Aktualitet

Nuk justifikoi 1.4 milion lekë pasuri, Vettingu shkarkon inspektorin e ankesave në SHÇBA, Oltion Shehu e pranon në heshtje (VD)

Vendimin nga Komisioni i Vettingut në Polici, Shehu e ka pritur i heshtur duke mos pranuar të japë asnjë prononcim për gazetarët e pranishëm në seancë. 

TIRANË– Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka shkarkuar nga detyra ish-drejtuesin e Inspektimit dhe Ankesave në SHÇBA, Oltion Shehu pasi ky i fundit kishte probleme me pasurinë. Në seancën e sotme, Shehu u penalizua pasi nuk justifikonte dot shpenzimet në raport me të ardhurat e tij, të cilat kapnin shumën e rreth 1.4 milion lekëve.

Vendimin nga Komisioni i Vettingut në Polici, Shehu e ka pritur i heshtur duke mos pranuar të japë asnjë prononcim për gazetarët e pranishëm në seancë. Shehu ka qënë Drejtor Inspektimit dhe Ankesave në SHÇBA, dhe dy muaj më parë ka dhënë dorëheqjen nga ai pozicion për t’u emëruar më pas Shef i sektorit të ankesave në Drejtorinë Rajonale të SHÇBA në Tiranë. 

Për të justifikuar shumën e parave, në seancën dëgjimore të zhvilluar ditë më parë Shehu tha se nga viti 1996-2003 kishte punuar pa siguracione, duke punuar në një bingo si shef salle e menaxher në një hotel ku ka siguruar përkatësisht 1 milionë dhe 1.3 milionë lekë.

Pikërisht gjatë kësaj periudhë, Shehu shprehej se ka pasur të ardhura të larta edhe nga bakshishet, të cilat nuk i ka të deklaruara dhe rrjedhimisht të pa justifikuara. Sipas Shehut, për asnjë moment ai nuk ka qënë në dijeni se ka punuar pa siguracione.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se Shehu zotëron një banesë dy-katëshe në Tiranë me sipërfaqe 161.6 m2. Si burim krijimi të kësaj pasurie ai ka deklaruar dy kredi në vlerën 500 mijë lekë dhe një 1 milionë lekë, si edhe kursime në vlerën 2.5 milionë lekë. Komisioni ka konstatuar se ndërtimi i kësaj banese ka nisur në vitin 2003 dhe është përfunduar në vitin 2008.

Lidhur me këtë pasuri, Shehu shpjegoi se sipërfaqja 77 m2 përfaqëson gjurmën e ndërtesës, dhe pjesa tjetër i përket katit të dytë duke shpjeguar edhe njëherë pagat e tij.

Komisioni ka konfirmuar dy kreditë e marra prej efektivit të policisë, Shehu, por identifikon pamundësi për nisjen e ndërtimit të banesës në vitin 2003. Sipas relatores, të ardhurat e bashkëshortes së subjektit për periudhën 2000-2003 kanë qenë rreth 280 mijë lekë. Ndërsa të Shehut kanë qenë 104 mijë lekë, pra para të pamjaftueshme për të ndërtuar banesën e tyre.

“Subjekti sqaroi se nuk ka dokumente ligjore për të vërtetuar të ardhurat dhe kursimet deri në vitin 2003, por ka thënë se ka punuar në informalitet tek bingo Ylli në Tiranë në vitet 1996-1997 duke pretenduar se ka siguruar rreth 2.5 milionë lekë nga të cilat ka kursyer 1 milionë”, pohoi relatorja Gjela.

Sa i përket pastërtisë së figurës nuk ka rezultuar që ai të ketë qenë i përfshirë në aktivitete të paligjshme apo të ketë pasur kontakte të papërshtatshme me persona me lidhje me krimin e organizuar. Gjithashtu ka kaluar me sukses edhe testin psikologjik.

Lidhur me profesionalizimin, gjatë seancës dëgjimore u diskutua edhe për dorëheqjen e Shehur nga posti i tij në SHÇBA. Sipas relatores Gjela, Shehu e kishte kërkuar dorëheqjen nga pozicioni i drejtorit duke argumentuar se nuk ishte i aftë për këtë pozicion.

Pas tij, në orën 11 do të zhvillohet seanca dëgjimore për zëvëndësdrejtorin e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Adriatik Agon.

(k.m/Dosja.al)

Shto Koment