      TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vizituar familjen e major Klodian Tanushit, i cili humbi luftën me vdekjen mbrëmjen e djeshme si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi i një mine në Letoni.

      Ndërkohë që familja ka hapur dyert e mortit, Basha ka ngushëlluar familjarët, ka takuar prindërit, bashkëshorten dhe të afërmit e komandantit të kontigjentit EOD në Letoni.

      Major Tanushi u plagos më 6 maj gjatë një stërvitjeje në Camo Adazi në Letoni, por nuk mundi t’u mbijetonte dot plagëve të marra dhe si pasojë ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në spital, në Letoni. Nga shpërthimi i një bombe, humbi jetën edhe nëntetarja Zarife Hasanaj, dhe përveç majorit Tanushi u plagos edhe nëntetari Julian Kapaj. Trupi i nëntetares Hasanaj u përcoll ditën e djeshme në banesën e fundit në “Varrezat e Dëshmorëve.”

    • 16:07

      Nga zyra e tij në Letoni/ Mesazhi i fundit që dha major Tanushi: Urime Shqipëri 10 vjetorin në NATO! (Video)

      LETONI– Publikohet videoja e fundit që major Klodian Tanushi ka bërë nga zyra e tij në Letoni për 10 vjetorin e anëtarsimin e Shqipërisë në NATO. 

      Gjatë fjalës së tij në videon e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes, major Tanushi ka bërë një prezantim të kontigjentit shqiptar me 21 ushtrakë që kishin shkuar me mision në Letoni. 

      Major Tanushi shpjegonte se ushtarët e tij ishin të specializuar në demontimin e mjeteve dhe municioneve plasëse, që për ironi i morën jetën atij dhe nëntetares Zarife Hasanaj. 

      “Kontigjenti 4 EOD me mision në kuadër të aleancës së Atlantikut me Letoninë është i përbërë nga 21 ushtarakë të cilët kryejnë detyra të ndryshme në shtabin e brigadës letoneze në shtabin e grup batalionit dhe në përbërjen e kompanisë multinacionale në kuadër të mbështetjes në luftime. Misioni i kontigjentit EOD është që të mbështesë me të gjithë elementët EOD në repartet e këtij grupbatalioni. Ky kryen detyra të ndryshme si agjesimi logjistik i municioneve; asgjesimi i monicioneve të rënda konvencionale ; asgjesimin e pajisjeve eksplozive të improvizuara; pastrimin e zonave të infektuara me municione të paplasura dhe njofjen e municioneve konvencionale të NATO-s dhe traktatit të Varshavës. Urime Shqipëri 10 vjetorin në NATO!”-thotë major Tanushi. 

    • 15:46

      Hapën dyert e mortit, Xhaçka shkon në shtëpinë e major Tanushit: Humbëm një djalë të rrallë

      Ministri Olta Xhaçka

      TIRANË– Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka vizituar familjen e major Klodian Tanushit, i cili humbi luftën me vdekjen ditën e djeshme si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi i një mine.

      Ndërkohë që familja ka hapur dyert e mortit, ministrja Xhaçka ka takuar prindërit, bashkëshorten dhe të afërmit e komandantit të kontigjentit EOD në Letoni.

      “Me Klodin humbëm një djalë të rrallë e njëherësh edhe profesionistin e kudogjendur.  Klodi është jo vetëm biri juaj por edhe djali ynë. Do i mungojë famijes tonë të madhe në FA.  Nuk do jeni kurrë vetëm. Do t qëndrojmë në krahun tuaj përherë.”

      Gjatë vizitës së saj, ministrja ka njoftuar familjen edhe lidhur me kthimin e eshtrave të major Tanushit. 

      Lidhur me ceremoninë për majorin, jemi në koordimin me palën letoneze e do ju bëhet me dije dita e mbërritjes së trupit dhe e përcjelljes sipas të gjitha ndereve që i takon si dëshmor i atdheut,“-tha Xhaçka.

    • 12:27

      LAJM I FUNDIT/ Vdekja e major Tanushit, Rama: Flamuri kombëtar në zi, shembull i sakrificës

      Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit për vdekjen e ushtarakut të dytë shqiptar në Letoni, Klodian Tanushi.

      “Flamuri kombëtar në zi🇦🇱Fatkeqësisht edhe Klodian Tanushi,ushtaraku ynë i angazhuar në misionin e NATOs ku humbi jetën dëshmorja Zarife Hasanaj,s’u mbijetoi dot plagëve!Ai u nda nga jeta si një dëshmor i atdheut e shembull i lavdishëm i sakrificës së Forcave tona të Armatosura🙏”-shkruan Rama.

    • 10:58

      Ndërron jetë majori/ NATO mesazh ngushëllimi: Humbëm një vëlla. Jeta e tij do të kujtohet

       

      I ndjeri, major Klodian Tanushi

      LETONI- Aleanca e Atlantikut të Veriut, e cila është më mision në Letoni, ka përcjellë mesazh ngushëllimi për vdekjen e major Klodian Tanushit mbrëmjen e djeshme në spital, pasi nuk mundi t’u mbijetojë palgëve të marra. Në mesazhin thuhet

      Është dhimbje e madhe që sot ka nderruar jetë Major Klodjan Tanushi. Ne i shprehim ngushëllimet tona më të thella bashkëshortes, fëmijëve dhe të afërmve të tij. Pasi luftoi për jetën e tij, Major Klodjan Tanushi vdiq nga lëndimet e pësuara gjatë një detyre të EOD, në vijën e detyrës më 6 maj 2019, që mori gjithashtu jetën e Nëntetares Zarife Hasanaj. Kemi humbur një nga tanët, një vëlla nën armë. Në këto kohë dhimbjeje, mendimet tona shkojnë tek të dashurit, miqtë dhe kolegët e tij. Jeta e tij do të kujtohet”- thuhet ”– thuhet në mesazh.

    • 10:31

      Vdekja e Major Tanushit, mediet letoneze: Letonia i është mirënjohëse Shqipërisë

      Mediet letoneze kanë raportuar lajmin e ndarjes nga jeta të Majorit Klodian Tanushi, i cili mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi i një mine.

      Ndërsa pasqyrojnë ngjarjen, mediet letoneze kanë raportuar edhe reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Letonisë, si dhe atë të Forcave të Armatosura vendase.

      “Ministri i Mbrojtjes Artis Pabriks (AP) shpreh ngushëllimet e tij më të thella për të afërmit dhe miqtë e ushtarit, për shërbëtorët e tij dhe për popullin e Shqipërisë. “Dëshiroj të falënderoj mjekët dhe stafin e Klinikës së Kujdesit Intensiv, i cili bëri gjithçka për të luftuar për jetën e një ushtari. Letonia është shumë mirënjohëse për aleatët tanë nga Shqipëria për kontributin e tyre në praninë e zgjeruar të NATO-s në grupin e betejës”, thekson Pabriks.

      Komantandi i Përgjithshëm i Forcave Kombëtare të Letonisë, gjeneral-lejtnant Leonid Kalnins, gjithashtu shpreh keqardhjen dhe ngushëllimet e tij për të afërmit e ushtarit të vdekur, shërbëtorët e tij, forcat e armatosura shqiptare dhe popullin e Shqipërisë. “Çdo komb ka një humbje të rëndë dhe ne jemi me aleatët tanë në këtë moment të vështirë,” thekson Kalnins.

      Në Letoni shprbejnë 20 inxhinierë shqiptarë për minat e pashpërthyera”, shkruan ndër të tjera TVNet.

      Po ashtu lajmi është pasqyruar edhe nga Baltija Balss dhe medie të tjera vendase.

      (B.B/ Dosja.al)

    • 9:38

      Vdekja e Major Tanushit, Kryemadhi: Një lajm i rëndë

      Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI-së

      Tiranë– Për ndarjen nga jeta të Major Klodian Tanushit ka reaguar edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi. Ajo është shprehur se është një tjetër lajm i rëndë e një tjetër dhimbje e madhe për të gjithë ne.

      “Një tjetër lajm i rëndë e një tjetër dhimbje e madhe për të gjithë ne.
      Ka humbur jetën edhe Major Klodian Tanushi!
      Nuk ka fjalë që të mund të shpreh ngushëllimin e as zemër që të mbajë peshën e dhimbjes, por me gjithë shpirt e zemër jam në këto çaste të rënda pranë familjes Tanushi, për të ndarë dhimbjen me bashkëshorten dhe fëmijët e Klodianit, i cili do të mbetet përjetësisht në altarin e nderit dhe të krenarisë shqiptare! I ndrittë shpirti dhe u prehtë në paqe! “, shprehet Kryemadhi.

    • 9:38

      Ulet në gjysmë shtizë flamuri shqiptar në bazën e NATO-s

      Foto nga flamuri në gjysmë shtizë

      Afganistan-Në bazën e NATO-s “Camp Area’ në Afganistan flamuri shqiptar është i ulur në gjysmë shtizë për të nderuar dy ushtarakët shqiptarë, major Klodian Tanushin, i cili ndërroi jetë në një spital në Letoni katër ditë pasi mbeti i plagosur në incidentin e 6 majit në kampin Adazi, ku si pasojë e shpërthimit të një mine humbi jetën edhe nëtetarja Zarife Hasanaj.

      Nëntetarja, Hasanaj është përcjellë dje për në banesën e fundit tek varrezat e “Dëshmorëve të Atdheut”.

      Kontigjenti i V-të Paqeruajtes ka nderuar sipas protokolleve ushtarake veprën sublime të dëshmoreve në rënë në Letoni.

      Foto nga Afganistani

    • 9:13

      Ndarja nga jeta e majorit në Letoni/ Ruçi: Klodian Tanushi, ëngjëll mbrojtës i paqes

      Gramoz Ruçi

      TIRANË- Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka reaguar për humbjen e major Klodian Tanushit.

      Ruçi me anë të një postimi në rrjetet sociale shpreh ngushëllimet familjes, teksa shprehet se i gjendemi pranë familjes, bashkëshortes  dhe fëmijëve të të ndjerit.

      Një lajm tjetër i dhimbshëm vjen nga Letonia. Komandanti i kontingjentit shqiptar në misionin e NATO “Enhanced Forëard Presence”, major Klodian Tanushi humbi pak çaste më parë betejën e fundit me jetën. Me zemër e me shpirt i gjendemi pranë familjes, bashkëshortes e tri fëmijëve në këtë ditë zije. Do t’ju mungojë atyre, por do të na mungojë të gjithëve ne që patëm fatin ta njohim. Do mbetesh përjetë në mendjen e zemrën tonë Klodi, miku ynë!  U prehsh në paqe major Klodi”, shkruan Ruçi në Facebook.

    • 9:00

      Familja hap dyer e mortit, FA dhe garda pranë banesës së Klodian Tanushit

      Tiranë- Pas vdekjes së Major Klodian Tanushit familja ka hapur dyert e mortit. Pranë banesës së Majorit ka pjestarë të Forcave të Armatosura, Garda dhe familjarë. Nuk mungojnë lotët dhe hidhërimi në fytyrat e kolegëve dhe familjarëve.

    • 8:23

      I nisi studimet për mekanik por u bë major, kush është Klodian Tanushi që ‘rrëmbeu’ një sërë medaljesh

      Major Klodian Tanushi

      Tiranë- Mbrëmjen e djeshme erdhi lajmi i hidhur se major Klodian Tanushi kishte humbur jetën, pas plagosjes gjatë shpërthimit të një mine kampin ushtarak Camo Adazi në Letoni, më 6 maj. Të shërbente në Forcat Ushtarake shqiptare ishte një dëshirë shumë e madhe dhe pasi u bë pjesë e tyre ai rrëmbeu një sërë medaljesh.

