Aktualitet

Vrau qenin dhe e tërhoqi zvarrë, Policia shoqëron shoferin e makinës në Sukth

Mëngjesin e sotëm, në rrjetet sociale "Animal Rescue" publikoi fotot e torturimit të një qeni, i cili ishte i pajetë, dhe po tërhiqej zvarrë nga makina në pamje.
Featured image of article: Vrau qenin dhe e tërhoqi zvarrë, Policia shoqëron shoferin e makinës në Sukth Foto ilustruese dhe qeni

DURRËS- Policia e Shtetit ka shoqëruar në Komisariat disa orë pas publikimit të fotove në rrjetet sociale, shoferin e makinës “Renault”, që tërhoqi zvarrë një qen, pasi ishte vrarë me makinën e tij. Policia thotë se autori i aktit është një 50-vjeçar nga Sukthi, F.P., dhe tashmë është proceduar penalisht për veprën penale të keqtrajtimit të kafshëve.

NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË: 

Duke marrë shkas nga një foto e publikuar në rrjetet sociale, ku paraqitej një kafshë shtëpiake (qen), duke u tërhequr pas një makine, në Sukth, Durrës, ju sqarojmë se: Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës menjëherë identifikuan dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, bashkë me mjetin e tij tip “Renault”, shtetasin F. P., 50 vjeç, banues në Sukth, Durrës. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht shtetasi F. P., për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve” parashikuar nga neni 207/c paragrafi 2 si dhe nga shërbimet e Policisë të Qarkullimit Rrugor është vendosur masë administrative në bazë të dispozitave të Kodit Rrugor, sipas neneve 158, 182 dhe 139/14/5/8. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme. Policia e Durrësit fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Mëngjesin e sotëm, në rrjetet sociale “Animal Rescue” publikoi fotot e torturimit të një qeni, i cili ishte i pajetë, dhe po tërhiqej zvarrë nga makina në pamje. Për rastin reagoi dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili e quante si të trishtë dhe neveritëse këto pamje, e madje sipas tij “kafsha është ai në timon”. Tahiri la gati në parlament një projektligj të njohur si “Ligji për katërputroshët”, që kishte në fokus dhunën ndaj kafshëve, por ende nuk është miratuar nga socialistët. Kjo nuk është hera e parë që kafshët keqtrajtohen në Shqipëri. Pavarësisht projektligjit që qëndron në sirtaret e Kuvendit, edhe masat e marra nga autoritetet janë të pakëta.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment