
TIRANË– Shtyhet seanca gjyqësore për ish-kryebashkiaku e Vorës, Agim Kajmakun, i cili sot kërkonte ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Shkak për shtyrjen është bërë mosparaqitja e provave nga mbrojtja e Kajmakut sipas procedurave ligjore.
Edhe pse Kajmaku është në arrati, avokati i tij mbrojtës kërkonte ndryshimin e masës duke përdorur në favor ndryshimin e dëshmisë së kallzueses së tij, shefes së protokollit. Ndërsa Prokuroria nuk u tërhoq nga kërkesa që masa ‘arrest me burg’ të mbetet në fuqi.
Gjyqtari i çështjes, Kujtim Vranici, ka vendosur që provat e sjella nga mbrojtja nuk janë parashtruar sipas procedurave ligjore, dhe ka vendosur që t’u japë më shumë kohë duke vendosur seancën e radhës më 28 janar.
Prokuroria ka ngritur disa akuza për Kajmakun, pasi në ngarkim të tij janë disa vepra penale si “Shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 të Kodit Penal, “Falsifikimi i formularëve”, neni 190 i Kodit Penal, dhe “Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”, neni 249 i Kodit Penal. Akuzat kundër tij janë ngritur, pasi dyshohet se ai ka marrë vendime pas KQZ kishte vendosur për shkarkimin e tij nga detyra. Pasi KQZ kishte marrë kundër tij, ai ka shkarkuar nga detyra dy nënkryetarët e Bashkisë dhe emëroi një të besuar të tij.
Më herët, ish-qytetari i parë i Vorës, ishte nën akuza publike nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit. Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person. Fillimisht, ai i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.
Aktualisht, Kajmaku është në arrati bashkë me bashkëshorten e tij, madje edhe i biri ka deklaruar se nuk ka dëgjuar asgjë prej tyre. Policia e ka shpallur në kërkim dhe po punon për kapjen e tij, në mënyrë që socialisti të përballet me drejtësinë.
(k.m/dosja.al)