      Kush është major Klodian Tanushi? 

      Ai ka lindur në Dibër më 31.10.1980 dhe është fëmija i parë i familjes Tanushi. I martuar dhe me tre fëmijë (dy djem dhe një vajzë) përkatësisht 14 vjeç, 11 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë. Në vitin 1999 ka përfunduar shkollën e mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në profilin “Motorist xhenerik”. Nga viti 2000 deri në vitin 2003 ka ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake Skëndërbej.

      Ka kryer kurse funksional EOD Niveli I-re “Për asgjesimin e municioneve me eksploziv” Ka marrë pjesë ne kursin “EUFOR Mine Awareness Instructor Course”. Pas përfundimit të Akademisë është titulluar oficer dhe me urdhër nr.9628 datë 18.09.2003 ka marrë gradën e “Nëntogerit”. Në vitin 2006 ka marrë gradën e “Togerit”, në vitin 2010 ka marrë gradën e “Kapitenit” dhe në vitin 2017 ka marrë gradën e “Majorit”.

      Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra si : Komandant Toge, Komandant Kompanie, Shef Seksioni,  Specialist Operacionesh. Aktualisht me detyrë Komandant i Togës së pare të EOD. Në 20.12.2018 është dërguar me mision në Operacionin Ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni në përbërje të Grup-batalionit kanadez me detyrë Komandant i Kontigjentit shqiptar dhe përfaqësues i lartë ushtarak, me afat qëndrimi 6-mujor.

      Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me Medaljen e “Karrierës” nga Komandanti i Forces, Medaljen e “Shërbimit” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Medalje shërbimi në Mision jashtë vendi si dhe Medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga Ministri i Mbrojtjes.

    • 8:10

      Ndarja nga jeta e Majorit në Letoni, Berisha: Përulem me nderim para sakrificës sublime

      Për vdekjen e Major Tanushi, ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale, teksa shpreh ngushëllimet për familjen e të ndjerit, shprehet se përulet me nderim para sakrificës sublime të Klodian Tanushit.

      ‘Duke u përulur me nderim dhe mirënjohje të thellë para sakrificës sublime në krye të detyrës të major KlodianTanushit shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, miqve të tij dhe lutëm Zotit që të gjejnë forcë për të përballuar dhimbjen e madhe dhe shpirti i birit, bashkëshortit, prindit të tyre të dashur të gjejë paqen e merituar’, shkruan Berisha, ndërsa i uron shërim të shpejtë rreshterit të plagosur, Julian Kapaj.

      Postimi i plotë:

      Mesazh ngushellimi!

      Miq, sonte u nda nga jeta komandanti i kontigjentit shqiptar ne misionin e NATOs ne Letoni, major Klodian Tanushi. Komandant Klodian Tanushi me daten 6 maj mbeti i plagosur rende ne krye te detyres nga eksplodimi i nje mine gjate stervitjes, nga i cili humbi jeten deshmorja e atdheut Zarife Hasanaj dhe u plagose perveç te ndjerit edhe ushtaraku Julian Kapaj.

      Me kete rast, duke u perulur me nderim dhe mirenjohje te thelle para sakrifices sublime ne krye te detyres te najor KlodianTanushit shpreh ngushellimet me te ndjera familjes, te afermve, miqve te tij dhe lutem Zotit qe te gjejne force per te perballuar dhimbjen e madhe dhe shpirti i birit, bashkeshortit, prindit te tyre te dashur te gjeje paqen e merituar!

      Gjithashtu nga zemra uroj sherim te plote dhe te shpejte rreshter Julian Kapajt! sb

    • 7:53

      Presidenti Meta: U prehsh në paqe heroi ynë

      Presidenti Ilir Meta

      Tiranë- Për ndarjen nga jeta të majorit Klodian Tanushi, presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet  e tij. Ai thotë se është i tronditur nga lajmi dhe se me zemër është pranë bashkëshortes dhe tri fëmijëve të tij.

      “I tronditur nga lajmi i hidhur i ndarjes nga jeta të Komandantit të Kontingjentit ushtarak shqiptar në misionin e NATO në Letoni, major Klodian Tanushi.
      Në këto momente shumë të vështira për familjen Tanushi, me zemër jam pranë bashkëshortes dhe tri fëmijëve të tij, duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta! U prehsh në paqen e përjetshme heroi ynë!”,
       shkruan Meta.

    • 7:25

      Fotoja e fundit e major Klodian Tanushit, ngre kupën në Letoni

      Klodian Tanushi teksa ngre kupën

      Letoni- Nga shpërthimi i bombës në Letoni  përveç Zarife Hasanajt ka humbur jetën dhe major Klodian Tanushi, i cili nuk u mbijetoi plagëve të marra.  Ai ka shkëlqyer në punën e tij si ushtarak, madje ka ngritur edhe kupë. Në foton e mëposhtme ai shfaqet i qeshur teksa kupën në kapin ushtarak në Camo Adazi në Letoni. 

      Tanushi është  i martuar dhe ka tre fëmijë (dy djem dhe një vajzë) përkatësisht 14 vjeç, 11 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë. Trupi i tij do të vijë në ditët në vijim në atdhe për t’u vendosur në banesën e fundit, në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”.

    • 7:13

      Klodian Tanushi shkëlqeu në Letoni, foto nga stërvitja në kampin famëkeq Adazi

      Majori Klodian Tanushi

      Letoni– Mbrëmjen e djeshme u dha lajmi i i hidhur se major Klodian Tanushi nuk mundi dot t’u mbijetonte plagëve të marra gjatë shpërthimit të minës në një stërvitjeje në Camo Adazi në Letoni.

      Në fotot e mëposhtme ai shfaqet gjatë stërvitjes në kapin ushtarak, në krah të kolegëve të tij. I veshur me rrobat ushtarake ai shfaqet tejet e pasionuar për punën.

    • 23:04

      'Lutem që shpirti i tij të prehet në paqe!', Basha ngushëllon familjarët e major Tanushit

      Kryedemokrati Lulzim Basha i ka shprehur ngushëllimet familjes pas lajmit se majori Klodian Tanushi ndërroi jetë. (Lexo këtu)

      “Me hidhërim të thellë përcolla lajmin se sonte në mbrëmje u nda nga jeta prej plagëve të marra major Klodian Tanushi, komandanti i kontingjentit ushtarak shqiptar në misionin e NATO-s në Letoni. Ju përcjell ngushëllimet më të ndjera familjes së major Tanushit dhe miqve, kolegëve e të afërmve të tij. Në veçanti mendimet e mija shkojnë pranë bashkëshortes dhe tre fëmijëve të major Klodian Tanushit. Lutem që shpirti i tij të prehet në paqe!”

    • 22:45

      "Ti Shqipëri më jep nder", ana patriotike e Majorit Tanushi e shfaqur në rrjetet sociale (FOTO)

      Klodian Tanushi, Majori i cili humbi jetën në Letoni, veç profilit prej ushtaraku, në rrjetet sociale shfaqte edhe anën e tij patriotike. 

      Ai në foto profili kishte një me vajzën e tij, ku shkruhej “Ti Shqipëri më jep nder”. Ndërsa foto kopertine mban tifogrupin “Tifozët Kuq e Zi”. 

      Major Tanushi, si duket kishte pasion malet dhe natyrën në përgjithësi, e kjo duket në fotot që ai ka postuar me miqtë e tij. 

