Aktualitet

“S’ja fal atë që ka bërë, në varr do ta fus…”/ Zbardhet DOSJA E PLOTË, banda e Pogradecit terror në ‘Volorekë’, si u qëlluan 82 plumba tek dhoma ku flite Johan Muçollari (FRIKA e Mariglen Topuzit)

Johan Muçollarit i është djegur edhe automjeti i llojit “BMW”, i llojit X6. Mbi hotelin “Voloreka”, sipas ekspertizës së dalë së fundmi, kanë vërshuar 82 plumba. Shumë prej tyre ranë mbi shtatë makinat e parkuara para hotelit dhe në drejtim të dhomës ku flinte djali i pronarit.
Featured image of article: “S’ja fal atë që ka bërë, në varr do ta fus…”/ Zbardhet DOSJA E PLOTË, banda e Pogradecit terror në ‘Volorekë’, si u qëlluan 82 plumba tek dhoma ku flite Johan Muçollari (FRIKA e Mariglen Topuzit) Hotel Voloreka, makinat e dëmtuara dhe policia

POGRADEC- Zbardhet dosja e plotë e ngjarjes që terrorizoi zonën turistike të Volorekës, më 8 gusht të këtij viti. Gazetari Elton Qyno ka siguruar dosjen e Prokurorisë, në të cilën përshkruhen hap pas hapi të gjitha veprimet e ndërmarra nga agresorët ndaj djalit të pronarit të hotel “Voloreka”, Johan Muçollari. Gjithçka kishte nisur nga një konflikt mes të riut dhe mes anëtarëve të grupit të Ilir Berberit dhe Mariglen Topozit. Fillimisht më 1 gusht, dy persona me motor kanë shkuar pranë hotelit dhe kanë qëlluar me armë zjarri.

Babë e bir, Jetmir dhe Johan Muçollari njoftuan Policinë për të zbardhur ngjarjen, e ndërkohë që ‘blutë’ e qytetit ishin në punë e sipër për zbardhjen e sulmit të parë, hoteli kthehet në shënjestër për dhjetra plumba kallashnikovi. 82 plumba u qëlluan rreth orës 4:40 në drejtim të dhomës, në të cilën pushonte Johani, i cili fatmirësisht ka dalë pa asnjë dëm nga sulmi në drejtim të tij. Por agresorët nuk ishin ndalur vetëm me sulmin ndaj godinës. Një prej tyre, është ndarë nga grupi dhe ka shkuar në drejtim të garazhdit duke qëlluar edhe mbi 7 makinat që ndodheshin aty, 2 prej të cilave i përkisnin Jetmir dhe Johan Muçollarit.

Ndryshe nga sulmi i parë, kësaj herë Policia ka arritur që të identifikojë dhe të lokalizojë vendndodhjen e të dyshuarve kryesore për ngjarjen duke bërë edhe kapje të mëdha. Në prangat e Policisë ranë: Ilir Berberi ose “Liri i Rushkës”, Meard Berberi ose “Koro”, dhe i shumëkërkuari Anterio Kaloshi, i njohur për miqësinë e tij të ngushtë me Orgest Bilbilin, edhe ky i fundit i akuzuar për një sërë ngjarjesh kriminale në qytetin e Lushnjes.

Sipas të dhënave të dosjes hetimore, Ilir Berberi hiqej si polic, madje kishte arritur që të siguronte edhe një mjet identifikimi, ndërsa vëllai i tij Meadi kishte zgjedhur të ishte avokat.

Dy dokumentet e falsifikuara u gjetën nga policia, në mesin e arsenalit të armëve që ishin të fshehura në garazhin e Ervin Kalajës, në të cilin ishte fshehur edhe Meard Berberi.

E SHKUARA E MEARD BERBERIT

Për Maerd Berberim, kjo nuk është hera e parë e përballjes me efektivët e Policisë. Më 22 maj të këtij viti, OFL-ja i dërgoi pusullën të riut pasi dyshohet se e disponon nga të ardhura kriminale. Nëna e tij, Medije Berberi, prej muajit Shkurt 2016 ka në emër të saj një bar-restorant dhe hotel në Pogradec, në rrugën “Dëshmorët e Pojskës”. Por para se ti dedikohej biznesit të familjes, Berberi ka qenë punonjës në shtet. Ai ishte punësuar pranë Ujësjellës Kanalizimeve por në vitin 2016 u përfshi në një konflikt me kreun e Ujësjellësit të qytetit, Marsel Isallarin, i cili e uli në detyrë. Pasi u shkarkua nga detyra e drejtorit juridik në një punonjës të thjeshtë, Berberi e kërcënoi shefin e tij me jetë. 

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

DËSHMITË

Lidhur me sulmin me armë ndaj të birrit, pronari i hotelit Jetmir Muçollari ka drejtuar “gishtin” nga Mariglen Topuzi dhe dy persona të tjerë, duke treguar edhe për një sherr të vjetër mes tyre dhe djalit të tij, Johanit.

“…Rreth dy vjet me parë djali im, ka patur një konflikt me Andrea Pilinçin, Meardi Berberi dhe Mariglen Topuzin dhe djalit tim, i hodhën sprajt në fytyrë. Për këtë gjë është bërë denoncim në polici. Mariglen Topuzi është lidhje shoqërore e Meardi Berberi ose siç njihet ndryshe në Pogradec me nofkën “Koro…”.

Ndërkohë që Topuzi pretendon se ka dëgjuar nga të tjerë se Jetmir Muçollari kishte nisur përgatitjet për eliminimin e tij, ndaj kishte vendosur që t’u qëndronte larg.

 “…unë kam qenë në burg për djegien e makinës së djalit të Jetmirit dhe që nga koha që kam dalë nga burgu, nuk kam patur fare kontakt me Jetmir Muçllarin apo me familjarë të tij. Kam dëgjuar se ka thënë “nuk do ja fal për atë çfarë ka bërë, edhe në varr do ta fus… ”. Kjo është arsyeja përse unë nuk ka kontakte me të apo me njerëz të tij, pasi siç kam dëgjuar ai do hakmerret për shkak të veprimit tim, për djegien e makinës…,”-është shprehur ai para hetuesëve.

(k.m/f.m/dosja.al)

Shto Koment