Aktualitet

Babale/ “10 telefonata drejt Ballës”, Fredi Alizoti nxehet në gjykatë: Nxirrni bisedat me Sali Lushajn

Me përgjimet avokati i Olldashit pretendon se Fredi Alizoti ka pasur tentativa dhe për ta takuar nga afër Ballën.
Featured image of article: Babale/ “10 telefonata drejt Ballës”, Fredi Alizoti nxehet në gjykatë: Nxirrni bisedat me Sali Lushajn Fredi Alizoti. Sali Lushaj dhe Taulant Balla

TIRANË– “Dosja Babale” rikthehet në gjyq. Në Gjykatën Penale e Tiranës po zhvillohet seanca e radhës për çështjen Babale, ku avokati i gazetarit Jetmir Olldashi ka paraqitur disa përgjime të Fredi Alizotit me disa persona të tjerë.

Burime bëjnë me dije se në telefonin e Alizotit ka një tentativë prej 10 herësh për të kontaktuar me numrin e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Ballës.

Me përgjimet avokati i Olldashit pretendon se Alizoti ka pasur tentativa dhe për ta takuar nga afër Ballën.

Pas fjalës së mbrojtjes së Olldashit, Alizoti kërkoi fjalën nga gjyqtari dhe u shpreh se shumicën e bisedave e ka pasur me ish-truprojën e Sali Berishës, Sali Lushën.

“Gjyqtar thuaji të hapë të gjitha telefonatat sepse ka edhe biseda me shoqëruesin e Sali Berishës”, është shprehur Alizoti.

Çfarë është dosja “Babale”?

Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin Babale.

Krimet e Rënda lëshuan urdhër-arreste për protagonistët e audiopërgjimit, Albert Veliu, i njohur ndryshe me nofkën “Babalja” dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti. Nga ekspertiza që i është bërë kampionit të zërit, ai që dëgjohet në audio është i Agron Xhafajt, por i Alizotit, i cili pranonte se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit, pasi iu ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji.

Ai u shpreh se kishte vendosur të tregonte të vërtetën pasi “Babalja” nuk i kishte dhënë pjesën e parave që i detyrohej. Në datë 6 mars të këtij viti prokuroria mori të pandehur ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji për dosjen ‘Babale’.

Salianji është marrë i pandehur, pasi rezultoi si personi që kontaktoi me Albert Veliun dhe nëpërmjet gazetarit Jetmir Olldashi publikuan në selinë e PD audio-përgjimin e rremë. Ndërkohë, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa la kampionin audio të zërit të tij në prokurori dhe u largua për t’u dorëzuar drejtësisë në Itali ku kishte për të vuajtur edhe 4 vite burg.

Marrë nga FaxNews.al

(k.m/dosja.al)

Shto Koment