       

    • 22:41

      Lleshaj: Një tjetër lajm tronditës, ngushëllime familjes

      Ministri Sandër Lleshaj

      Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar pas ndarjes nga jeta të major Klodian Tanushit. (Lexo këtu)

      Humbja e major Klodian Tanushit është një tjetër lajm tronditës për çdo shqiptar. Ngushëllime familjes dhe Forcave të Armatosura. U prehtë në paqe!,”-shkruan Lleshaj.

    • 22:35

      Humbi jetën në Letoni/ Kush është major Tanushi, babai i tre fëmijëve

      Major Klodian Tanushi

      LETONI- Major Klodian Tanushi, humbi jetën ditën e sotme në Letoni, katër ditë pas ngjarjes së rëndë pas shpërthimit të lëndë shpërthyese.(Lexo këtu)

      Po kush ishte major Tanushi?

      Të dhëna për Major Klodian Nikolla TANUSHI

      Major Klodian Nikolla TANUSHI lindur në Dibër më 31.10.1980, fëmija i pare i familjes Tanushi. I martuar dhe me tre fëmijë (dy djem dhe një vajzë) përkatësisht 14 vjeç, 11 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.

      Në vitin 1999 ka përfunduar shkollën e mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në profilin “Motorist xhenerik”. Nga viti 2000 deri në vitin 2003 ka ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake Skëndërbej.

      Ka kryer kurse funksional EOD Niveli I-re “Për asgjesimin e municioneve me eksploziv”
      Ka marrë pjesë ne kursin “EUFOR Mine Awareness Instructor Course”.

      Pas përfundimit të Akademisë është titulluar oficer dhe me urdhër nr.9628 datë 18.09.2003 ka marrë gradën e “Nëntogerit”. Në vitin 2006 ka marrë gradën e “Togerit”, në vitin 2010 ka marrë gradën e “Kapitenit” dhe në vitin 2017 ka marrë gradën e “Majorit”.

      Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra si : Komandant Toge, Komandant Kompanie, Shef Seksioni,  Specialist Operacionesh. Aktualisht me detyrë Komandant i Togës së pare të EOD.

      Në 20.12.2018 është dërguar me mision në Operacionin Ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni në përbërje të Grup-batalionit kanadez me detyrë Komandant i Kontigjentit shqiptar dhe përfaqësues i lartë ushtarak, me afat qëndrimi 6-mujor.

      Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me Medaljen e “Karrierës” nga Komandanti i Forces, Medaljen e “Shërbimit” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Medalje shërbimi në Mision jashtë vendi si dhe Medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga Ministri i Mbrojtjes.

    • 22:29

      Ndërron jetë majori, Pandeli Majko: Fjalët janë pak për të shprehur dhimbjen

      Pandeli Majko

      Ministri për Diasporën, Pandeli Majko ka shprehur ngushëllimet e tij ndaj ndarjes nga jeta të majorit të plagosur në Letoni, Klodian Tanushi.(Lexo këtu)

      “Humbja e dy ushtarakëve në detyrë është një lajm i dhimbshëm për familjarët dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Pas nëntetares Zarife Hasanaj, sapo mora lajmin nga Letonia për humbjen e jetës së komandantit të kontigjentit shqiptar në misionin e NATO, major Klodian Tanushi. Ngushëllime familjarëve. Fjalët janë pak për të shprehur dhimbjen.”

    • 22:21

      Ndërron jetë majori, Xhaçka: Do mbetesh përjetë në mendjen e zemrën tonë

      Olta Xhaçka

      Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka dhënë e para lajmin se major Klodian ndërroi jetë pas shpërthimit të ndodhur në Letoni. (Lexo këtu)

      “Me zemër e me shpirt i gjendemi pranë familjes, bashkëshortes e tri fëmijëve në këtë ditë zije. Do t’ju mungojë atyre, por do të na mungojë të gjithëve ne që patëm fatin ta njohim. Do mbetesh përjetë në mendjen e zemrën tonë Klodi, miku ynë!,”-shkruan Xhaçka.

    Shto Koment